BallinaIntervistaMyqerem Tafaj: Ulja e numrit të studentëve, një mundësi për rritjen e...

Myqerem Tafaj: Ulja e numrit të studentëve, një mundësi për rritjen e cilësisë në universitete

spot_img
spot_img
Flet ish-ministri i Arsimit, tani pedagog, prof. doc. Myqerem Tafaj

Zhvillimet demografike janë një mundësi e mirë që universitetet shqiptare të rrisin cilësinë dhe në këtë mënyrë të frenojnë ikjen e ekselentëve për studime jashtë vendit, thotë ish-ministri i Arsimit, tani pedagog, prof. doc. Myqerem Tafaj.

Që të arrihet cilësia, universiteti duhet të përmbushë tre misione themelore që janë përgatitja e brezit të ri, kërkimi shkencor dhe transferimi i njohurive të teknologjisë dhe inovacionit në sektorët e tjerë.

Ja reformat që propozon Tafaj të kryhen në financime, burime njerëzore dhe kurrikula në një intervistë për “Monitor”.

Cilat janë sfidat me të cilat po përballet arsimi i lartë në vendin tonë?

Një sistem i arsimit të lartë duhet të konsiderohet në raport me sfidat që ka, të cilat sot janë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Arsimi i lartë është tashmë global dhe duhet te vlerësohet për tre misionet që ka, përgatitja e brezit të ri, kërkimi shkencor dhe i treti, transferimi i njohurive i teknologjisë dhe inovacionit.

Po të marrin misionin e parë dhe ta vlerësojmë, shohim se cila është prirja.

Sot jemi në një stad ku numri i studentëve që hyjnë në shkollat e larta është rreth 40% më pak se në dekadën e mëparshme.

Më tej, në 2033, do të jetë sërish 40% më i ulët. Nëse sot kemi 28 mijë maturantë, në vitin 2033 apo 2035 do të kemi maksimumi 15 mijë maturantë.

Ky është zhvillimi demografik i këtij vendi, i kushtëzuar nga faktorët natyrorë të jetës njerëzore, të cilët nuk janë krejtësisht natyralë, si dhe nga faktorë të tjerë socialë, që kanë të bëjnë me emigrimin.

Kjo do të thotë që sfida më kryesore e sistemit është e qartë. Arsimi i lartë duhet të jetë i aftë të plotësojë pritshmëritë e një arsimi cilësor për një numër studentësh, i cili pas një dekade do të jetë sa gjysma e tyre që kemi sot.

Nëse ne do të flasim për prurje të studentëve që vijnë nga jashtë, kjo është çështje tjetër. Ndodh apo nuk ndodh, kjo duhet diskutuar, por kjo do të ndodhë vetëm nëse universitetet tona do të meritojnë të presin studentë të huaj.

A mund të konsiderohet krizë përgjysmimi i arsimit të lartë nga numrat e studentëve?

A është kjo një krizë që sistemi po përgjysmohet, mendoj se jo. E konsideroj si shans, pasi nëse ne do ta vendosim njëherë e mirë që duam universitete europiane.

Nëse fokusohemi te mentaliteti i të shkuarit në shkollë të lartë jemi gabim, por nëse ne themi shkoi në universitet, atëherë duhet punuar fort në krijimin e kushteve që kërkon universiteti.

Aktualisht nuk mund të them që i kemi të diferencuara me ligj universitetet, kolegjet universitare, akademitë, universitetet profesionale, por ky është një diferencim formal, nuk është një diferencim vërtet substancial. Duhet të kuptojmë se masteri i një universiteti është krejt ndryshe nga masteri i një kolegji universitar.

Shqipëria mund të ketë 50 – 60 mijë studentë gjithsej pas një dekade, por nëse ne këtë e konsiderojmë si shans, duhet të ulemi dhe të mendojmë çfarë do të bëjmë tani.

Kemi 50-60 mijë studentë që do t’i shkollojmë, të diplomohen dhe të krahasohen së paku me universitete rajonale më të mira, si Lubjana, Beogradi, Zagrebi dhe Novi Sadi, pa shkuar në Budapest.

Nëse nuk i vëmë vetes një objektiv të tillë, ne do të mbetemi në një qasje shumë minimaliste ndaj arsimit të lartë.

Çfarë duhet të bëjnë qeveria shqiptare dhe universitetet që të arrijnë në nivele te krahasueshme me Rajonin?

Së pari, shansin duhet ta konsiderojë qeveria, për politikëbërje. Duhet të thotë “në rregull, do ndryshoj politikën e investimit”. Nëse një vend nuk investon minimumi 1% për arsimin e lartë, nuk ka arsim të lartë cilësor dhe ne nuk e plotësojmë këtë kriter.

Nëse vendosim që do të investojmë në arsimin e lartë, atëherë do investojmë mbi bazën e performancës dhe me disa kushte. Fondet duhet jepen ndaj Universiteteve në bazë të disa kriterëve që duhet të plotësojnë. Kriteri kryesor duhet jetë përmirësimi në renditjen ndërkombëtare.

Aty ku është edhe universiteti i Beogradit, ose ai i Lubjanës.

 Për çfarë lloj renditjesh mund të garojmë?

Ka shumë lloje renditjesh, por inputi për ta matur ekziston. Ne e kemi kriterin, duhet të investojmë.

Kjo qasje është thelbësisht ndryshe nga ajo që kemi tani, sepse nëse zbatohet një politikë e tillë investimi, me standarde ndërkombëtare, atëherë universiteti ndryshon rrënjësisht dhe ka potencialin që të ndryshojë në misionin e tij të dytë, në kërkimin shkencor.

Nëse universiteti nuk prodhon shkencë, përfundimisht nuk mund të edukojë studentë në nivelin ndërkombëtar. Ne gënjejmë veten, nëse nuk e arrijmë këtë.

Përse nuk arrihet kjo, për fonde apo mungesë kapacitetesh në burime njerëzore?

Fondet janë një arsye, nga ana tjetër është mentaliteti. Nëse universiteti nuk bën dot shkencë në cilësinë e nivelit ndërkombëtar, nuk mund të edukojë as studentët dhe as nuk mund të japë diploma të nivelit ndërkombëtar.

Këtu është thelbi, që nëse investohet me përparësi, jo vetëm që ndodh revolucion në kërkimin shkencor të universitetit, por edhe në shtyllën e tretë që universiteti ka mision, transferimin e teknologjisë dhe inovacionit në fusha më të rëndësishme.

Sot, Shqipëria nuk ka komunitet për kërkim shkencor, ka vetëm pedagogë të universitete. 5 mijë pedagogë gjithsej në arsimin publik dhe privat, janë dhe komuniteti që duhet të bëjë shkencë.

Nëse dikush mendon se shkenca mund të bëhet jashtë universiteteve, kjo është vrasje e universitetit.

Modelet më të mira i kemi në rajon. Dega e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Zagrebit u klasifikua brenda 150 vendeve të para në rang global dhe ky është një sukses shumë i madh.

Investimi parësor nuk do të thotë vetëm investim financiar, por edhe në aspekte të tjera, si në burimet njerëzore.

Nëse universitetet shqiptare do të vazhdojnë të shpresojnë që mund të rrisin cilësinë për t’u matur me universitete të tjera dhe pedagogët e tyre të jenë në nivele pagash me të cilat nuk jetohet, kjo është të gënjesh veten.

Por medalja ka dy anë, e para duhet të shkojmë te praktika ndërkombëtare. Trupa akademike dhe shkencore në universitete duhet të kenë paga dinjitoze.

Nëse kjo nuk bëhet, dëmtohet universiteti në perspektivë dhe vendi. Nëse nuk paguhen mirë, ata do bëjnë një, dy ose tre punë të tjera përveç asaj në universitet.

Puna në universitet mund të konsiderohet angazhimi i fundit. Duhet të hiqet koncepti i pagesës me orë. Është arkaizëm nëse pedagogët bazohen për orët mbi normë për të jetuar, universiteti nuk ekziston. Këtë nuk e bën më as shkolla e mesme në Shqipëri.

Aspekti tjetër janë forcat e reja akademike. Shqipëria përballet me një paradoks, plotëson universitetet më të mira të botës me studentë ekselentë të talentuar, edhe si pedagogë, edhe si kërkues, dhe nuk ka një politikë reale për të sjellë disa prej tyre në Shqipëri.

Si mund ta zhvillojmë ne universitetin, në qoftë se nuk shfrytëzojmë këtë potencial të madh njerëzor me një kualifikim kaq të lartë?

Përpos kësaj nuk ka nevojë që të kthehen në Shqipëri, sepse ka modele të ndryshme ku ata mund të kontribuojnë edhe nga aty ku janë, por çështja është se ne duhet ta kuptojmë që me njerëz mediokër që rekrutojmë si asistent, universiteti shkon drejt vdekjes.

Prandaj them që arsimi i lartë është global, çdo rektor dhe dekan duhet ta konsiderojë fushën e vet gjithmonë në krahasim me atë të universiteteve rajonale.

Nëse kjo nuk ndodh, ne nuk zhvillohemi.

Çfarë duhet bërë në drejtim të përmirësimit të autonomisë së universitetit?

Unë jam për autonominë e universiteteve dhe për ta forcuar atë, por paralel me llogaridhënien. Autonomi do të thotë që universiteti t’i përgjigjet tregut të punës me ofertën akademike, kërkimit shkencor dhe transferimit të njohurive të teknologjisë. Për këtë duhet shfrytëzuar autonomia.

Prandaj nëse investon në politikë prioritare dhe në standarde më të larta, atëherë të gjithë mekanizmat e tjerë, në njëfarë mënyre, rregullohen, për të krijuar performancën që kanë të drejtën të zgjedhin shefin e departamentit, dekanin ose rektorin.

Pedagogu duhet të zgjidhet, me disa kritere mbi performancën, jo në dëm të studentëve ose të universitetit. Duhet të zbatohen politika reale prioritare të investimit mbi bazën e treguesve të performancës, sipas standardeve europiane. Nëse jo, do të mbetemi një ishull i izoluar.

A janë këto arsye pse studentët emigrojnë?

Studentët shqiptarë emigrojnë pasi atyre u mungon një ofertë vendase për shkollimin cilësor. Të rinjtë shqiptarë janë shumë të informuar se ku duan të shkojnë, ata shohin fushat që kanë treg pune, shohin që gjeneratorët e vërtetë të tregut të punës siç janë fushat e teknologjisë dhe informacionit.

Sipas të gjithë indikatorëve që përdor BE, kjo është fushë që kërkon mbi 60% të të punësuarve me arsim të lartë. Kjo fushë po tërheq studentë edhe në Shqipëri. Tregu duhet të konsiderohet si treg global pune, aq më tepër për një vend të vogël si Shqipëria.

Ne nuk mund të reformojmë universitetin, sepse nuk jemi realistë. Produkti që ne nxjerrim është një produkt që do të punojë për katër dekada pas diplomimit. Kufijtë e tregut të punës kanë rënë që tani, e jo më pas 10 vjetësh.

Pikërisht, fusha e TIK që jep mundësinë e rekrutimit të një të riu që mund të punojë nga Tirana për kompanitë e huaja, ka bërë që gjimnazistët të orientohen në këto fusha.

Çuditemi kur shohim që ka shumë aplikime për infermierinë, por një në dhjetë të punësuar janë në fushën e shëndetit, pasi ka kërkesa për këto profesione në tregun ndërkombëtar.

Tregu gjerman kërkon afro 55 mijë të diplomuar në këto fusha dhe natyrisht nga Ballkani do t’i marrë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

 

Në Shqipëri ekziston ende një hendek i lartë ndërmjet arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës. Si mund t’i përafrojmë?

Në disa fusha do kemi mospërputhje midis numrit të atyre që diplomohen dhe thithjen e tyre në tregun e punës. Sepse tregu ynë i punës nuk është aq i strukturuar.

Dhe prirjet e zgjedhjeve të maturantëve kanë disa mesazhe.

Së pari, ata përpiqen të shmangin me çdo kusht degë që janë tërësisht në sektorin publik, sepse aty nuk funksionon parimi i meritokracisë dhe nuk janë komod për punonjësit.

Të rinjtë e kanë kuptuar mirë që sektori publik nuk të ofron ndonjë gjë në Shqipëri.

Ata zgjedhin profesione jashtë kushteve që kërkon sektori publik, militantizmi, ndikimi publik etj. Të jenë sa më të lirë nga këto ndikime dhe të paguhen mirë. Të kenë paga më të larta.

Pse zgjedhin degët në fushën e IT? Sepse e dinë që aty kanë punë me kompanitë private dhe këto biznese bazohen në performancë.

Ne kemi bërë një pyetësor për tregun e punës mes sektorit publik dhe atij privat, ku rezultoi se sektori privat ka një shkallë shumë të lartë pritshmërie.

Dhe bujqësia, që është sektori më i pastrukturuar në tregun e punës, kërkon nivel të lartë teknik profesional, nivel të lartë të zotërimit të gjuhëve të huaja, të teknologjisë dhe informacionit, si dhe aftësi të mira të komunikimit.

Shqipëria duhet të plotësojë standardet e cilësisë dhe produkteve ushqimore që kërkon BE-ja. Këtu dalin një sërë profesionesh – disa janë, të tjera do hapen.

Hallka lidhëse midis universitetit dhe tregut nuk është në nivelin e duhur, pasi ne nuk kemi impulse të tregut të punës në auditorët e universiteteve. Tregu privat i punës po avancon, po strukturoret. Sa më të mëdha bizneset, aq më shumë kualitete kërkojnë nga të punësuarit.

Universitetet duhet të analizojnë se përse nuk thithin studentët e vendit, pse po ikin për të studiuar jashtë. Kjo çështje ndonjëherë konsiderohet në një mënyrë shumë të thjeshtëzuar.

Ne duhet të kuptojmë që brenda grupit të maturantëve, çdo vit kemi një 10% të tyre që presin një ofertë ndërkombëtare, janë të gatshëm të studiojnë këtu, por me kushtin që diploma e tyre të jetë e mirëpritur për nivelin e saj në tregun jashtë.

Nuk duhet të harrojmë që ky brez dhe brezat e tjerë që do vijnë, do të përballen me tregun global të punës.

Ky grup studentësh mbahen këtu vetëm nëse ne u bëjmë ofertën dinjitoze në universitete. Problemi nuk janë tarifat në shkollë, ata duan cilësi dhe nuk qëndrojnë këtu nëse nuk e gjejnë.

Nuk është çështje patriotizmi.

Shembull janë argumentet e studentëve të mjekësisë. Ata thonë që oferta juaj (universitetit) nuk është aq cilësore dhe ne, nëse do të kishim mundësi, do të ishim larguar. Tregut të punës mund t’i përgjigjesh duke marrë pikërisht për bazë pritshmëritë që ka.

Studentët që diplomohen te ne nuk kanë as nivelin teorik të mjaftueshëm dhe niveli praktik është zero. P.sh., bankat duhet të mbajë një ekonomist në trajnim për afro një vit, dhe kjo nuk ka një logjikë.

A nevojitet një reformë në programet e studimit?

Kanë kaluar rreth dy dekada që janë hapur shumica e programeve, pra fillimi i zbatimit të Procesit të Bolonjës i takon vitit 2003 dhe u finalizua me ligjin e ri të 2007, kur u strukturuan të gjitha degët në bachelor dhe master.

Kanë kaluar gati dy dekada që kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme, në ekonomi, në teknologji dhe në shumë fusha, ndërsa universitetet vazhdojmë ende me programe të para 15-20 viteve më parë.

Çfarë kuptimi kanë më këto programe për tregun? Tregu kërkon një nivel shumë më të lartë. Nivel shumë i lartë do të thotë reformë rrënjësore e studimeve universitare. Më elementarja është se të gjithë e kanë vënë re dhe askush nuk e merr këtë nismë.

Rritja e nivelit teorik dhe praktik arrihet në nivelin bachelor duke u zgjeruar më pas në master. Nga profile shumë të ngushta bachelor duhet të ofrojnë një bazë shumë të gjerë formimi. Më pas ngre masterin, ku studenti ka marrë formim solid teorik në tre vitet e bachelor-it.

Kur shkojnë në master, studentët janë shumë më të orientuar. Kjo është gjëja më elementare nga duhet filluar, është urgjente për t’u bërë, sepse çdo ditë e më shumë raportohet për mbyllje programesh. Janë programe shumë të fragmentuara.

Marrim si shembull mësuesinë. Ky është një diskutim shumë i prapambetur për nga koherenca kohore, për këtë degë asnjë vend nuk përgatit mësues për një gjë. Vendi ynë ende nuk e ka kuptuar që mësuesi me kompetencë në një lëndë në Shqipëri nuk mund të punësohet më.

Mësuesi diplomohet minimumi për dy lëndë. Ku janë nxënësit sot? Nuk ka më shkolla me 40 nxënës, shumë pak janë deri në 20 më së shumti.

Si nga pikëpamja e menaxhimit, por edhe të formimit. Duhen formime në fusha të përafërta, kjo i shërben aspektit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe rritjes së nivelit teorik të mësuesve.

Të gjithë kemi folur për modelin e Finlandës, por asnjë nuk e ka zbatuar atë.

Mendoj se reforma akademike e përmbajtjes është urgjente për t’u bërë, për t’u parë jashtë kësaj praktikës së orëve të ngarkesës së pedagogëve. Kjo duhet bërë kështu, sepse ne kemi një sistem të vogël për nga numri i njerëzve të strukturës akademike.

Ne jemi më të vegjlit në Europë, pas nesh vjen vetëm Kosova për numrin e pedagogëve. Ekzistojnë premisat për të mbështetur financiarisht një politikë me prioritete të qarta, por arrihet me financim.

Koha është për të filluar një proces reformimi me një bazë tjetër, sepse nuk kemi më 150 mijë studentë, por diskutojmë që pas 10 vitesh të kemi 50 mijë gjithsej.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular