BallinaOP EDArdi Stefa: Dy fjalë për 8 Dhjetorin (ndoshta të fundit si pensionist...

Ardi Stefa: Dy fjalë për 8 Dhjetorin (ndoshta të fundit si pensionist politik!…)

Nga Ardi Stefa
Pas disa ditësh në Shqipëri do të festojnë 8 Dhjetorin. Është nga ato ditë ku kujtimet gjallërojnë mendimet dhe ndjenjat e atyre që i përjetuan dhe luftuan me guxim, idealizëm e virtyt për Demokraci. Për Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë të atdheut.

Natyrisht fanfarat më të mëdha dhe fjalët më të bukura festive do t’i thonë ata, që u përpoqën ta shuanin e zhvlerësonin atë datë, atë ditë. Ata, të cilët manipuluan historinë, shtrembëruan faktet, që erdhën si emisarë për të vrarë ëndrrat, shpresën, naivitetin e idealet e brezit të Dhjetorit ’90!

Kanë kaluar 33 vite dhe mesazhet e asaj epoke mbeten aktuale. Demokracia dhe Liritë janë në mëshirën e pushteteve oligarkike. Mekanizmat autoritare dhe klienteliste fuqizojnë ndërgjegjet dhe sjelljet. Asgjë nuk është si dje. Rrjetet e padukshme të botës dixhitale u shërbejnë interesave të të paktëve, të cilët shkelin çdo “privaci” për të mbledhur informacion e për ta shfrytëzuar atë. “Demokracia mediatike” ushqen dhe mban në këmbë “demokracinë e të paktëve”. Informacioni, si një forcë fuqie dhe kontrolli, mbretëron suprem si malli më i vlefshëm në planet. Kronika e një vdekjeje të parathënë duket në horizont.

Çdo vit, së bashku me miqtë e mi e përkujtoj në mënyrën time 8 Dhjetorin.

Jo siç e përkujtojnë ata revolucionarë të vitit 2014 apo ata të 2021-it, ata që glorifikojnë liderin, i cili jo vetëm solli lirinë e demokracinë, por bëri edhe plot e plot trimërira të tjera. Jo si ata që glorifikojnë edhe veten pas liderit; që i derdhën plumb në gojë armikut të egër, që e çanë historinë me shpatë në dorë, që i rezistuan turkut me qindra vjet, që e kapën topin për gryke, që hodhën gunat përmbi tela, që i hipën tankut zbathur dhe me granatë në dorë, që flakën në det Italinë, dëbuan Gjermaninë, që i treguan vendin Amerikës për mbi 70 vjet, dhe që historikisht janë zënë për mustaqet e Çelos.

Jo si ata që hodhën në erë kisha e xhami, që kanë spiunuar vullnetarisht njëri-tjetrin, kanë folur brroçkulla komuniste nëpër mbledhje, kanë aprovuar me duartrokitje e brohoritje të stuhishme dënime nga më monstruozet, në vend që të pendohen e t’i luten Zotit t’u falë gjynahet, sepse janë pasuruar në mënyrë marramendëse duke grabitur pronat e jetën e shqiptarëve, teksa djemtë e vajzat e tyre bredhin nëpër Amerikë, Gjermani, Angli e Kolumbi duke helmuar mendjen e shqiptarëve me drogën që sjellin; që porosisin vrasjet klering po të shqiptarëve, që korrupsinin e ngritën në sistem, duke vrarë çdo gjë të pastër, për të cilën luftuam…

Jo si ata, që në 8 Dhjetor do dalin e do të shesin moral dhe gënjeshtrat e tyre.

Që do të flasin për lirinë e demokracinë që s’erdhi siç duhet dhe për revolucionet e tyre.

Asnjë brez nuk ka dëgjuar kaq shumë kritika dhe glorifikim dhe asnjë brez nuk ka njohur një falsifikim të tillë në kontributin dhe praninë e tij në historinë moderne, siç njohu brezi ynë.

Prandaj çdo 8 Dhjetor lexojmë komente ironike, jo vetëm të majta apo “të djathta”, por edhe nga ata analistë të palindur atëherë, të cilët me abstragime joshëse për veshin, por jashtë realitetit vënë në dyshim jo vetëm ngjarjet si ndodhën realisht, jo vetëm vrullin dhe idealizmin e atij brezi, por çorientojnë opinionin publik me urrejtjen e tyre, gjasme “realiste cinike”, me urrejtjen e tyre për atë që ata nuk do të bëjnë dot kurrë.

Në fakt duke goditur studentët i japin jetë gënjeshtrës dhe manipulimit historik, të atyre që ishin në krye të Shqipërisë këto 33 vite.

Fakti që evolucioni i një partie politike, apo karriera individuale e disa individëve protagonistë të asaj epoke, nuk është në nderin e përpjekjeve apo luftës që ata bënë në të shkuarën, nuk duhet të jetë shkak që të zerohen kontributet e tyre dhe të rishkruhet historia e shtrembëruar dhe me personazhe e protagonistë të dyshimtë e të gënjeshtërt.

Prandaj është e domosdoshme të shkruhet drejt Historia e atyre viteve. Për të përcjellë përvoja dhe ndjesi të brezit tim, që luftoi për “Liri e Demokraci”. Për t’i transmetuar këto përvoja brezit të ri. Për të bërë rebelimin e saj, me pjesëmarrjen e saj në të përbashkëtat kundër pushteteve autoritare.

Pse sot?

Sepse ngjarjet dhe zhvillimet e krizave të njëpasnjëshme, mungesa e lirisë dhe vrasja e shpresës, topitja e mendjes dhe tallavaja politike na çojnë rrezikshëm në të kaluarën. Regjimet autoritare në Shqipëri, historikisht, por sidomos në këto 33 vite “demokraci”, i vunë flakën bashkëjetesës paqësore politike të shqiptarëve. Liritë në forma të ndryshme cënohen në mënyrë të rrezikshme. Frika dhe patronazhimi po përhapet kudo, në çdo qelizë të shoqërisë. Anarshia politike dhe mungesa e politikës vrasin çdo shpresë se Shqipëria mund të bëhet.

Brezi i ri i sotëm po përballet me probleme të mëdha dhe serioze. Pasojat, financiare dhe psikologjike, janë dramatike. Arsim jo cilësor, shëndetësi për ibret, punësim zero, shpresë e vrarë, e cila i shtyn ose drej krimit, ose drejt largimit njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria.

Por krizat janë në të njëjtën kohë një mundësi e re për reflektim dhe veprim.

Në këtë mjedis të ri, (dhe po flas vetëm për Shqipërinë, jo për gjeopolitikën, sepse nuk është fusha ime) mesazhet e brezit tonë rebel kundër regjimit autoritar e antinjerëzor të diktaturës komuniste po bëhen sërish aktuale. Paqja, Liria, Demokracia, Pavarësia dhe Prosperiteti po sfidohen dhe kërcënohen rrezikshëm. Të gjithë e dimë se këto fjalë regjistrojnë pasuritë më të çmuara të njerëzimit. Por ne harrojmë lehtësisht të kujdesemi për to.

Mbase ka ardhur koha që brezi i ri të marrë iniciativa. Me beteja individuale dhe kolektive për t’u rezistuar fuqive autoritare që kërcënojnë Demokracinë, Liritë dhe vetveten. Për të sfiduar e luftuar Gënjeshtrën, Mashtrimin e Korrupsionin të ngritura në sistem. Për të ringjallur shpresën. Për të forcuar cilësinë e demokracisë. Për të sfiduar dhe kërkuar të drejta, liri dhe mundësi të reja. Këto mesazhe dhe slogane të brezit tim, besoj se mbeten të rëndësishme dhe të dobishme në çdo kohë.

Në kohë të vështira, si ato që po kalojmë sot, luftërat për Demokraci dhe Liri, mbeten më aktuale se kurrë. Sigurisht, rruga drejt Lirisë dhe Demokracisë nuk është e shtruar me lule. Mirëpo, 8 Dhetori 1990 na kujton se e pamundura mund të bëhet e mundur, përderisa mendimet shndërrohen në veprime!

Prandaj Dhjetori ’90 çdo vit e çdo përvjetor ka qenë e do të jetë shansi i artë e i pashfrytëzuar deri tani i politikës shqiptare, të bëhet zëri modern i logjikës dhe i përparimit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular