“Trajnerët brazilianë nuk më pëlqenin, por Silvinjo…”, Duka: Ja kush është zemra e Kombëtares

0
180

Një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila u kualifikua për në “Euro 2024” duke dalë e para në grup. Një kombëtare që u udhëhoq nga trajneri Silvinjo dhe që do të jetë dy vazo më lart se Italia.

Një pjesë e mirë e lojtarëve vijnë nga kampionati italian dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk e fsheh gëzimin për këtë arritje historike.

Në një intervistë të dhënë për “tuttomercatoweb”, kreu i federatës thotë se kualifikimi i parë më 2016-ën ishte shumë i bukur, por edhe ky i dyti i ka shijuar shumë. “Kemi lënë pas skuadra me traditë si Republika Çeke dhe Polonia, kjo nuk është pak…”, deklaron Duka.

Një faktor kyç në këtë arritje ishte edhe trajneri Silvinjo, apo jo?

Pasi u kualifikuam trajneri ishte shumë euforik. Ai ka bërë një punë shumë të mirë, ka arritur një objektiv të madh dhe kishte shumë arsye për të festuar. Por ama ju them sinqerisht se asgjë nuk vjen rastësisht. Duhet sakrificë dhe punë e programuar, sepse ndryshe asgjë nuk arrihet. Natyrisht, trajneri ishte “regjisori”, por më duhet të flas mirë edhe për Dorivën që ka luajtur në Itali. Ai është një ekspert që na ka ndihmuar shumë. Ai së bashku me Zabaletën ndërtuan një grup shumë kompakt.

Pse vendosët të merrnit Silvinjon trajner?

Mua brazilianët nuk më kanë pëlqyer shumë si trajnerë dhe kur ma propozuan nuk isha shumë i bindur. Por ama kur e takova dhe pasi folëm për projektin, atëherë më bindi. Nuk po them se u dashurova me të… Gjithsesi sot po flasim për një mision të përmbushur. Edhe ai si trajner kaq mirë sa tek Shqipëria nuk kishte bërë askund.

Në grumbullimin e fundit Shqipëria kishte 7 futbollistë që luajnë në Serinë A: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani dhe Bajrami.

Lidhja mes futbollit shqiptar dhe atij italian është shumë e fortë. Kemi shumë lojtarë në Itali, në mos gaboj janë rreth 14 mijë djem shqiptarë që janë të regjistruar në vendin tuaj si futbollistë, pothuajse po aq sa kemi sot në Shqipëri. Atyre që ju përmendët mund t’ju shtohen edhe Çuni, Medon Berisha i Leçes që luan me U-21 tek Shqipëria, por është pothuajse gati për ekipin e parë. Pastaj është edhe Shpendi që luan tek Empoli.

Gjithsesi, më përfaqësuesi është Hysaj te Shqipëria, apo jo?

Po, ai ka luajtur për shumë kohë në nivele të larta, por unë do të përmendja edhe Gjimshitin, që është kapiteni ynë.

Një lojtar me pritshmëri të mëdha për Interin dhe për Shqipërinë është edhe Asllani…

Është një lojtar i mirë me perspektivë. Është vetëm 21 vjeç dhe mund të bëhet një futbollist i madh. Na ka ndihmuar shumë, ka luajtur pothuajse gjithnjë. Është top. Kundër Ishujve Faroe në ndeshjen e parë bëri edhe një gol fantastik.

Po Bajrami?

Është një futbollist i madh. Ka teknikë, ndoshta më i zoti teknikisht në ekipin tonë. Shikoni çfarë goli i shënoi republikës Çeke në ndeshjen e parë! Na ndihmoi të merrnim një barazim të çmuar sepse na lejoi që të ishim në garë për vendin e parë. Por kemi edhe lojtarë të tjerë shumë të zotë, madje mund ta shënoni emrin e Mitajt, i cili luan në Rusi, por mund të shndërrohet në një “top lojtar”.

A e dini që Interi ka interes për Ramadanin?

Ai është më së pari një burrë i mirë dhe më pas një lojtar i shkëlqyer. Ai është zemra e skuadrës, sepse vrapon shumë si me Kombëtaren, ashtu edhe me Leçen. Jam i kënaqur që ai po luan mirë në Serinë A.

A do t’ua këshillonit zikaltërve?

Nuk e di nëse është gati, por ai është i fortë dhe një nga ata që vrapon shumë. Për mua është më e rëndësishme ta shohësh një futbollist nga koka dhe më pas nga këmbët. Në këtë pikëpamje ai është një nga më të mirët.

De Biazi iu kishte thënë që në fillim se ju do të kualifikoheshit…

Gjatë shortit më tha që kishim grup të lehtë, por e vërteta është që grupi ishte shumë i vështirë. Kemi vuajtur edhe me Moldavinë në të dyja ndeshjet. Tani që ka mbaruar duket e lehtë, por nuk ishte kështu.

Cili është objektivi juaj në Euro 2024?

Tani vjen pjesa më e vështirë, sepse do të ndeshemi me skuadra të forta. Në letër ne vijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por kemi dëshirë që ta kalojmë grupin. Nuk e di nëse do ta realizojmë këtë objektiv, por cilësitë për të kaluar grupin i kemi.

Tani edhe festa ka mbaruar dhe po përgatitemi për në Gjermani. Trajneri duket shumë i uritur për suksese. Unë thjesht nuk dua që të përballem me Italinë, sepse është një skuadër shumë e fortë, ndonëse nuk ka arritur rezultate mbresëlënëse kohët e fundit.

PANORAMASPORT.AL