Ngjarja e rëndë e regjistruar ditën e sotme në gjimnazin “Hydajet Lezha” ku nxënësi goditi mësuesen me karrige, u risoll në vëmendje nga drejtuesit e emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, të cilët dhanë dhe një mesazh gjatë transmetimit të emisionit.
Zenelaj u shpreh se ngjarja e ndodhur në “Hydajet Lezha”, aty ku ai ka mbaruar gjimnazin, është skandaloze. Ai thotë se është trishtuar nga rasti teksa ka shtuar se ai ka bërë gjimnazin në këtë shkollë në vitin 1997 e megjithatë shton se asnjëherë nuk do të guxonin që ta bënin një gjest të tillë.
Përveç një mesazhi për të gjithë nxënësit, Saimir Kodra drejtoi dhe një mesazh për shtetin që t’i mbrojnë mësuesit e t’i paguajnë ata.
Gentian Zenelaj: Ngjarje skandaloze që ka ndodhur në gjimnazin “Hydajet Lezha”. Unë nuk i di arsyet pse ka ndodhur, por të qëllosh një mësuese me karrige është skandaloze. Jam trishtuar shumë sepse është gjimnazi ku kam bërë shkollën. E kam bërë në 97’-ën e megjithatë edhe pse ishim në 97’-ën, nuk do të guxonim kurrë që ta bënim një gjest të tillë.
Saimir Kodra: Një duartrokitje të madhe për të gjithë plejadën e mësuesve dhe pedagogëve. Atyre të mirëve që janë në një mision shumë fisnik.
Gentian Zenelaj: Duajni mësuesit tuaj sepse janë njerëzit që ju drejtojnë në jetë.
Saimir Kodra: Edhe në mos i duan ato, shtetit-mbroni mësuesit që shpërndajnë dije dhe kulturë, mbrojini dhe paguajni.
Sjellim në vëmendje se debati verbal në orën e mësimit ka përfunduar me një akt të rëndë mëngjesin e kësaj të mërkure në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” të këtij qyteti. Mësuesja e matematikës, Majlinda Palushi është goditur me karrige nga një gjimnazist i vitit të dytë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë orës së mësimit, ku mësuesja i ka tërhequr disa herë vëmendjen 16-vjeçarit. Nga fjalët, debati është agravuar derisa i riu ka qëlluar mësuesen e tij me karrige. Mësimi është pezulluar menjëherë. Mësimdhënësja është dërguar me një ambulancë në spital ku ka marrë mjekim për një frakturë të pësuar në krah./tvklan.al