Një Kombëtare, ndër më të mëdhatë”, ky është mendimi i Hysen Zmijanit për situatën që po kalon sot ekipi përfaqësues. Legjenda shkodrane, që ka dhënë një kontribut të madh me fanellën kuqezi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, analizon ndeshjet e fundit të ekipit kombëtar, punën e trajnerit Silvinjo dhe atë që i ka bërë përshtypje atij nga fitoret me Çekinë, Poloninë dhe Bullgarinë. Megjithatë, ish-mbrojtësi i djathtë i Kombëtares thekson se lojtarët duhet të vazhdojnë të jenë me këmbë në tokë, sepse ky unitet që kanë krijuar do të vazhdojë të gëzojë dhe të ngrohë tifozët. Zmijani gjithashtu jep një koment edhe për Armando Brojën dhe qasjen e tij në Kombëtare.
Dy fitore në ndeshjet e tetorit, si duket kjo Kombëtare në sytë e Zmijanit?
Një Kombëtare e habitshme me thënë të drejtën dhe po na gëzon. Një Kombëtare ndër më të mëdhatë dhe kemi filluar t’i themi vetes që jemi të padiskutueshëm në Europian. Ky ekip po na ngroh. Edhe ndeshja e fundit miqësore, që për më tepër ishte për trajnerin, por lojtarët u angazhuan në maksimum. Shoh njëfarë uniteti, kënaqësie, cilësie të madhe, një besim te vetja dhe te shokët, dhe kështu lirohen dhe detyrimisht që japin maksimumin. Sigurisht që vijnë nga skuadra të mëdha, ndërsa më parë kanë qenë nga kampionati shqiptar dhe tani nga kampionati vendës nuk ka asnjë. Krahasimet nuk bëhen pasi çdo gjeneratë ka ato të vetat. Por, ky ekip po na gëzon edhe nga loja.
Po punën e trajnerit si e gjykoni, e prisnit një ndryshim të tillë?
Ka sjellë dy lojtarë që nuk kanë qenë. I ka parë me sytë e tij, si Asanin dhe Mitajn. Janë dy nga lojtarët më të mirë në këto kualifikuese, por edhe Daku shumë lojtar i mirë. Kjo Kombëtare po na jep një spektakël, sepse më parë hynim në fushë për të mos pësuar gola e mos u diskretituar, por tani hyjmë në fushë për të fituar.
Bullgaria, e kishit menduar aq dobët?
Por edhe Çekia nuk kishte asgjë. Pastaj Bullgaria ishte katastrofë komplet. Nuk ishte në rangun tonë. Duke parë edhe Çekinë, ne kemi emra dhe nuk është si më përpara që fundoseshim sa shikonim Mateusin apo Klismanin. Sot ne kemi emra që luajnë në të gjithë Europën.
A janë ulur ndjeshëm diferencat mes kombëtareve të mëdha dhe të tjerave?
Patjetër. Janë ngushtuar shumë dhe ne po dalim tek ajo që nuk kemi frikë më. Hyjmë në fushë si të barabartë, ndërsa më përpara ne hynim si inferiorë dhe ka qenë ndonjë rastësi kur kemi luajtur mirë apo kemi marrë rezultate, por me raste të pakta. Ndërkohë tani, diferenca është shumë e vogël me lojtarët e tjerë, pasi edhe me klubet e tyre po luajnë kundër futbollistëve të mëdhenj.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!
KRISTI SEJATLLAR – PANORAMASPORT.AL