BallinaAktualitetSërish media Europiane: Shqipëria, një narko-shtet nën influencën e trafikantëve

Sërish media Europiane: Shqipëria, një narko-shtet nën influencën e trafikantëve

spot_img
spot_img

Nga Dominique Dunglas

Botuar më 28/06/2019

Zgjedhjet vendore mbahen këtë të diel në “vendin e shqiponjave”. Mes drogës, dhunës dhe krizës institucionale, vendi i vogël ballkanik është përthithur në një spirale ferri. 

Kjo e diel, më 30 qershor, do të jetë një ditë vendimtare për Shqipërinë. Në zemër të “barutit” ballkanik, banorët ftohen të votojnë për të zgjedhur Kryetarët e rinj të Bashkive. Por Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe opozita e djathtë po i bojkotojnë këto zgjedhje të kërkuara nga Kryeministri socialist, Edi Rama. Motivi i bojkotit : përgjime telefonike në të cilat Kryeministri bisedon me një trafikant të njohur droge dhe që konfirmojnë akuzat për korrupsion që i adresohen prej muajsh.

Presidenti i Republikës ka kërkuar shkarkimin e Edi Ramës por Gjykata Kushtetuese që duhej ta miratonte nuk mund të mblidhet… pasi 8 nga 9 anëtarët e saj janë në hetim për korrupsion ose trafik droge. Vendi i “shqiponjave” ka paraqitur kandidaturën e saj në BE, por konflikti institucional në zemër të Europës rikujton atë çka po ndodh në Venezuela. Ndërkohë që incidentet e dhunshme po shtohen gjatë javëve të fundit, kancelaritë druajnë se dita e votimit mund të kthehet në një luftë civile.

“Kanabistani” i Europës

Droga dhe politika shkojnë së bashku në Shqipëri prej kohësh. Diktatori Enver Hoxha kishte të mbjellat e tij me kanabis që i çonte drejt Italisë. Me vdekjen e tij në 1985, Sigurimi, Stasi shqiptar, trashëgoi stafetën. Por vetëm duke nisur nga 2005-a, kur në pushtet ishte e djathta, Partia Demokratike, që shërbimet anti-drogë evropiane zbuluan fshatin e Lazaratit, në jug të vendit. Fshatarët atje mbillnin 5.000 hektarë me kanabis dhe llogaritet se prodhonin 900 ton drogë. Skandali u denoncua nga socialistët sapo erdhën në pushtet, në 2013-n. Një vit më vonë, 800 ushtarë të trupës së elitës e rrethuan “zonën e lirë” dhe lufta zgjati dy ditë. Njëqind ton kanabis u sekuestruan.

Prishja e folesë në fakt veç sa i shpërndau më tej të mbjellat, këtë radhë me bekimin e socialistëve të Kryeministrit Edi Rama. Sekuestrimet rriten. Në 2016-n, italiania “Guarda di finanza”, e cila realizon fluturime të posaçme në vend, vlerësoi se 15.8% e territorit shqiptar ishte i mbjellë me kanabis, çka do të thoshte se Shqipëria prodhonte 9.300 ton bar, që importohet i gjithi në Europën, me një fitim që përllogaritet mbi 10% e PBB-së së vendit. Turistët përfundonin pa dashje në fushat e mbjella pa fund me marijuanë. Shqipëria është bërë një narko-shtet, “kanabistan-i” i Europës.

Banane dhe kokainë kolumbiane

Prej 2017-s, fotot ajrore kapin më pak të mbjella. “Por sekuestrimet rriten”, deklaron komisar Leggeri, komandat i forcave të policisë në jug të Italisë. “Gjeni gabimin”. Gabimi është përparimi teknologjik. Trafikantët kanë mësuar të kultivojnë në hapësira të mbyllura, në uzina të braktisura ose në tunele ushtarake. Kemi të bëjmë me një hop cilësor, pasi nis investimi i parave të kanabisit në kokainën kolumbiane.

Në 28 shkurt 2018, 613 kg pluhur i bardhë zbulohen në një ngarkesë bananesh. Trafikanti, Arbër Çekaj, kishte sjellë 97 kargo me banane gjatë dy viteve të fundit, duke e rritur me 10 herë importin e këtij fruti nga Kolumbi. Tashmë rrjetet shqiptare të vendosura në Amerikën e Jugut luajnë “brookers” (grosistin) dhe i negociojnë veetë ngarkesat që po përmbytin Europën.

Implikimi i socialistëve në pushtet është i qartë. Ish-ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, do të gjykohet në korrik për trafik droge. Vëllai i pasuesit të tij, Fatmir Xhafaj, është dënuar në Shtetet e Bashkuara për trafik kokaine. Qindra përgjegjës policie, të ushtrisë apo dhe gjyqtarë, janë të kompromentuar. Deri edhe personalisht Kryeministri. Si në kohën e Lazaratit, veçse me ndryshimin se paraja e drogës ka kaluar nga dora e demokratëve në atë të socialistëve.

Më shumë se demokracia, është kontrolli i drogës për të cilën luhet të dielën në “vendin e shqiponjave”… mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm.

“Ky votim nuk është kushtetues”

Lulzim Basha është lideri i Partisë Demokratike, grupimi i opozitës ndaj qeverisë socialiste të Edi Ramës.

Përse i bojkotoni ju zgjedhjet e të dielës?

“Nuk do të ketë zgjedhje të dielën. Ky votim nuk është kushtetues, Presidenti i Republikës e ka deklaruar ilegal dhe vetëm ai mund t’i thërrasë ato. Në 36 bashki nga 61, nuk do të ketë kandidatë të opozitës, dhe në 25 bashkitë e tjera, opozita përfaqësohet nga një parti fasadë që qeveria e themeloi brenda një nate. Socialistët i manipuluan votimet e 2015 dhe të 2017 me bashkëpunimin e krimit të organizuar dhe të narko-trafikantëve. Ne e dimë këtë gjë dhe ne kemi provat.”.

Në të shkuarën, edhe partia juaj është akuzuar për kompromis me trafikantët e drogës dhe, ju gjithashtu, jeni nën hetim për pastrim parash. E gjithë politika shqiptare është e korruptuar?

Për të më kompromentuar, kanë fabrikuar prej dy vitesh prova të rreme. Kam bashkëpunuar plotësisht me drejtësinë. Ata nuk kanë asgjë. Lufta kundër drogës është kthyer në një prioritet për Partinë Demokratike. Kur ne ishim në pushtet, policia italiane, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Komuniteti Evropian e kanë konfirmuar këtë gjë. Ndërkohë që sot, Shqipëria është eksportuesi i parë i kanabisit në Evropë. Krimi i organizuar po i përdor këto fitime për të paguar politikanë dhe për të investuar në kokainë dhe në heroinë. Në Londër, Roterdam, Hamburg, trafikantët shqiptarë drejtojnë trafikun. Kryeministri Edi Rama është një kriminel politik, një gënjeshtar i përfshirë në trafikun e drogës.”

A ka një zgjidhje paqësoje për të dalë nga kriza politike?

“Duhet të respektohen vlerat evropiane dhe të zhvillohen zgjedhje të lira (shënim i gazetës : Shqipëria është kandidate për të hyrë në BE). Këto zgjedhje nuk mund të zhvillohen me një Kryeministër që ka manipuluar zgjedhjet në 2015 dhe në 2016. Largimi i Edi Ramës është një kusht sine qua non. Dhe të gjithë kriminelët dhe politikanët e korruptuar të denoncuar nga antimafia duhet të gjykohen. Këto janë dy kushtet e opozitës. Por ne jemi kundra dhunës”.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular