Kë preferon mes De Biassit dhe Sylvinhos? Përgjigjet Armand Duka, tregon edhe diferencat mes tyre

0
183

I ftuar në “Ditari i Fundjavës” nga Erjon Dushi në A2 CNN, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli edhe për dallimet dhe vlerësimet e tij personale sa i përket dy trajnerëve të kuqezinjve, atij që na çoi në EURO 2016, Gianni de Biassi dhe atij aktual, që na kualifikoi në EURO 2024, Sylvinho.

Duka nuk bëri ndonjë diferencë të madhe mes të dyve. Sipas tij, si de Biassi ashtu edhe Sylvinho janë me balanca pozitive dhe se kush më shumë e kush më pak, është e vështirë ta ndash, pasi çdokush e shesh në këndvështrimin vet.

Le të flasim për trajnerët, të dy shumë të dashur për sportdashësit shqiptarë. Nga njëra anë de Biassi, i cili na dërgoi në EURO 2016 dhe nga ana tjetër Sylvinho, disi më entuziast, më i mikpritur. A keni ju një preferencë personale mes të dyve?

Unë e kam vlerësuar kontributin e de Biassit për kualifikimin tonë në EURO 2016, por në këndvështrimin tim, njerëzit nuk janë shumë të krahasueshëm, kanë karakteristikat e veta, por mjafton që balanca të jetë pozitive. Dhe si e tillë, të dy personat në fjalë, janë me balanca pozitive dhe se kush më shumë e kush më pak, është e vështirë ta ndash, pasi çdokush e shesh në këndvështrimin vet.

Trajneri aktual që kemi është shumë i mirë. Në momentin që kemi vendosur që Sylvinho të jetë trajneri i Shqipërisë, mbase nuk do të ishte zgjedhja e duhur, pasi mund ta kenë parë si një trajner pa eksperiencë, aq më tepër brazilian, që nuk është se shquhen, për më tepër në Evropë, si trajnerë shumë të mirë, por dëshira, përkushtimi dhe eksperienca që ka marrë në futbollin e luajtur, i ka gërshetuar dhe rezulton shumë i mirë.

Me këtë Sylvinho që e zbuluam, a e bën atë më të dashur për sportdashësit shqiptarë?

Futbolli është riskioz. Tifozët e futbollit ndryshojnë brenda minutave të një ndeshjeje. Kur rezultati është pozitiv, sigurisht që vlerësimet janë të mëdha. Nga ana tjetër, kur rezultatet janë negative, fillojmë dhe gjejmë të metat, të cilat edhe ato kanë ekzistuar e që shfaqen akoma dhe më shumë kur nuk ka rezultate.

Për momentin ne jemi në “qiellin e shtatë” me rezultate pozitive dhe nuk shohim asnjë anë negative të kurrkujt për momentin. Por, në total, Sylvinho, stafi i tij, kanë bërë një punë fantastike.