BallinaEkonomiKërkesat në rritje për kapital, bankat “rebelohen” ndaj Bankës së Shqipërisë

Kërkesat në rritje për kapital, bankat “rebelohen” ndaj Bankës së Shqipërisë

Rritja e madhe dhe e vazhdueshme e kërkesave rregullatore për kapitalizimin ka shkaktuar pakënaqësi mes bankave tregtare.

Shoqata e Bankave së fundmi i është drejtuar me një letër bankës qendrore ku kërkon marrjen në konsideratë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të rritjeve të pritshme të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara MREL.

Bankat më të mëdha të sektorit këtë vit po përballen me një rritje të mëtejshme të kërkesave për kapital. Deri në fund të vitit 2023, këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Aktualisht, ky detyrim ka hyrë në fuqi për katër bankat me rëndësi sistemike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka OTP Albania, si edhe për Bankën Intesa Sanpaolo Albania. Ato janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), sipas rregullores së miratruar nga Banka e Shqipërisë në dhjetor 2020. Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.

Deri në vitin 2027, raporti i kërkuar i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat më të mëdha mund të arrijë deri në 27%, nga 12% që ishte kërkesa minimale deri në vitin 2019.

Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makrprudenciale të kapitalit.

Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.

Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit shtator arriti në 19.63%, nga 19.3% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut dhe është parametri më i rëndësishëm rregullator për sektorin bankar dhe treguesi kryesor i aftësisë së bankave për t’iu rezistuar humbjeve të mundshme në të ardhmen.

Bankat tregtare e konsiderojnë të tepruar dhe të paarsyeshëm valën e rritjeve të njëpasnjëshme të kërkesave rregullatore për kapital nga Banka e Shqipërisë.

Sipas tyre, kjo lëvizje rrit kostot e ndërmjetësimit dhe e bën sektorin bankar gjithnjë e më pak tërheqës për investitorët. Rritja e vazhdueshme e kërkesave për kapital i vendos bankat përballë nevojës për të injektuar vit pas viti kapital shtesë, ose përndryshe për të ulur vlerën e aktiveve me rrezik, kryesisht të kredive.

Në këtë mënyrë, rritja e vazhdueshme e kërkesave për kapital mund të ketë ndikime të konsiderueshme negative në kreditimin e ekonomisë. Bankat janë përpjekur në vitet e fundit që një pjesë të kërkesës shtesë për kapital ta mbulojnë nëpërmjet emetimit të obligacioneve me ofertë private.

Deri tani, shtatë nga 11 bankat tregtare në vend kanë emetuar ose janë në process emetimi të këtyre obligacioneve. Megjithatë, këto instrumente mund të njihen deri në masën 33% të kapitalit rregullator dhe banka të veçanta janë afër këtij kufiri. Nga ana tjetër, përmasat e vogla të tregut financiar e bëjnë të vështirë mbulimin e kërkesës në rritje të sektorit bankar.

Bankat dhe institucionet financiare janë emetuesit kryesorë të obligacioneve korporative në tregun shqiptar. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e këtij viti arriti në 13.89 miliardë lekë, në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./E.Shehu/Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular