Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi thotë se kjo forcë politike nuk do të ndjekë rrugën e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka bërë thirrje për mosbindje civile.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kthupi u shpreh se Partia Demokratike nuk bashkëpunon me persona të shpallur “non grata”.
“Që nuk do e ndjekë kjo është e sigurtë. Për një mori arsyesh të pafundme. Është një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar. PD nuk mund të bashkëpunojë me persona non grata. Ne vlerësojmë që është një lëvizje personale, për mbrojtje personale ndaj drejtësisë. Berisha vazhdon të pretendojë që është kryetar i PD. Bëhet fjalë për një grupim politik, është uzurpim i një titulli që nuk i takon. Nuk ka asnjë titull ligjor. Nëse një grupim njerëzish mblidhen në një vend të caktuar, jo domosdoshmërisht i bën një parti. Është lëvizje personaole, për një qëllim personal. Ky nuk është aksion opozitar. Është vetë deklarim, faktet tregojnë që nuk është një aksion opozitar. Kjo nuk është opozitë, duhet të kesh program, parime, të kesh interes, duke propozuar ligje apo të korrigjohen problemet e qeverisë aktuale. Jemi në kushtet e një beteje personale, për fat të keq ka marrë peng një pjesë të opozitës”, theksoi ai.
Sipas Kthupit, nuk mund të bëhet federatë opozitare, nëse nuk ka parime.
“Që të bësh federatë, në lidhje me çfarë? Nëse opozita presupozohet të bashkohet, bashkimi bëhet për parime, për platforma. Ajo që propozohet nga partitë e vogla është të bashkohemi në një tryezë si e vetmja mënyrë për të mundur Edi Ramën. Jo, nuk është kjo mënyra. Opozita ka provuar që me votë, në gjendjen që është nuk mund të mundë qeverinë. Opozita duhet të ketë parime. Duhet të luftojmë për interesat e qytetarëve, duke pasur një program, parime, platformë”, deklaroi Kthupi.
Në lidhje me propozimet e mazhorancës për ndryshimin e legjislacionit për komisionet hetimore, Kthupi tha: “Unë nuk i kam parë ndryshimet ligjore ende. Di që për komisonet hetimore ligjet janë të vjetëruara, mbi 20-vjeçare. Ka nevojë për një qasje të re.”
Ndër të tjera, Kthupi nënvizoi se SPAK duhet të hetojë 21 Janarin.
“Vendimi i Gjykatës së Strasburgut sakëson faktin që ka një mungesë hetimi. Ka konkluduar që ngjarja duhet të hetohet dhe e cilëson vrasje shtetërore. Ky vendim i gjykatës duhet të vërë në lëvizje prokurorinë dhe prokuroria të fillojë hetimet. Është një dosje që i takon SPAK ta hetojë, përfshin strukturat më të larta të shtetit. Është detyrë e prokurorisë të hetojë dhe të gjejë fajtorët e vërtetë”, tha ai./abcnews.al