BallinaOP EDEqrem Çabej, model i metodës kërkimore në studimet gjuhësore të shqipes

Eqrem Çabej, model i metodës kërkimore në studimet gjuhësore të shqipes

SHEZAI RROKAJ

Eqrem Çabej, njëri prej emrave më të shquar të gjuhësisë shqiptare të shekullit të XX, është pa dyshim një monument kulture me një vend të veçantë në panteonin e saj, të cilit i përulemi sot me respekt e nderim. Shumëkush do t’ia kishte zili veprën e larmishme në fushë të etimologjisë, të fonetikës e të gramatikës historike, të dialektologjisë historike, të studimit të Autorëve të Vjetër, të shqipes së sotme standarde e të raportit të saj me dialektet e deri tek studimi i letërsisë e folklorit.

Duke e vështruar gjuhën si një nga shfaqjet më të rëndësishme të jetës së popullit, ai e studioi atë në funksion të ndriçimit dhe të zgjidhjes së problemeve themelore të historisë dhe të kulturës kombëtare. Këtë studim ai e mbështeti në elementet e tjerë etnokulturorë, në zhvillimin e tyre historik si dhe në kontaktet gjuhësore dhe kulturore me popujt e tjerë. Çabej kërkonte rrënjët e fjalëve për të provuar ‘themelet’ e kombit; ai do të studionte marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera për të shpjeguar ndryshesat që vijnë nga gjuhët dhe kulturat në kontakt. Çabej, pohon S. Mansaku, është njëri nga gjuhëtarët e parë shqiptarë që përvetësoi, zbatoi në mënyrë krijuese në pajtim me veçoritë dhe rrethanat e shqipes dhe integroi në mënyrë të natyrshme në gjuhësinë historike shqiptare parimet teorike, metodat dhe kërkesat e shkencës gjuhësore të kohës.

Një ndër to është edhe metodologjia që përdor krahasimin sistematik të formave gjuhësore si parim studimi dhe njëkohësisht si mjet për rindërtimin historik të marrëdhënieve midis gjuhëve, siç ai shprehet qartë në Deutsche Grammatik-ën e J.Grimm-it (1918-1922). Lidhur me metodën e zbatuar nga Çabej në studimet diakronike Demiraj shprehet se si në studimet etimologjike ashtu edhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, ai është mbështetur në parimin që, duke u nisur nga faza e dokumentuar e shqipes dhe duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Nga ana tjetër, përkundër mjaft studiuesve të huaj (përjashto ndonjë rast si Jokli), të cilët niseshin në studimet etimologjike, historike, dialektore a filologjike të leksikut nga gjuhët e tjera për të mbërritur tek shqipja, Çabej u nis prej njohjes dhe përshkrimit të thellë të shqipes për të dalë e për t’u krahasuar me gjuhët e tjera.

Çabej ishte mjaft rigoroz në punën studimore. Ai shprehet se “kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë vite me radhë me studimin e vërtetë të saj… Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga diletantizmi. Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish”. Nga shkolla e Gramatikanëve të rinj Çabeji mori arritjet në fonetikën e krahasuar, sidomos metodën e rreptë shkencore që ata zbatuan lidhur me veprimin e ligjeve fonetike të gjuhës, për ta zbatuar në fonetikën historike dhe në studimet etimologjike në fushë të shqipes. Nga shkolla e Fjalëve dhe Sendeve (Schuchardt) ai mori parimin e njohur të studimit të historisë së fjalëve bashkë me historinë e sendeve. Historia e gjuhës shqipe do të studiohej e lidhur ngushtë me historinë e kulturës së institucioneve dhe etnicitetin e popullit.

Ky parim gjeti zbatim sidomos te vepra e tij madhore “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Kjo është edhe vepra madhore e Çabejt: plot 7 vëllime me mbi 4000 fjalë. Në këtë vepër studimi fonetik, gramatikor e semantik i fjalëve të gjuhës shihet i lidhur me elementet e kulturës materiale e shpirtërore të bartësve të saj. Objekt i analizës janë fjalët, të cilat studiohen për nga përhapja e tyre në të shkuarën dhe në të tashmen, vendi i formimit të tyre, zhvillimi i tyre i brendshëm, aftësitë fjalëformuese, zgjerimi a ngushtimi i kuptimit, ndryshimi formal, zhdukja, zëvendësimi me fjalë të tjera etj. Një vend të posaçëm në metodën e tij të studimit zë edhe qëndrimi i tij lidhur me grupimin e fjalëve në fond të trashëguar dhe fond të huazuar, duke iu dhënë përgjigje disa gjuhëtarëve (sidomos Majerit), që e shihnin shqipen si një gjuhë gati të romanizuar. Ai shtron tezën se si për fjalët me burim vendës ashtu edhe për ato të huazuara duhet të mbahet parasysh përhapja e tyre dhe denduria e përdorimit dhe se prania e elementit vendës dhe atij të huaj tregojnë “në një anë shkallën e ndikimit të huaj mbi shqipen, më anë tjetër shkallën e rezistencës së kësaj gjuhe”.

Nëpërmjet një analizë statistikore, ai tregon se fondi me burim vendës është më i pasur se ai i huazuar. Një nga kërkesat bazë të metodës së tij në studimin e etimologjisë së fjalës ishte respektimi rigoroz i ligjësive fonetike, morfologjike, fjalëformuese e semantike, që historikisht kanë vepruar mbi gjuhën shqipe e në gjuhët në kontakt. Zbulimi i këtyre ligjësive mundësoi rindërtimin e mjaft trajtave të hershme. Nga ana tjetër, krahasimi i brendshëm u pa i lidhur ngushtë me faktorët jashtëgjuhësorë të përmendur më lart.

Zbatimi i parimeve shkencore të fonetikës dhe gramatikës historike do të hidhte dritë për një varg çështjesh që ai studioi si: evolucioni i sistemit zanor e bashkëtingëllor të shqipes, posaçërisht në lidhje me theksin, gjatësinë, dukurinë e metafonisë, hundorësinë, diftongjet, zanoren ë të patheksuar, bashkëtingëlloret grykore, grupet e vjetra të bashkëtingëlloreve nt, ng, nd, dhe mbi disa dukuri të tjera morfonologjike, si: ai i nyjave, i shumësit të singularizuar, gjinisë asnjanëse etj. Veçanërisht, çështja e prejardhjes së fjalëve dhe afria e tyre gjuhësore në faza të ndryshme të evolucionit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen kombëtare dhe autoktoneitetin e saj. Sipas kësaj qasjeje, shqipja e sotme ruan me konservatizëm ashtin e lashtë të substratit: gjuha dhe etnosi i këtij populli janë në vazhdimësi të atdheut të parëve të shqiptarëve dhe të territorit të tyre. Evolucioni organik i gjuhës është bërë në lidhje të ngushtë me evolucionin e kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, duke e parë këtë mekanizëm në shtrirjen e tij kohore e hapësinore.

Një vend të posaçëm në studimet etimologjike zë onomastika. Te jeta e toponimeve, në shfaqjen e trajtave të tyre, fotografohet jeta e moçme e etnisë dhe autoktoneiteti i saj. Ndryshe nga fjalësi tjetër i gjuhës, i cili ndryshon në faza të caktuara të zhvillimit, emrat e toponimeve nga vetë natyra e tyre janë më të ngurtësuara; kësisoj më jetëgjata dhe përbëjnë dëshminë më të besueshme që shqiptarët janë të ngulitur qysh në krye të herës e vazhdojnë të jenë në këtë truall nga mot e deri sot. Onomastika dëshmon edhe për pjesën tjetër të leksikut të përgjithshëm i cili, në fakt, është më i hapur ndaj ndryshimit.

Çabej pohon se “materiali onomastik përbën në një farë vështrimi një pjesë të pashkruar dhe me këtë edhe një pasurim të leksikut, një rëndësi dyfishe për një gjuhë me traditë relativisht të vonë shkrimi, siç është shqipja”. Me anën e shembujve të shumtë, ai argumenton se emrat e mjaft viseve kanë ruajtur trajtën e vjetër ilire. Për vetë natyrën e kësaj dukurie, studimi i tyre është bërë me një metodologji studimore komplekse, e cila gërsheton metodat gjuhësore, historike, gjeografike, etnografike etj. Etimologjia çabejane është në fakt historia e gjuhës shqipe, e cila përkthehet në histori të popullit dhe historia e popullit orienton drejt përcaktimit të gjenezës, të substratit dhe të autoktoneitetit. Ai iu përmbajt tezës së prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe të autoktonisë së shqiptarëve, duke u mbështetur në argumente brendagjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Çështja e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe nuk është çështje thjeshtgjuhësore.

Vërtetimi i saj lidhet ngushtë me një kompleks problemesh historike, arkeologjike dhe etnografike, pasi gjuhët nuk janë entitete që jetojnë të izoluara, “se historia e gjuhëve në thelb është pasqyrë e historisë së popujve e kulturave”. Çështje themelore si: prejardhja kësaj gjuhe ballkanike, vendi ku është folur qysh në krye të herës, pozicioni i saj në raport me gjuhët i-e dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët ballbanike do të përbënin ndër drejtimet kryesore të orientimit të metodës kërkimore çabejane. Ndryshe nga disa studiues të drejtimeve të ndryshme, që origjinën e shqipes e lidhnin me burimin trak apo me dokomizishten ballkanike, krahas edhe shumë gjuhëtarë të huaj, Çabeji i përmbahet tezës së prejardhjes ilire të shqipes.

Për një varg çështjesh të shtruara nga ithtarët e tezës joilire si: evolucioni i toponimeve të vjetra vendase, mungesa e termave të lundrimit në gjuhë, mospërmendja e shqiptarëve para shekullit të XI të erës sonë, lidhjet e hershme mes shqipes e rumanishtes, mungesa e pretenduar e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja, Çabeji në punimet e tij provoi me argumente të tjera shkencore, krahas atyre që ishin hedhur, se gjuha shqipe e ka origjinën nga ilirishtja. Kjo tezë deri sot ka gjetur edhe shtrirjen më të gjerë ndër studiues vendës dhe të huaj. E rëndësishme është të theksohet se, përpos një hulumtimi tipik për një shkencë të veçantë, i cili u përmbahet disa parimeve, si: objekti, metoda dhe ligjet ad hoc, studimet çabejane u mbështetën në një tërësi të ndërthurur argumentesh, që buronin e mbështeteshin në mënyrë të ndërsjellë nga fusha të shkencave të ndryshme, si: gjuhësia, gjeografia, historia, kultura, onomastika, etnologjia, njëjtë si një filozofi kundrimi të një mozaiku shumëngjyrësh brenda një entiteti homogjen.

Metoda e tij ishte tërësisht historike e krahasuese, sepse ajo i përmbahet sa zhvillimit të brendshëm të shqipes pra, fazave të evolucionit të saj, gjithaq edhe krahasimit me gjuhët në kontakt gjeografik e historik, lidhjes gjuhësore ballkanike a marrëdhënieve brenda familjes së gjuhëve me prejardhje nga i njëjti trung indoevropian. Parimet metodologjike të neolinguistikës janë një tjetër burim i rëndësishëm në veprën e Çabejit. Që prej botimit të Atlas Gjuhësor i Gjermanisë Veriore më 1881 nga Georg Wenker, filloi një qasje e re në këndvështrimin metodologjik të gjuhësisë areale e, në veçanti, të dialektologjisë, e cila do të merrte formë më të plotë në veprën e Jules Gilliéron Atlas Linguistique de la France (1902- 1912). Parimi që u vu re ishte se shpërndarja në territor e tipareve fonetike nuk duket përherë e rregullt dhe homogjene; shpeshherë fjalët ndikohen edhe nga faktorë të tjerë si etimologjia popullore e homofonia.

Areali i përhapjes së fjalëve, përcaktimi i kufijve dialektorë dhe i të folmeve brenda vetë gjuhës nga njëra anë dhe i vetë gjuhës në raport me gjuhët e tjera brenda arealit indoevropian, nga ana tjetër, janë disa nga zbatimet metodologjike të kërkimeve çabejane. Këtë gjë e vëmë re sidomos në përgatitjen e Atlasit Gjuhësor, një ide kjo e hedhur qysh më 1929 nga Bartoli, e cila u mor më vonë nga Taliavini. Çabeji ishte anëtar i Komisionit ad hoc për hartimin e atlasit dilektologjik të shqipes (1942), i cili hartoi një pyetësor me 2578 pyetje (në të dyja gjuhët), që rroknin një tematikë të gjerë të veprimtarisë njerëzore. Kjo punë përgatitore nuk mundi të kurorëzohej për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe të pasojave që ajo solli në vendin tonë e më gjerë. Metoda e tij është e rëndësishme edhe në fushën filologjike. Studimi i Autorëve të Vjetër lidhej jo vetëm me njohjen e tyre, por edhe për të rindërtuar fazat sinkronike të një evolucioni në rrafshin fonetik, gramatikor e leksikor që ka pësuar gjuha shqipe përgjatë zhvillimit të saj.

Të folmet arkaike do të përbënin edhe brumin, që ai do të shfrytëzonte për të ndërtuar etimologjinë e fjalëve të gjuhës shqipe, duke përcaktuar prejardhjen e saj si dhe për të studiuar ligjësitë fonetikore, gramatikore, fjalëformuese e semantikore. Me rëndësi nga pikëpamja e metodës së përdorur është transliterimi dhe transkribimi i Mesharit, si dhe një studim i plotë në Hyrje, një punë e vyer prej më shumë se dy dekada. Çabeji arrin në përfundimin se Meshari nuk duket se është vepra e parë e shkruar në shqip, pasi ai na paraqitet me një ortografi tashmë të ngulitur. Sipas autorit, kjo vepër dëshmon se ka pasur qysh në Mesjetën e vonë një traditë letrare liturgjike me një ortografi pak a shumë të kristalizuar. Mbështetur dhe në studimin e gjuhës së Pjetër Budit, autori arrin në përfundimin se gjuha e Shkrimtarëve të Vjetër dëshmon për ekzistencën e një koineje.

Ai është i mendimit se pavarësisht nga prejardhja dialektore, këta shkrimtarë u ngritën në një gjuhë shkrimi mbidialektore. Këtë gjë e dëshmon edhe fakti i përkthimit të kësaj vepre për gati dhjetë muaj. Kjo vepër hodhi edhe themelin e traditës së shkruar, nga do të fillonte edhe historia e gjuhës së shkruar, duke u kthyer në monumentin më të madh kulturor të shqiptarëve. Çabeji u mbështet edhe në parimet teorike të gjuhësisë së përgjithshme, në koncepte të tilla si sistemi, struktura, karakteri funksional i gjuhës, raportet standard/dialekt, raportet gjuhë/mjedis shoqëror, gjuhë/etni, parimet leksikologjike e leksikografike për hartimin e fjalorit të ‘54-ës, parimet fonetike e grafike të Kongresit të Drejtshkrimit të 1972.

Qëndrimi i tij për standardin e shqipes ka pasur si kusht mbledhjen më së pari të materialit të gjuhës së gjallë e sidomos njohjen e studimin e tij në tërësinë e rrafsheve gjuhësore dhe të arealit të shpërndarjes së tij. Më pas mund të flitej për përzgjedhjen e një koineje të standardit, një normë të standardit etj. Megjithatë, ai ishte i palëkundur për domosdoshmërinë e një standardi në kushtet e funksionimit dhe të epërsisë politike të shtetit të njësuar.

Ndër parimet metodologjike të formimit të gjuhës standarde ai do të përmendte thjeshtimin e strukturës fonetikore e gramatikore si dhe pasurimin e leksikut, konvergjencën në rregullat e drejtshkrimit si dhe mbështetjen në gjuhën e gjallë të popullit, nga do të dalin edhe rregullat e përdorimit. Megjithatë, për çështjen e gjuhës së përbashkët letrare, Çabej fillimisht ka qenë mbështetës i tezës së Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila e shihte bazën e standardit në pikëtakimin midis gegërishtes dhe toskërishtes, pra Shqipëria e Mesme. Më vonë ai do t’i bashkohej mendimit që doli nga Kongresi i Drejtshkrimit. Parimi që shpreh Çabej është se ky standard “paraqet një realitet dhe njëkohësisht rezultatin e një farë abstrakcioni të formuar gjatë kohës, në mënyrë që nuk përputhet krejt me një dialekt territorial të caktuar, as edhe me dialektin që përbën bazën e saj…”.

Nga ana tjetër, Çabej theksonte domosdoshmërinë e mbështetjes në traditën e mirë për një gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe të bukur, larg ndikimit të fjalëve të huaja. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është tregues i nivelit të kësaj kulture, thotë ai.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular