BallinaEkonomiBanka e Shqipërisë organizon Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

spot_img
spot_img

Mbi Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Në datat 4-5 dhjetor 2023, Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.

Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2023, si një aktivitet shkencor të kthyer tashmë në një platformë solide për shkëmbimin dhe diskutimin e punëve kërkimore në lidhje me temat e bankingut qendror.

Programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën. Temat e këtij viti mbulojnë fusha të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar si dhe çështje e sfida të momentit si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare.

Gjatë dy ditëve të punimeve të aktivitetit do të prezantohen dhe diskutohen mbi 37 materiale studimore, prej të cilave 9 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Hapja e punimeve u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Guvernatori Sejko u shpreh se evoluimi i agjendës së aktivitetit tonë pasqyron natyrën dinamike të sfidave me të cilat përballemi. Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë. Ai shtoi se ky workshop do të shërbejë për të kuptuar më mirë origjinën dhe kompleksitetin e këtyre sfidave dhe për të hartuar politikat e duhura për trajtimin e tyre.

Guvernatori Sejko theksoi se në Shqipëri, këto ngjarje po riformësojnë orientimin e ekonomisë dhe fokusin sektorial, duke nxitur rritjen në disa fusha, ndërsa po zëvendësojnë gradualisht peshën e disa sektorëve tradicionalë. Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se bankat qendrore duhet ende të zbulojnë se si të normalizojnë politikën monetare dhe bilancet e tyre, në përputhje me pozicionet e parakrizës, pa kërcënuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Janë të shumta ato banka qendrore që kanë filluar të kuptojnë se objektivat e tyre dhe qëndrueshmëria afatgjatë e politikave që ndjekin, përfshijnë dimensione të shumëfishta dhe shtrihen përtej stabilitetit të çmimeve për t’u përafruar me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Roli i bankës qendrore në arritjen e këtyre objektivave – qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nëpërmjet politikës monetare dhe rregullimit financiar, edukimit dhe përfshirjes financiare – është më jetik se kurrë, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë bankën qendrore dhe suksesin e politikave të saj.

Guvernatori Sejko shtoi se Banka e Shqipërisë ka ideuar dhe nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivit kryesor të bankës atë të stabilitetit të çmimeve dhe të objektivave të tjerë të lidhur me strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare – dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin. Këto iniciativa janë mbështetur dhe kanë përfituar nga kërkimet shkencore të Bankës së Shqipërisë në fushat e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të individëve dhe të sektorit privat. Digjitalizimi i financës dhe parasë po transformon rrënjësisht panoramën ekonomike dhe atë financiare, duke ndryshuar perceptimet dhe sjelljet e publikut ndaj vendimeve monetare dhe atyre financiare. Ky ndryshim radikal kërkon qasje të reja në analizë, vendimmarrje dhe komunikim me publikun, veçanërisht përballë të panjohurave që vijnë nga teknologjitë gjithnjë në zhvillim e sipër. Rrjedhimisht, ju inkurajoj që të thelloni studimet në këto çështje kritike.

Guvernatori Sejko përfundoi fjalën duke falënderuar diskutantët, drejtuesit e sesioneve dhe stafin e Bankës së Shqipërisë për kohën dhe përpjekjet dedikuar këtij aktiviteti të rëndësishëm, duke i ftuar të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të zhvillojnë një debat energjik e frytdhënës.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular