EURO 2024 drejt plotësimit/ 17 kombëtare të kualifikuara, ja situata me vazot! Shqipëria, e vetmja kombëtare që ka të hapur 3 variante

0
151

Shqipëria u kualifikua matematikisht ditën e premte në EURO 2024, pas barazimit në transfertë ndaj Moldavisë, teksa tashmë pak nga pak po mësohen edhe emrat e skuadrave të tjera të cilat do të marrin pjesë në turneun që zhvillohet në verën e ardhshme në Gjermani. 

Me ndeshjet e luajtura të dielën në darkë, ka shkuar në 17 numri i skuadrave të cilat janë të sigurta për pjesëmarrjen në këtë turne. 

Gjermania ka qenë skuadra e parë si vendi pritës, e me radhë sipas kohës kur janë kualifikuar kanë siguruar biletën edhe Belgjika, Franca, Portugalia, Skocia, Spanja, Turqia, Austria, Anglia, Hungaria, Sllovakia, Shqipëria, Danimarka, Holanda, Rumania, Zvicra dhe Serbia. 

Tani mbetet të mësohen 4 emrat e fundit nga faza kualifikuese si edhe çiftet në play-off-in e Ligës së Kombeve që do të caktojnë 3 emrat që plotësojnë kuadrin e 24 ekipeve pjesëmarrëse në EURO 2024. 

Por si është situata aktuale për sa i përket vazove? Gjithçka duket e hapur. Deri tani vetëm 5 kombëtare e kanë siguruar vazon e parë, ato janë Gjermania, Potugalia, Franca, Spanja dhe Belgjika. Ndërkohë në vazon e dytë janë pozicionuar zyrtarisht Austria dhe Hungaria, ndërsa në vazon e tretë, Skocia dhe Sllovakia.  

Shqipëria është e vetmja kombëtare, që ka të hapur 3 variante, si vazon e dytë, ashtu dhe të tretën e të katërtën. Gjithçka varet nga rezultati në ndeshjen me Ishujt Faroe. Edhe pse e pamundur në letër, një disfatë ndaj Ishujve Faroe, do të na dërgonte në vazon e katërt, në varësi edhe të kombinimeve të tjera.