BallinaAktualitetNdryshohet masa e sigurisë për Jamarbër Malltezin, ja çfarë vendosi gjykata për...

Ndryshohet masa e sigurisë për Jamarbër Malltezin, ja çfarë vendosi gjykata për Berishën

spot_img
spot_img

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lirojë nga burgu Jamarbër Malltezin, duke zbutur masën nga “arrest në burg”, në “arrest në shtëpi”.
Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka ndryshim mase.

Detyrimi i radhës që i ngarkohet ish- kryeministrit, Sali Berisha është që të paraqitet para oficeres së SPAK në datat 4 dhe 18 dhjetor. Duke lënë në fuqi vendimin e një muaji më parë të Irena Gjokës, gjyqtarja e apelit Iliriana Olldashi urdhëroi që ish-funksionari të mos dalë nga Shqipëria dhe se i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese për të dalë jashtë shtetit.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj pas mbarimit të seancës tha se beteja për këtë çështje do të jetë e gjatë, ndërsa theksoi se deputeti nuk ka rrezik të largohet nga vendi, pasi dy ditë të javës është në parlament.

“Ndaj Malltezit u caktua masa e arrestit në shtëpi. Kjo çështje mbetet politike, është një gërvishtje, Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Kjo çështje është politike, është e pamundur që për çështje të tilla brenda një dite pune të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet procedimi penal. Gjykimi dje u karakterizuar nga një gjuhë e drunjtë e prokurorisë. Berisha nuk ka rrezik të iki, dy herë në javë është në parlament. Problemi është ligjor, se ajo kërkesë rrjedh nga një procedurë antikushtetuese. Ditën e enjte kemi seancën tjetër. Beteja do të jetë e gjatë”, tha Gjokutaj.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Avokatët do të kthehen tri ditë më vonë në të njëjtën gjykatë së cilës i kërkojnë shuarje të masave, pasi klientët e tyre nuk janë njohur me vendimet e zbardhura.

Gjyqi mbi masat që konsiderohen prej mbrojtjes si antikushtetuese sa kohë Sali Berisha ka imunitetin e deputetit, pritet sakaq të zhvendoset në Gjykatën e Lartë.

SPAK nuk ka ende një qëndrim zyrtar se si do të veprojë tani që Berisha mori dy mungesa nga prokurorët e posaçëm. E sigurt është që data 4 dhjetor është e hëna e radhës, për të cilën parashikohet që ish-kryeministri të mos paraqitet sërish.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B. Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë: Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë”, sipas njoftimit të Apelit të Posaçëm.

Kujtojmë se më 14 nëntor, avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.

Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase dërguan edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular