Nga Ethem Fejzollari
Kryetar i Shoqates Antikomuniste te Ish- të Përndjekurve Politik të Shqipërisë
Të nderuar të pranishëm ….
Jemi mbledhur sot për të përkujtuar 79 vjetorin e ekzekutimit pa gjyq të një grupi qytetarësh të Tiranës nga forcat partizane pikërisht në ditët kur po luftohej për të cliruar kryeqytetin nga prania e ushtrisë hitleriane.
Vrasjet pa gjyq, ende nuk dihet numri i saktë i tyre, shoqëruan jetën e kryeqytetit gjatë atyre tre javëve që zgjati beteja për Tiranën.
Përzgjedhja e personave të konsideruar “të rrezikshëm” për Partinë Komuniste, e cila fatkeqësisht ishte nën varësinë e plotë nga si motra e madhe Partia Komuniste Jugosllave, sipas të gjitha gjasave ishte përgatitur me kujdes më përpara se t’i afroheshin Tiranës forcat partizane. Lista e fatkeqëve, që duheshin eliminuar pa asnjë vonesë përmbante intelektualë, ushtarakë, sipërmarrës të suksesshëm, klerikë, atdhetarë të devotshëm, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të shkolluar në Perëndim.
Por cili ishte faji i tyre që të meritonin këtë fund tragjik? I vetmi faj, gabim apo krim i tyre ishte se e donin mbi të gjitha Shqipërinë pjesë të familjes europiane Perëndimore dhe jo pjesë të Lindjes komuniste. E pikërisht për këtë arsye ata përbënin një rrezik potencial për realizimin e synimit të Partisë Komuniste për të instaluar sistemin komunist, pra diktaturën e proletariatit.
Eliminimi fizik i kundërshtarëve, të hamëndësuar si të tillë nga E.Hoxha dhe ata që e rrethonin, përfshirë këtu edhe emisarët jugosllavë, nisi në mënyrë sistematike fill pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, por kulminacionin e vet e pati me masakrën e 12 Nëntorit 1944 në Hotel “Bristol” në Tiranë.Në mbrëmjen e 12 Nëntorit u morën nga shtëpitë e tyre, për tu pyetur nga komanda partizane 10 qytetarë, të cilët nuk u kthyen më. Vetëm ditë më vonë u zbulua, nga aroma e keqe e dekompozimit të trupave, se ishin ekzekutuar në podrumin e Hotel “Bristol”.
E këta ishin: Mumtaz, Vesim e Syrja Kokalari, Nebil Çika, Aleks Mavraqi, Ismail Agë Petrela, Reshat Stërmasi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari. Ndërsa Muharrem Lleshi u vra sapo hapi derën e shtëpisë përpara familjarëve të tij dhe trupi i Ali Panaritit u gjet i groposur përgjysëm në Breg të Lumit. Emrat që përmenda më sipër janë pak kur sheh listën e gjatë të atyre që humbi Shqipëria nga viti1943 deri ne vitin1948. Ishin me origjinë nga gjithë trojet shqiptare : nga Plava e Gucia në Filat e Paramithi, nga Mitrovica e Peja në Dibër e Korçë, nga Shkupi e Presheva në Tiranë, Shkodër e Vlorë, të shkolluar e formuar në shkollat më të mira europiane ishin palca, shtylla për rimëkëmbjen, përparimin e vendit dhe shoqërisë shqiptare.
Ata që kryen këto krime ia dolën për 45 vjet ta mbajnë fshehur këtë ngjarje, dhe plot krime të tjera të regjimit komunist, por fatmirësisht falë punës së palodhur të ish të përndjekurve politikë, duke nisur nga viti 1992 opinioni publik shqiptar dhe i huaj është njohur mbi terrorin e pashembullt të ushtruar nga diktatura komuniste në Shqipëri, të dhëna të reja mbi këto krime dalin çdo ditë edhe sot, nëpërmjet dokumenteve dhe akteve të mbetura.
Ne pasardhësit e tyre e gjithashtu të përndjekur në dekada për shkak të prejardhjes familjare dhe si pasojë e të dashurve tanë të dënuar nga regjimi, ende vuajmë pasojat e regjimit të kaluar. Një pjesë prej nesh ende jemi në kërkim të eshtrave të njerëzve tanë, pasi shumë pak për të mos thënë askush prej atyre që kishin dijeni për vendndodhjet e varrimit, nuk u ofrua të jepte të dhëna. Kjo dëshmon se ata nuk janë penduar për atë çka bënë kundër nesh, por mbi të gjitha kundër Atdheut.
Diktatura nuk u mjaftua me kaq, ajo filloi të kryente eleminime fizike të kundërshtare të rregjimit dhe elitës Shqiptare në të gjithë vendin, ku pjesë e kësaj historie është edhe ngjarja e cila po përkujtojmë sot me dhimje.
Vazhdimi i krimeve komuniste, ishte i pa ndërprerë. Si fillim me eleminimin e gjithë administratës së qeverisë mbretërore, si dhe atë të ballit kombëtar, e deri më vonë me eleminimet e zërave ndryshe brënda qeverisë tij. Ku mund të përmendim si fakt konkret vrasjen e deputetëve, të cilët e kundështuan mënyrën e qeverisjes komuniste.
Të nderuar pjesëmarrës!
Gjithë kjo histori e dhimshme, sigurisht la pasoja tragjike. Në vizionin e komunistëve lindi lufta e klasave, e cila bëri spastrim masiv të gjithë familjeve që kishin shfaqur shenja antidiktaturë. Kjo solli rreth 6200 të vrarë, 38 mijë të burgosur politikë dhe rreth 45 mijë familje të internuara. Tregëtarët u konisderuan armiq, u burgosën dhe pasuria e tyre u konfiskua tërësisht. Bujqit dhe pronarët u quajtën kulakë dhe armiq. Rreth 32% e të gjithë popullsisë në vend, u deklasua. Për këta njerë ishte rreptësisht i ndaluar shkollimi dhe marrja e profesioneve, të destinuar të bënin punët më të rëndomta, si në: Bujqësi, ndërtim ose minjerë, ku paga e kësaj shtrese ishte supërminimale. Si rrjedhojë edhe jeta për këtë shtrësë u bë e mjerueshëme.
Viti 1990 na ngjalli shpresat, menduam se erdhi demokracia e do të jemi të gjithë me të drejta të barabarta, por fatkeqësisht ne që për 46 vjet bëmë punët më të rrënda, si tharja e kënetave, ndërtimi i qyteteve, shfrytëzimi i minjerave, bujqësia për të prodhuar ushqim për persekutorët tanë, ngelëm përsëri të diskriminuar.
Mbas 1990-tës u shpërbë ekonomia socialiste, u shitën rreth 700 mijë banesa me nga 8-15 mijë lekë të reja, me të drejtën që t’i blinin të gjithë ata që i dispononin, kur në të njëjtën kohë ne vuanim nëpër fermat e interrnimit, me kasolle pa asnjëllojë vlere. U shitën rreth 32 mijë njesi tregëtare, me të drejtën blerjes me çmim qesharak nga shitësit që ishin pjesë e familjeve komuniste.
U aplikua dhe zbatua ligji 7501, u shpërnda toka në mënyrën më të padrejtë. Pronari i cili vuajti aq shumë, i cilësuar kulak dhe armik për 45 vjet ngeli me gisht në gojë, Etj.
Të nderuar pjesëmarrës
Ka 30 vjet që me vendim parlamenti u vendos kompesimi i familjarëve të të vrarëve nga sistemi, 4000 lek në ditë për 8 vjet. 2000 lekë në ditë për ditë burgu, për të burgosurit politik dhe 1000 për të gjithë ato familje që kishin vuajtur nga 1944-1954 me tela me gjemba.
Është e abitshme që Qeveritë e pas viteve 90, kanë miratuar vendime dhe vetë nuk i kanë zbatuar. Janë dhënë vetëm 3 këste për 33 vite, që me këtë shpejtësi na duhen 100 vjet për t’u likujduar nga ky dëmshpërmblim ekonomik dhe aspak moral. Ndërsa për të interrnuarit nuk është asgjë në konsideratë.
Ky kujdes i treguar deri më tani na bënë të zhgënjyer edhe tani.
Ku një pension i një të persekutuari që ka ka punuar në koperativë dhe në fermë, nuk është më shumë se 15000 lekë, ndërsa ata që kanë punuar në bonifikime dhe ndërtime sot janë me një pension 17000 lekë. Kurse personat që kanë punuar në minjera kanë një pension që nuk i kalon 20000 lekë. Kjo tregon ende vazhdimësinë e diskriminimit dhe zhgënjimit.
Si mundet para 5-6 vitesh me vendim qeverie u aprovua statusi i veçantë për ish ushtarakët me motivin “në shërbim të atdheut”, kur me këtë vendim përfituan edhe ish persekutorët tanë, si hetues, kryetarë degësh, shefa krimesh, drejtorë burgjesh e deri tek polici dhe gardiani i burgjeve, ku pensioni i tyre varion 47000 lekë në muaj për një gardian deri 70000 lekë në muaj për një oficer të sigurimit të shtetit.
Ne nuk jemi kundër dhënjes së statusit të ish ushtarakut, por kërkojmë që edhe kësaj shtrese t’i jepet status i veçantë për rritjen e pensioneve. Kjo do të sjellë pajtimin kombëtar. Me këtë rast, në emër të të gjithë të persekutuarve i drejtohem Kryeministrit, të shohë me përparsi këtë nevojë imediate dhe të ngushtojë këtë kanal ndarës mes të persekutuarve dhe persekutorëve, që edhe për ne të vijë demokracia dhe trajtim i barabartëi i barabartë mes qytetarëve.