Ndeshja e prapambetur e Grupit I për kualifikueset e europianit “Gjermani 2024” do të luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për shkak të situatës nga vjen skuadra izraelite, nga lufta që ka shpërthyer në Lindjen e Mesme, ndeshja do të luhet nën masa të rrepta sigurie.
Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që sot të bëjnë zgjidhje alternative të parkimit apo të shfrytëzojnë transportin publik nga Trafiku Urban, pasi për shkak të ndeshjes së futbollit mes Kosovës e Izraelit, parkingu në rrugën “Dritan Hoxha” do të jetë i mbyllur sipas kërkesës së Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe aktorët relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje të ndeshjes Kosova-Izraeli, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
“Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm. Bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë me FFK-në dhe të gjithë aktorët relevantë, si dhe bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim:
Sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike, shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj. mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në njoftim.
Shtimi i masave të mbikëqyrjes dhe kontrollit të trafikut, me qëllim të rrjedhjes normale dhe sa më të mirë të pjesëmarrësve në trafik, përfshirë riorientimin e trafikut përgjatë kalimit të eskortave, ku do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit, andaj kërkohet mirëkuptim i plotë nga qytetarët
“Rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve. Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse etj. Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta kërkohet që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara duke përfshirë:
Hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 18:00, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët, për shkak të shmangies së tollovive dhe krijimit të qasjes më të lehtë dhe të shpejtë në stadium. Kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, përderisa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e stadiumit. Veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë (me përjashtim të veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP).
Ndërsa gjërat e palejuara përfshijnë: Mjetet piroteknike, Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë, Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë, Pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh), ombrella, armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.), kamera profesionale dhe video kamera, çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.
Përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe aktorëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe njëherësh kërkon të respektojnë maksimalisht rregullat e parapara, në të kundërtën mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet ligjore.
PANORAMASPORT.AL