Nga Fatos Daci
Pas goditjeve të forta, më 1948, ndaj grupeve “armiqësore titiste”, në gjirin e lartë të udhëheqjes së Partisë Komuniste e të shtetit komunist, Koci Xoxes e kompani, jo vetëm nuk mund të bëhej fjalë për “muaj mjalti”, në marrëdhëniet mes Jugosllavisë e Shqipërisë, përkundrazi, situatë precipitoi në gjendje lufte. Shqipëria e shihte, tanimë Jugosllavinë, si agjenturë të imperializmit amerikan, si një kërcënim të rrezikshëm për sovranitetin e saj dhe si armike të betuar të marksizëm-leninizmit. Dhe, kohë pas kohe, e akuzonte atë për ndërhyrje në punët e brendshme të saj, me anë të agjenturave dhe veprimeve subversive të UDB-së. Ndërsa Jugosllavia, e shihte Shqipërinë si armike potenciale të saj, aq më shumë, kur dyshonte se Shqipëria; nxiste dhe trazirat “irredentiste” në Kosovë!
Dhe kjo periudhë lufte në front të hapur vazhdoi deri më 1971, kur u vendosën kontaktet kulturore dypalëshe të organizuara mbi bazën e marrëveshjeve të mirëfillta shtetërore. Këto marrëdhënie kulturore, arsimore dhe akademike, vazhduan plot 10 vjet, deri më 1981, kur plasën demonstratat e studentëve të Prishtinë, të punëtorëve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për liri e pavarësi. I pari kontakt kulturor qe ai i vizitave reciproke të gjimnazeve dhe të ansambleve folklorike, të Dibrës së Madhe dhe të qytetit të Peshkopisë, më 1971…!
Në përgjigje të kësaj vizite të Dibrës së Madhe, u takonte gjimnazit “Demir Gashi” të qytetit të Peshkopisë dhe Ansamblit të Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” të Peshkopisë, që me 23-25 qershor të atij viti, t’u kthenin vizitën. Po kjo nuk ishte e lehtë. Njerëzit “e rinj” të Shqipërisë Socialiste, do të shkonin në Jugosllavinë e Tito revizionistit! Prandaj, ky aktivitet, u konsiderua nga shteti komunist, si një gjë shumë e rëndësishme dhe për këtë u morën masa urgjente e të shumanshme.
Puna e parë që duhej zgjidhur pa bujë e pa zhurmë, ishte lista e atyre që do të shkonin. Normalisht duhej të shkonin të gjithë maturantët e gjimnazit dhe të gjithë anëtarët e ansamblit folklorik, por disa prej tyre, nuk përmbushnin kriteret klasore, nuk kishin besimin politik, prandaj nuk duhej të shkonin. Dhe këta u mënjanuan në mënyrë shumë të sofistikuar. Shteti komunist nuk shpalli as lista se kush do të shkonte e, të përjashtoheshin ata që nuk do të shkonin dhe as lista, se kush nuk do të shkonin
dhe të dilnin ata që do të shkonin.
Por, në Degën e Punëve të Brendshme të Dibrës, thirrën disa nxënës e nxënëse, që kishin prindërit e tyre anëtarë të PPSh-së dhe punonin në institucione të besuara dhe disa këngëtare e valltare me besim politik e ideologjik dhe i dhanë secilit lista me 5-6 veta, për t’i lajmëruar nën zë. Kjo mënyrë linte jashtë, me marifet e me lezet, ata që ishin të padëshiruar në këtë udhëtim. Ndër të përjashtuarit isha edhe unë, edhe pse një ndër nxënësit më të mirë dhe sekretar i Organizatës së Rinisë së klasës.
Prita më kot deri një ditë para, se mos më lajmëronte njeri, po jo. Isha përjashtuar, për “fajin” politik te babait tim, se kishte kryer studimet ushtarake në Romë, Itali dhe para çlirimit kishte shërbyer si oficer në Mbrojtjen Kufitare të Zogut dhe në Guardia di Finanza të Italisë, duke i mohuar kontributin në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në arsim si mësues, nga 23 dhjetori 1944, kur hapi shkollën në Kalis, deri në vitin 1953, kur u pushua nga puna në arsim për shkaqe politike dhe u dëbua në një rreth tjetër!
Prita e prita të më lajmëronin dhe mua, por jo. Ndaj vendosa të shkoja e t’i ankohesha, pse isha përjashtuar nga ky udhëtim, Selim Alliut, drejtorit tim të gjimnazit, një personaliteti të vërtetë shkencor e, drejtuesi nga më të spikaturit e Dibrës, më pas “Mësues i Popullit”, që sy e faqe, ishte caktuar si kryetar delegacioni, por në fakt në përbërje të këtij delegacioni, ishin tre zëvendësministra, si: i Arsimit, i Brendshmi dhe i Jashtmi.
Sa trokita në derën e zyrës së tij dhe hyra brenda, drejtor Selimi, më pyeti: “A erdhe, Fatos”?– Po.- i thash unë. – Bëju gati, nesër të nisesh!- më tha. As ai nuk më pyeti pse kisha shkuar, e as unë nuk i thash çfarë kërkoja, por biseda u bë drejt e në temë dhe ne u morëm vesh shumë mirë. Kjo më dha të kuptojë, se ai ishte në dijeni të përjashtimit tim nga ai udhëtim dhe se kjo gjë, mund të ishte diskutuar gjatë.
Lajmërova familjen time në Sllovë, se do të shkoja edhe unë. Prandaj, vëllai, Ibrahimi, ishte nisur në orën 12.00 të natës nga shtëpia dhe erdhi në mëngjes në Peshkopi, për të më sjell një kostum më të mire, se ai që kisha. Por, atëhere, qe vonë, sepse ishim ngjitur në autobus dhe prisnim të niseshim e, nuk kisha kohë të ndërroja rrobat. Sidoqoftë shkova edhe unë…!
Ishte hera e parë, që i gjithë ekipi prej dy autobusësh, udhëtonte jashtë shtetit. Nuk mund ta fshehim se sytë tanë të pangopur, u befasuan nga tregu i Dibrës së Madhe, me aq shumë mallra e aq shumë salltanete. Kështu bëmë edhe në Strugë, ku të gjithë turreshin edhe pas orëve false për fëmijë, pas rrobave të gatshme dhe pas orëve të vërteta, etj., etj. Pati dhe nga ata, që sedrën e lanë mënjanë dhe me marifete të ndryshme, nxisnin mikpritësit t’u dhuronin diçka. Kështu bënë nxënësit, kështu bënë profesorët tanë, kështu bënë dhe artistët e muzikantët. Ramë shumë poshtë, se poshtë ishim!
Çdo gjë atje, na dukej më e bukur, më interesante. Na bëhej se atje njerëzit, ishin më pak të lodhur, se ishin më të lumtur, se ishin tulak, bardhë si bora, të qeshur e më fytyrë të larë, që u ndriste. Pa le, burokratët e regjimit, qenë lodhur duke na dhënë porositë, se si të silleshim dhe ishin stërmunduar të na mbushnin mendjen, se ato që ne do të shihnim, nuk ishin të vërteta e jetës së andejme, sepse; “ata andej vetëm gratë lakuriq na paskëshin të tyret, se gjithçka tjetër, s’qenkesh e tyre, se çdo gjë na e paskëshin ndërtuar mbi bazën e një borxhi të madh, të kredive kapitaliste, që sillnin skllavëri politike”!
Por dielli nuk mbulohej me shoshë. Atje gjetëm plot mallra, plot makina. Tregu ishte dingas. Tek ne lamë pak mall, pak makina, vetëm për institucionet. Edhe pritja që na u bë, qe madhështore. Detyra jonë kryesore, ishte të jepnim disa shfaqje artistike me këngë e valle popullore, me rapsodi, etj., si dhe të vizitonim disa qendra industriale e kulturore. Koncertet u dhanë në Pallatin e Kulturës të Dibrës së Madhe, që ishte ndërtuar me ndihmat e tërmetit të fuqishëm, të vitit 1967.
Nuk mund të mos sjell ndërmend atë atmosferë të zjarrtë e patriotike, që ndiznin shfaqjet e grupit dibran të folklorit. Nga reagimi i dibranëve të andej kufirit, nuk ishte vështirë të kuptoje, se diçka ishte në shpërthim e sipër. Sa herë që këngëtarët e rapsodët tanë artikulonin fjalët “Atdhe”, “Flamur”, “Shqipëri”, “Skënderbe”, ”Liri”, “Pavarësi” etj., e të tjera të ngjashme me ta, salla shpërthente në ovacione dhe në vaj. Deti i lotëve, derdhej rrëke në atë sallë moderne shfaqjesh. Veçanërisht rapsodi Haziz Ndreu, e ngriti peshë sallën…!
Malli për Shqipërinë, shtetin amë, siç e quanin ata, u kishte kapluar zemrat e u kishte djegur shpirtin. Ndaj simbolet tona, ishin në zemrat e mendjet e tyre. Emrat e qyteteve tona, i kishin vënë tek djemtë e vajzat e tyre. Sytë i kishin nga ne, nga Shqipëria! Mjaft bukur kënduan edhe Abdyl Sturce, Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Skënder Cala, etj. Nuk mund të harrohen vallet e bukura, të luajtura nga Dali Hoxha e Misim Daku, si dhe valltarët e tjerë të grupit të valleve.
Ndër qendrat industriale që vizituam, ishin Fabrika e Qilimares dhe ‘Gips Radika’. Në të dyja na ra në sy disiplina e lartë në punë dhe habiteshim se sa shumë shfrytëzonin kohën e punës punëtorët e tyre, ndërkohë që në ndërmarrjet shqiptare, ndërprerjet e punës ishin gjë e rëndomtë…! Në lokale të qytetit, pamë plot monitor televizorësh me ngjyra, kur Shqipëria nuk kishte as sinjal televizioni shtetëror, jo më televizor në familje e lokale. Sa luks e sa gjë e jashtëzakonshme na u duk, kur e pamë të parin televizor me ngjyra, me ekran të madh, në një lokal, ku po fliste Tito!
Sa interesante na u duk një makinë korrëse e vogël, që kosiste jonxhën e një fermeri! Sa mbresëlënës qe udhëtimi me motoskaf, në Liqenin e Dibrës! Në anën e përtejme të tij, andej nga livadhet, pushuam dhe pimë kafe e gjëra freskuese, si: “Coca Cola”, “Pepsi”, etj., që s’na i kishin parë sytë e, s’u kishim dëgjuar as emrat, se ne njihnim vetëm arançatën shtatë lekëshe. Ndërsa, tek Lokali “Cami”, i Dan Camit, u shtrua një darkë e bollshme dhe bujare nga mikpritësit. Aty u ngritën dhe dolli dhe u thanë fjalë miqësie. Por, gjithkund u ruheshim “revizionistëve”.
Çdo fjalë e tyre duhej analizuar e shoshitur me kujdes, se mos ishin provokime dhe pastaj përgjigjeshim. Kështu ndodhi edhe në Sollokic, në familjen e burrit të nderuar Shaban Daci, që ishte mikpritësi im dhe i Maliq Dumanit. Gruaja e Shabanit, ishte halla e Maliqit, motra e të nderuarit Rasim Dumani, nga Shupenza. Por, as halla nuk e kishte parë Maliqin 20 -vjeçar deri atë ditë, e as ai hallën, sepse kufijtë ishin mbyllur hermetikisht më 1948-ën, edhe pse Shupenza me Sollokicin ishin ballë përballë, jo më shumë se 2-3 kilometra larg, por kufiri qe bërë derë hekuri, për dy palët.
Kur shkuam te Shaban Daci, kishte dalë tërë fshati të na priste. Dhoma, ku hymë, qe mbushur plot. Unë, si me jabanxhiu, zura kryet e vendit. Ne rrinim si në “ferra”, sepse nuk njihnim asnjë njeri nga ata dhe se nuk dinim as zakonet e tyre. Pastaj ishim fare të rinj, pa përvojë në oda e në zijafetet. Por, këtë gajle na e hoqi Shabani, i zoti i shtëpisë. “Ky këtu është zoti Velko, shefi i UDB-së”! – drejtoi gishtin nga një burrë verdhacuk e hollak. Tjetri s’e deshi veten.
“Dhe ky këtu është oficer i UDB-së”! – drejtoi gishtin dhe nga ai. Dhe këtu mori fund muhabeti ynë. As folëm e, as iu përgjigjem kujt, megjithëse pyetjet vazhduan dhe pas këtij prezantimi. As pimë raki, birrë e verë, të cilat ishin me bollëk. Po, bukë hëngrëm sa deshëm, se ishim të rinj dhe ishim lodhur, gjithë ditën në këmbë, vizitë këtu, e vizitë atje. Unë hëngra dhe një kokë dashi, sa një kokë demi.
Shabani na tregoi se në bjeshkët e Kërçinit, kishte rreth katërqind krerë dele dhe barinjtë, që rrinin në stan me to. Na bëri përshtypje se edhe ëmbëlsirën andej, e hanin me shëndete, si pihet rakia këndej nga ne. P.sh., ato ditë ishte liruar nga shërbimi ushtarak, djali i Shabanit, nipi i Rasim Dumanit, dhe u detyruam të hanim racione ëmbëlsire, për shëndetin e tij. Çudia e dytë ishte, se pas bakllavasë, na erdhi sultiashi! Sidoqoftë, mikpritja qe shembullore dhe u kënaqëm të dy palët…!
Kur u nisëm për në Dibër të Madhe, na thanë se do të shkonim në Tetove, Gostivar, Shkup dhe Prishtinë dhe se do të rrinim andej rreth 10-15 ditë. Por plani ndryshoi shumë shpejt. Sa e panë se ne e humbëm toruan nga malli nëpër këmbë, nga mirëqenia që bënte dallim me tonën, vendosën që të na kthenin për tre ditë, dhe kështu shkuam më 23 dhe u kthyem në Dibër më 25 qershor 1971. Megjithatë, me bashkëmoshatarë gjimnazistë shkëmbyem edhe adresat.
Edhe unë i mora adresën një gjimnazisti, me sa më kujtohet Faik Ballancës, dhe ai mori timen. Madje, kur u ktheva i dërgova një letër, prej të cilës nuk mora asnjëherë përgjigje, se asnjëherë letra, nuk kishte shkuar atje ku e nisa. Letra, me siguri që mbajtur në Degë të Brendshme, praktikë e njohur në Shqipëri, për të shmangur me çdo kusht kontaktet e komunikimin me të huajt dhe për të “shpëtuar” njerëzinë, nga “infektimi borgjezo revizionist”.
Ndaj, shpesh herë, dukej se në çdo shkurre flinte një “lepur”, një diversant. Jam habitur, kur para pak vitesh, tani në demokraci, Maliqi më tregoi se atë vit që qemë kthyer nga Jugosllavia, e kishin thirrur disa herë në Degë të Punëve të Brendshme, ku i kishin bërë provokime dhe presion psikologjik, duke i treguar fotot në familjen e Shaban Dacit, në të cilat kishin vënë gishtin, tek dy oficerët e UDB-së dhe mbi një të arratisur, për të cilët as ai e unë, nuk kishim përgjegjësinë me të vogël. Por, shyqyr, nuk kishin mundur ta dënonin…!
Dhe pak gjëra, dhurata, i morën nxënësit, profesorët e artistët. Kur erdhëm në doganë, mësuesi im i marksizmit, L. Manjani, m’u lut t’i kaloja një orë të markës “Darvill”. Dhe një orë ishte gjë e rëndësishme për ne, sepse ata të pakët që kishin orë, i kishin orë të lira, dosido, të markave “Ruhla” e “Umf” të Gjermanisë Lindore. Unë e mora përsipër t’ia kaloja, se nuk kisha as vetë orë në dorë. Dhe, e kalova pa rënë në sy. E mbajta rreth një muaj, pastaj ia dhashë mësuesit tim.
Po gjërat e tjera, që kishin marrë të tjerët, kishin rënë në sy te autoriteteve shtetërore dhe të Sigurimit të Shtetit. Filluan analizat në organizatat e Partisë për komunistët dhe në kolektiva për punonjësit e kuadrot. Filluan ndëshkimet për të gjithë ata që kishin shkelur normat e moralit komunist! Profesorë dhe komunistë morën vërejtje në Parti, si dhe paralajmërim për pushim nga puna, disa të tjerë u transferuan në kooperativa bujqësore, për t’u kalitur e edukuar me frymën e klasës punëtore! Eh, si shkoi kjo punë…?! Memorie.al