Milicitë e mbështetura nga Irani nuk duket se po tërhiqen megjithë sulmin ajror amerikan që mendohet se shkatërroi një depo të rëndësishme armatimesh në Sirinë lindore.
Pentagoni e përshëndeti të enjten si të suksesshëm sulmin ajror të bërë gjatë orëve të vona të së mërkurës nga dy avionë luftarakë F-15, që shkaktoi edhe shpërthime të njëpasnjëshme në depon e armatimit. Por, zyrtarët amerikanë gjithashtu pranuan se të paktën për momentin, nuk është arritur ngadalësimi i sulmeve nga milicitë e mbështetura nga Irani ndaj forcave amerikane që gjenden në rajon.
Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës të enjten se pas sulmit ajror amerikan, milicitë e mbështetura nga Irani bënë katër sulme me dronë dhe me raketa ndaj forcave dhe bazave amerikane – tre prej tyre ndodhën në Siri dhe një në Irak.
Njëri nga sulmet u bë të mërkurën vonë ndaj një objekti amerikan në zonën e sigurtë në Siri dhe plagosi tre ushtarakë.
Zyrtarët thanë se dy nga të plagosurit u diagnostikuan me lëndime traumatike të trurit, por se asnjë nga lëndimet nuk ishte serioz dhe se të tre u rikthyen në detyrë.
Zyrtarët thanë gjithashtu se asnjë nga sulmet me dronë dhe raketa nuk shkaktoi ndonjë dëm në infrastrukturën amerikane.
“Këto sulme kanë qenë përgjithësisht të pasuksesshme”, u tha gazetarëve të enjten zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.
“Fatmirësisht, asnjë nga ushtarakët tanë nuk është lënduar rëndë dhe as infrastruktura në bazat që janë vënë në objektiv; nuk kemi pësuar dëme të konsiderueshme”, shtoi ajo.
Bazat dhe objektet amerikane janë sulmuar të paktën 46 herë që kur milicitë e mbështetur nga Irani filluan të sulmojnë forcat amerikane në Irak dhe Siri muajin e kaluar, në shenjë mbështetjeje për Hamasin në luftën e tij kundër Izraelit.
Që nga 17 tetori, gjithsej 56 ushtarakë amerikanë janë plagosur, me 25 të diagnostikuar me goditje traumatike në tru si rezultat i shpërthimeve nga raketat apo dronët. Megjithatë, Pentagoni tha se të gjitha lëndimet ishin të lehta dhe se të gjithë ushtarakët e dëmtuar janë rikthyer në detyrë.
Zyrtarët e Pentagonit gjithashtu vënë në dukje se shumica e lëndimeve u shkaktuan përpara se Shtetet e Bashkuara të bënin sulmet e para vetëmbrojtëse më 26 tetor, ndaj dy depove të armëve në Siri të përdorura nga grupe të mbështetura nga Irani.
Sulmi i së mërkurës ishte ndaj një objekti më të madh të ruajtjes së armëve në provincën Deir el-Zour të Sirisë që i përkiste Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Zyrtarët amerikanë thonë se nga ky objekt ishin marrë nga disa nga grupet e lidhura me Iranin, raketat dhe materialet e tjera që u përdorën për të bërë sulmet ndaj forcave amerikane.
Zyrtarët e Pentagonit shprehën të enjten optimizmin se operacioni do të ketë efektin e synuar.
“E dimë se ka pasur shpërthime dytësore. Dimë se objekti është dëmtuar ndjeshëm,” tha zonja Singh. “Ndihemi të sigurt se arritëm të degradojmë aftësitë e tyre”.
“Nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për ta bërë këtë në një kohë dhe vend që e zgjedhim ne”, shtoi ajo.
Përfshirja e huthive
Pentagoni gjithashtu konfirmoi zyrtarisht të enjten se rebelët houthi të mbështetur nga Irani në Jemen arritën të rrëzojnë një dron amerikan që fluturonte mbi Detin e Kuq.