BallinaKryesoreZëri i Amerikës: Berisha shpërfill vendimin e Gjykatës, nuk paraqitet në Policinë...

Zëri i Amerikës: Berisha shpërfill vendimin e Gjykatës, nuk paraqitet në Policinë gjyqësore

spot_img
spot_img

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha shpërfilli sot vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sipas të cilit ai do të duhej të paraqitej pranë një oficeri të Policisë gjyqësore. Në kuadër të hetimeve ndaj procedurave për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “Ndalimin për të dalë jashtë vendit”.

Në orën 10.00 kur do të duhej të paraqitej në Policinë gjyqësore, zoti Berisha u shfaq në dyert e parlamentit. Ai tha se nuk kishte asnjë njoftim për vendimin e Gjykatës, i cili sipas tij “duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës”.

Pavarësisht se zoti Berisha ka bërë ankimim ndaj vendimit të Gjykatës, ai ka mbështetur që në fillim idenë se sipas tij, masat e sigurisë janë në shkelje të Kushtetutës, dhe se për to do të duhej që të ishte kërkuar autorizim nga parlamenti. “Nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën”, deklaroi sot ai. Pritet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës ndaj refuzimit të ish kryeministrit për të zbatuar vendimin e saj. Kodi i Procedurës Penale parashikon që në një rast të tillë “Gjykata mund të vendoië një masë tjetër më të rëndë”. Në një rast të tillë, Prokurorisë do t’i duhej në mënyrë të pashmangshme që t’i kërkonte autorizim parlamentit, duke qenë se masa tjetër më e ashpër, do të ishte “arresti në shtëpi”

Ndaj zotit Berisha nuk ka një akuzë. Ai dyshohet për “Korrupsion” në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili është arrestuar. Me masë sigurie dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me të cilin Malltezi ishte ortak në ndërtimin e një kompleksi pallatesh mbi truallin e ish klubit Partizani.

 

 

Tensione në dyert e parlamentit, nuk lejohet të hyjnë deputetët e përjashtuar të opozitës

Ndërsa duhet të përballet me Drejtësinë, zoti Berisha dhe deputetët që e mbështesin kanë nisur protesta në parlament kundër shumicës të cilën e akuzojnë se po u refuzon të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore dhe se po përpiqet të përcaktojë përfaqësuesin e opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore. Deputetët e Rithemelit, të cilëve u është bashkuar dhe grupi i përkrahësve të zotit Gazmend Bardhi, kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillimin normal të aktivitetit të parlamentit, derisa të plotësohen të drejtat e tyre. Dy seancat e fundit janë shoqëruar me përplasje në sallë, ndërkohë që një pjesë e Komisioneve parlamentare kanë nisur të zhvillojnë punimet e tyre online.

Tensione të forta u shfaqën dhe sot, kur deputetëve të opozitës të cilët ishin përjashtuar për shkak të konflikteve në seancën e fundit, iu ndalua hyrja në godinën e parlamentit. Për minuta të tëra dera kryesore mbeti e mbyllur dhe për deputetët e tjerë, ndaj të cilëve nuk kishte sanksione. Masa e përjashtimit, parashikon mospjesmarrjen e deputetit në seancat plenare apo në punimet e komisioneve parlamentare. Deri më tani nuk është verifikuar ndonjë rast, kur deputetit t’i ndalohet dhe hyrja në zyrat e parlamentit, dhe për këtë nuk ka ndonjë shpjegim nga drejtuesit e parlamentit. Një pjesë e deputetëve, të cilëve iu ishte ndaluar hyrja, arritën të futeshin më pas brenda, nga dritaret e katit të parë, për t’u bashkuar me pjesën tjetër në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular