NIKOLETA KOVAÇI/ Prokuroria e Posaçme ka dalë ditën e djeshme (21 nëntor) me një reagim zyrtar në lidhje me arrestimet e mbrëmjes së të hënës. SPAK ka konkluduar një sërë akuzash që lidhen me episode konkrete për aktivitetin kriminal të tyre, por pa specifikuar rolet e protagonistëve që janë në atë material hetimor.
Janë 11 urdhërarreste, prej të cilëve janë ekzekutuar 5, ndërsa 6 persona janë ende në kërkim. Në deklaratë, SPAK la të kuptohej se të 6 personat që janë në kërkim nuk janë brenda territorit të Shqipërisë. Ndërkohë që 5 të arrestuarit janë dy oficerë policie, konkretisht Dedan Gjoni, shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6 dhe Jonida Babameto, oficere pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kufirit.
Kjo e fundit mësohet se është lënë nën masën e sigurimit personal nga gjykata, detyrim paraqitjeje. Ndërkohë tre personat e tjerë të arrestuar që i bashkohen Dedan Gjonit janë Erzen Breçani, ish-numri dy i Policisë së Tiranës dhe Besmir Murati e Bujar Ajeti.
Ky i fundit mësohet se ka pasur mbiemër tjetër deri pak kohë më parë kur edhe e ka ndryshuar. SPAK tregoi dje se grupi kriminal është vërtetuar se ka kryer tre transporte të lëndës narkotike të dyshuar kokainë në masën prej 765 kg dhe një transport marijuane prej 166 kg të nisur nga Spanja në drejtim të Gjermanisë.
Sipas të dhënave, këto ngarkesa kanë sjellë edhe dy aktet e tjera për të cilat akuzohen grupi kriminal, paratë që kanë ardhur nga trafiku i drogës janë pastruar në vendin tonë dhe konfliktet për trafikun e drogës kanë çuar në tentativën e një vrasjeje të dyfishtë. Në fokus mësohet se kanë qenë dy vëllezër dhe i implikuar në këtë çështje është, gjithnjë sipas SPAK, kreu i policisë Kriminale të Komisariati nr. 6!
DEKLARATA E SPAK MBI HETIMET
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 28.04.2023 procedimin penal nr.78 të vitit 2023, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 278, 283, 283/ a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal në 6 episode të ndryshme! Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit I.Z, B.A, D. Gj, E.B, B.M, A.S, A.P, B.G, E.B, E.M dhe masën e sigurimit personal për shtetasen J.B. Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A”.
BKH kontrollon banesat dhe objektet e të arrestuarve
Njëherësh me arrestimet e personave që u mendua se gjenden në Shqipëri, është urdhëruar edhe kryerja e kontrollit të banesave dhe të objekteve që kishin nën përdorim këto persona. Kështu, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar gjatë paradites së djeshme lidhur me operacionin e zhvilluar një ditë më parë, ku u lëshuan 11 urdhërarreste, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm katër.
Ndër të tjera, në njoftimin e SPAK thuhet se po ashtu është ushtruar kontroll edhe në banesat e tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.
“Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme”, njoftoi SPAK.
Por SPAK nuk bëri me dije se kujt i përkasin armët e zjarrit, pasi kujtojmë se dy prej të arrestuarve janë oficerë policie, ndonëse efektivja e Kufirit është lënë në detyrim paraqitjeje! Po ashtu nuk u bë me dije as makinat e kujt u bllokuan gjatë atij operacioni!