BallinaRajoniStoltenberg viziton rajonin mes paralajmërimeve se Rusia synon të nxisë konflikt! Zbardhet...

Stoltenberg viziton rajonin mes paralajmërimeve se Rusia synon të nxisë konflikt! Zbardhet axhenda e shefit të NATO-s në Kosovë

spot_img
spot_img

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 20 nëntor qëndron në Kosovë, në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit, ku shefi i aleancës ushtarake perëndimore do të zhvillojë takime në krerët e shteteve.

Sipas agjendës, në Kosovë shefi i NATO-s do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas një sulmi të armatosur në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serbësh.

Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar së fundi ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, pesë ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor

Për çështjen e fundit, Bashkimi Evropian është pajtuar me presidentin Volodymyr Zelensky, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.

Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, ka folur më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.

Stotelberg do të qëndrojë në Kosovë, shtet ku aleanca ushtarake ka mbi 4.600 trupa. Kosova për një kohë të gjatë ka thënë se ka dy qëllime strategjike sa u përket integrimeve euroatlantike: anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, për aspiratën e fundit, fillimisht ka kërkuar që të pranohet në Programin e Partneritetit të Paqes.

Por, integrimet euroatlantike të Kosovës shpesh është thënë se do të kalojnë përmes dialogut për normalizim që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Megjithatë, në këto dy institucione në të cilat Kosova mëton të anëtarësohet, ka shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e shpallur më 2008.

Qëndrimi i NATO-s për Kosovën

NATO përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit – ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serb – Stoltenberg kërkoi nga të dyja palët që të përmbahen nga nxitja e tensioneve dhe të kthehen menjëherë në dialog.

Për shkak të situatës së tensionuar pas sulmit në Banjskë, NATO mori vendim që të rrisë praninë e saj ushtarake, në kuadër të misionit të KFOR.

Ky mision është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur shtimin e pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it, por ai ka theksuar se nuk ka nevojë për një angazhim më aktiv të kësaj force në territorin e Kosovës.

“Ata janë të nevojshëm për siguri dhe mbrojtje.. dhe kështu do të mbetet. Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë KFOR-in reagues të parë”, ka deklaruar Kurti më 25 tetor.

Por, kryeministri kosovar ka kërkuar që trupat shtesë të KFOR-it të “koncentrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që nga fundi i majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë të kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e prillit, votime që u bojkotuan nga serbët.

Më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas konfrontimit me protestuesit në Zveçan. Pas dhunës, Stoltenberg e cilësoi atë të papranueshëm dhe tha se dhuna e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin dhe vë në rrezik aspiratat euroatlantike.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë, por edhe më pas në Serbi, vjen në kohën kur të dyja shteteve u është dorëzuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar, që po kërkon që Asociacioni të themelohet, ka thënë se ai është një model modern evropian për Asociacionin. Kurti ka thënë se është i gatshëm ta pranojë dhe nënshkruajë këtë draft-statut.

Kosova sytë kah Partneriteti për Paqe

Sa u përket aspiratave euroatlantike, Kosova ka shprehur dëshirën e saj që një ditë të jetë anëtare e NATO-s. Por, para se të ndodhë kjo, Prishtina ka kërkuar që të bashkohet në Programin e aleancës për Partneritet për Paqe.

Qeveria e Kosovës veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në këtë program.

Presidentja Osmani shpesh e ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është parakusht për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Osmani madje i ka kërkuar ndihmë Shteteve të Bashkuara për përfshirjen në Partneritetin për Paqe dhe eventualisht në NATO. Uashingtoni i ka premtuar Kosovës mbështetje për integrimet euroatlantike.

Kryeministri Kurti, në një plan të propozuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më herët gjatë vitit – ka përmendur Programin e Partneritetit për Paqe.

Kurti ka propozuar që të ndërmerren hapa për anëtarësimin e Kosovës në BE, në mekanizma të tjerë evropianë dhe “nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me NATO-n”.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

NATO ka thënë se ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Partneriteti për Paqe përfshin shumë fusha të aktivitetit të NATO-s, sikurse: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1.600 aktivitete.

Pikërisht, në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50.000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s.

 Sa është rritur prania e NATO-s në Kosovë?

Gjithsej 4.687 trupa, nga 27 vende të botës, shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Gjatë tetorit, KFOR-it, që udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutash, iu bashkuan 134 trupa shtesë nga Rumania, dhe 200 pjesëtarë të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar.

NATO-ja, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numëronte 3.762 pjesëtarë në Kosovë, e ka arsyetuar shtimin e pranisë me tensionet e rritura në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në përgjithësi, ky program ofron një kornizë politike për bashkëpunim me NATO-n. Në kuadër të programit, secili shtet partner vendos vet për ritmin, por edhe thellimin e bashkëpunimit me aleancën.

Aleanca ka disa mjete dhe mekanizma për të shtyrë përpara bashkëpunimin me shtetet anëtare, përmes disa politikave dhe programeve, planeve të veprimit dhe formave të tjera të bashkëpunimit.

Në NATO ka tri lloje të dokumenteve të partneritetit dypalësh: Programi i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual, Programi i Planeve të Veprimit Individual dhe Programi Vjetor Kombëtar.

I pari është dokument standard, që zakonisht zhvillohet çdo dy vjet nga shteti partner në konsultim me NATO-n dhe kërkn miratimin e Këshillit të Atlantikut. Ai strukturohet dhe përshtatet me interesat dhe synimet e shtetit partner dhe NATO-s.

Dokumenti i dytë përqendrohet në reformat e brendshme të shteteve partnere. Aty trajtohen edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe synon të koordinojë të gjitha aspektet e raporteve të shteteve partnere dhe NATO-s përmes një dialogu politik dhe sistematik me Aleancën.

Ndërkaq, Programi Vjetor Kombëtar është dokumenti më kërkues që përqendrohet në reformat demokratike, të sigurisë dhe të mbrojtjes, që zhvillohet çdo vit nga shtetet partnere në konsultim me NATO-n.

Në këtë program kanë qasje vetëm shtetet që janë pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim, që është procesi që gjurmon përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Në Partneritetin për Paqe marrin pjesë edhe shtete që nuk kanë shprehur aspirata që një ditë të bëhen pjesë e NATO-s. Këtu bën pjesë Serbia, e cila i është bashkuar programit, por edhe është anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik (EAPC), i cili synon bashkëpunimin politik mes shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të Partneritetit.

Politika e anëtarësimit në NATO është “me dyer të hapura”, por zgjerimi i këtij institucioni kërkon vendim unanim të të gjithë anëtare.

Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, janë anëtare të NATO-s të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo mosnjohje paraqet pengesë për përparimin e Kosovës drejt integrimit në aleancë.

Cila shtete të tjera do të vizitojë Stoltenberg?

Para Kosovës, Stoltenberg ka vizituar Bosnje e Hercegovinën ku është takuar me anëtarët e presidencës trepalëshe dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe ndërkombëtarë.

Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiç. Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.

Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviç, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiç dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob. /REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular