BallinaOP EDNATO dhe aleanca e ‘IndoPaqësorit’

NATO dhe aleanca e ‘IndoPaqësorit’

NGA ARDIT GJINALI

Korea e Jugut, e njohur në përcaktimin zyrtar si përkatësisht Republika e Koresë, është një aktor politik i rëndësishëm dhe përcaktues në dinamikat e reja zhvilluese ndërkombëtare dhe në një dimension të ri të marrëdhënies mes Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve të Indo-Paqësorit.

Konteksti ndërkombëtar politik i shekullit të shkuar ka shenjuar realitetin politik dhe pozicionimin e vendit në kontekstin e aleancave ndërkombëtare përkatësisht në nivel rajonal dhe global, gjithashtu.

Zhvillimet e reja politike botërore me fillesë kohore, Shkurt 2022, në sulmin e Rusisë ndaj tërësisë territoriale të Republikës së Ukrainës kanë ndikuar në një qasje të re pro-aktive të Koresë së Jugut në veprimin politik ndërkombëtar dhe ridimensionimin e aleancave në funksion të konsolidimit të sigurisë dhe rendit ndërkombëtar në fuqi.

Në funksion të ridimensionimit të aleancave dhe marrëdhënieve ndërshtetërore me qëllim parësor ruajtjen e sigurisë dhe rendit ndërkombëtar, viti 2023 shënoi një “fillim të ri” në dialogun strategjik përkatësisht mes Japonisë dhe Koresë së Jugut, në nivel institucional të zëvendës- ministrave  të Jashtëm, një marrëdhënie pozitivisht e ndryshuar pas rreth thuajse një dekade të vështirë në ndërtimin e një komunikimi politik shtetëror mes dy vendeve përkatëse;-vlen për tu theksuar që takimi i fundit i dialogut strategjik u mbajt më Tetor 2014, një proces i filluar në vitin 2005.

Në të njëjtën kohë, “Fillimi i Ri” i procesit të dialogut strategjik mes dy vendeve i paraprin vizitës së nivelit të lartë të zhvilluar nga Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk YEOL në Tokio ku i njëjti u takua me Kryeministrin Japonez Fumio KISHIDA, vizita e parë e nivelit të lartë pas rreth 13 vitesh , gjithashtu. Përtej dallimeve që dy vendet përkatëse , Japonia dhe Korea e Jugut, mund të kenë mbi shkallën e kufizueshmërisë së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës veçanërisht në marrëdhëniet tregtare, sinjali pozitiv i marrëdhënieve të reja është vlera e shtuar e një aleance që duhet konsoliduar për të kufizuar secilën tendencë zgjeruese, e tilla jo vetëm ekonomike e fuqive me status politik të diskutueshëm, por gjithashtu dhe e të tillave me veprime të qarta cënuese ndaj ligjit ndërkombëtar si Rusia.

Korea e Jugut ka shfaqur një vullnet të shtuar për rritjen e bashkëpunimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut, i dëshmuar në vizitën zyrtare të zhvilluar në Seul nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, STOLTENBERG ku u takua me Presidentin e vendit YEOL. Mesazhi politik i vizitës ishte implementimi i strategjisë së vendeve të Indo-Paqësorit në raport me NATO-n  ku spikat ngritja e përfaqësisë së përhershme të vendit pranë NATO, akt politik dhe diplomatik drejtë konsolidimit të marrëdhënies së Koresë së Jugut me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Mbështetja ndaj Ukrainës dhe kundër agresionit Rus ndaj kësaj të fundit u theksua qartë nga Presidenti i Koresë së Jugut duke e konsideruar “si të papranueshëm cënimin e integritetit territorial të një vendi “ dhe nga ana tjetër ky fakti i mbështetjes është shprehur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO në formë falënderimi ndaj Koresë së Jugut.

Në të njëjtën kohë, Korea e Jugut është një pjesëmarrëse e  vazhdueshme në samitet e mbajtura të Aleancës së Atlantikut të Veriut prej vitit 2022, pjesëmarrje që nuk janë ngjarje të veçuara, por që përbëjnë një vijimësi të qasjes politike dhe kombëtare të vendit në raport me Aleancën e Atlantikut të Veriut në tërësi dhe me aleatë të veçantë, gjithashtu.

Një shembull i konsolidimit të qasjes së re nga Presidenti i vendit YEOL është stërvitja  e përbashkët ushtarake “SHBA-Korea e Jugut” e zhvilluar në fund-Gushtin 2022, e quajtur “Mburoja e Lirisë Ulchi” ishte një tjetër “Fillim i Ri” pas kufizimeve apo  ndërprerjeve të të ngjashmeve stërvitje prej disa vitesh për shkaqe të ndryshme, të tilla politike apo diplomatike.

Prill 2023, përkatësisht data 26 Prill shënon vizitën zyrtare të Presidentit të Republikës së Koresë SUK YEOL në SHBA ku u prit nga Presidenti Joe BIDEN dhe qëllimi kryesor i vizitës ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje të re që ridimensionon angazhimin e SHBA në mbrojtje , të tillën dhe bërthamore në rastet që Republika e Koresë do të ishte subjekt i një sulmi të tillë. Thelbi i marrëveshjes është mbrojtja e Koresë së Jugut përmes dërgimit nga ana e SHBA të nëndetëseve me armë bërthamore për herë të parë pas 40 vitesh.

Presidenti i Republikës së Koresë do të përshëndeste marrëveshjen dhe do të theksonte si vijon ; – “ Deklarata e Uashingtonit paraqet një përkushtim “të paprecedentë” të SHBA-së për të rritur mbrojtjen, sulmet parandaluese dhe për të mbrojtur aleatët e Uashingtonit duke përdorur armët bërthamore”. Në të njëjtën frymë do të shprehej Presidenti i SHBA, BIDEN që do të theksonte si më poshtë; -“ Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut kundër SHBA-së apo aleatëve dhe partnerëve të saj është i papranueshëm dhe do të rezultonte në fundin e çfarëdo regjimi që do të merrte një hap të tillë”.

Marrëdhëniet dhe aleanca ndërmjet “SHBA-Korea e Jugut” po njohin një dimension të ri dhe në kontekstin e vizitave zyrtare të nivelit të lartë të përfaqësuesve shtetërorë të SHBA, përkatësisht Sekretari i Shtetit BLINKEN , i njëjti do të nënvizonte rëndësinë jetike të këtij bashkëpunimi si vijon ;” Përgjatë 70 viteve të fundit, kjo marrëdhënie është rritur nga një aleancë kyçe e sigurisë në një partneritet jetik botëror” dhe pothuajse  në secilën çështje që ndikon në popujt tanë, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja po punojnë shumë ngushtë me njëra tjetrën. Dhe ky nuk është një aksident. Është reflektim i përkushtimit tonë ndaj kësaj marrëdhënie dhe ndaj këtij rajoni”.

Mesazhi politik i BLINKEN është në koherencë me deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Koresë së Jugut, Park JIN, i njëjti që theksoi vlerën politike të bashkëpunimit mes dy vendeve në një realitet botëror që mbrojtja nga kërcënimet që rreken të cënojnë sigurinë botërore është një domosdoshmëri. Në të njëjtën kohë, Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut JIN e cilëson marrëdhënien dypalëshe “SHBA-Korea e Jugut” si të një rëndësie të veçantë që shpërfaqet në secilën periudhë historike që siguria dhe rendi i së drejtës ndërkombëtare është në rrezik.

Ndryshimi i vërejtur në politikën e Jashtme të Republikës së Koresë , përkatësisht pas ardhjes në detyrë të Presidentit YEOL ishte baza për të konsoliduar një marrëdhënie të re politike me dy aktorë të rëndësishëm të përmendur më lartë, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia;- kurorëzimi politik i një stine të re politike marrëdhëniesh ndërkombëtare shënohet në samitin tre-palësh e “Camp David” i mbajtur në rajonin Maryland, SHBA ku liderët e SHBA, Japoni dhe Korea e Jugut u takuan dhe konfirmuan angazhime politike të qarta të përbashkëta kundër secilës tentativë kërcënuese apo kërcënim real ndaj sigurisë në Paqësor.

Ky samit politik mes drejtuesve të tre shteteve paraprin vijimin dhe implementimin e bashkëpunimit në nivel ministror përkatësisht në të tillin të Mbrojtjes ku Sekretari Amerikan për Mbrojtjen Lloyd AUSTIN, Ministri Japonez i Mbrojtjes Yasuzaki HAMADA dhe ai i Koresë së Jugut Lee Jong  SUP, zhvilluan një bisedë telefonike ku konfirmuan rrugëtimin e përbashkët politik në përmbushje të angazhimeve që burojnë nga sfidat aktuale apo nga shfaqja e të tillave të ardhshme.

Nëntori 2023 shënoi një marrëveshje të re mes Shteteve Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut , e nënshkruar mes Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd AUSTIN dhe Ministrit të Mbrojtjes së Koresë të Jugut Shin- Won SIK , e nënshkruar në Seul. Sekretari Amerikan për Mbrojtjen AUSTIN do të deklaronte;-“Herë pas here jemi vënë në provë dhe jemi përballuar me sfida të ndryshme. Së bashku, kemi ndërtuar një nga aleancat më të fuqishme, të afta dhe më ndërvepruese në botë. Për shtatë dekada kemi frenuar konfliktin dhe agresionin në Gadishullin Korean. Nëse është e nevojshme, ne jemi gati të luftojmë sot”. Ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut  SIK do të theksonte që marrëveshja e re është në frymë me sfidat aktuale botërore dhe i përgjigjet frymës represive dhe kërcënuese të inkurajuar nga Korea e Veriut.

Kursi i ri i konsolidimit të marrëdhënieve  me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë nuk mbetet i veçuar në dy fuqitë përkatëse të përmendura më lartë;- marrëdhënia me Poloninë, një fuqi ushtarake shumë e rëndësishme në Europë, është e një rëndësie të veçantë politike. Të dy vendet, Korea e Jugut dhe Polonia, kanë një bashkëpunim të fortë në kontekstin e mbështetjes ushtarake, përkatësisht të Koresë së Jugut ndaj Polonisë, ku kjo e fundit ka blerë gjatë vitit 2022 nga  Korea e Jugut, multi- raketahedhës 288 të tillë, tanke dhe avionë luftarakë, gjithashtu. Fund-Tetori 2022 njohu një moment të shtuar të bashkëpunimit mes Koresë së Jugut dhe Polonisë, ku Polonia nënshkroi një marrëveshje për ndërtimin e termocentralit të dytë bërthamor , pas miratimit të marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit të parë nga SHBA. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Koresë së Jugut zhvilloi një vizitë zyrtare në Varshavë, në Korrik 2023 ku u takua me homologun Polak, DUDA.

Vizita zyrtare në Ukrainë e realizuar nga Presidenti i Koresë së Jugut ishte një tjetër akt politik mbështetës ndaj Kievit ku Presidenti i Koresë së Jugut premtoi rritjen e mbështetjes ndaj Ukrainës, mbështetje e shtuar dhe përpara premtimit publik, ndihma përkatësisht në 150 milionë dollarë në 2023 në raport me 100 milionë dollarë në 2022. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Koresë së Jugut do të deklaronte rritjen në tërësi të ndihmës humanitare ndaj Ukrainës përtej faktit që ende nuk ka pasur furnizime direkte me mjete luftarake, një politikë e vendit për mos-furnizim me armë në zona të ndryshme ku mund të ketë konflikt aktiv.

Realiteti i ri ndërkombëtar ka ndikuar në rritjen e veprimeve politike të aktorëve të ndryshëm politikë botërorë në kontekstin e rritjes së fuqisë ushtarake, marrëveshjeve të reja ndërshtetërore, partneriteteve politike-ushtarake dhe qasjeve të reja që kanë fillesën nga kërcënimet dhe veprimet zgjeruese të fuqive destruktive si Rusia apo aleatët e saj.

Korea e Jugut është një aktor politik thelbësor në horizontin e ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, një aleat i rëndësishëm në marrëdhënien NATO-IndoPaqësor ku vizioni i Presidentit SUK YEOL në politikën e Jashtme është inkurajimi politik për konsolidimin e një aleance të natyrshme politike tej kufirit fizik Euro-Atlantik kundër secilës formë organizimi të frontit politik Lindor që synon ndryshimin e rendit botëror dhe ndryshimin e qasjes mbi të drejtën ndërkombëtare gjithashtu.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular