Kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti u nderua sot me titullin “Qytetar Nderi” i Tropojës.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi në një postim në rrjetet sociale.
“Kisha nderin dhe kënaqësinë të prisja në Tropojë liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti.
Një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe udhëheqësi i proceseve progresive kombëtare”, theksoi Byberi.
Kryebashkiaku Byberi u shpreh se “Ali Ahmeti nuk është vetëm “Qytetar nderi” i bashkisë së Tropojës, por nder e personalitet i shquar për të gjitha trojet shqiptare”.
Manifestimi kryesor u mbajt në qytetin e Bajram Currit, shoqëruar me një program të pasur kulturor dhe artistik.
Në fjalën e tij falënderuese për nderimin e tij, Ahmeti do të bënte me dije edhe faktin se më datë 28 janar në Maqedoninë e Veriut për herë të parë do të ketë një kryeministër shqiptar, por pa thënë se kush do të jetë njeriu që do të drejtojë qeverinë e Shkupit në 100 ditëshin tranzitor të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme atje.
Ndërkaq, përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ali Ahmeti ka falënderuar të gjithë ideatorët për akordimin e këtij titull, teksa shton se nuk ka arritje më të madhe se sa realizimi i misionit kombëtar që shqiptarët të jetojnë të lirë në trojet e tyre, me gjuhën dhe flamurin e tyre.
“I nderuar të isha sot në mesin e bashkëatdhetarëve të mi të Tropojës, përjetë mirënjohës për mikëpritjen e tyre dhe nderin e madh që më bënë duke më dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
Kur fillova veprimtarinë time kombëtare, bashkë me shokë në mendje e zemër na udhëhiqte vetëm një mendim, të shohim shqiptarët të lirë, të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe të trasojmë bashkë rrugën e përparimit me ato vlera të shenjta kombëtare, me gjuhën e flamurin tonë të lashtë.
Sot nuk mund të ketë shpërblim më të madh për mua se konkretizimi i këtij ideali kudo ku frymohet shqip, kauzë për të cilën kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe tropojanët.
Misionet tona kombëtare nuk kanë mbaruar, para nesh shtrohet përgjegjësia e ruajtjes së asaj që e fituam me gjak dhe rruga e përparimit që ka një horizont, atë të Bashkimit Europian.
Bashkë do t’ia dalim ashtu siç ia dolëm në fushëbetejat e lirisë! Unë në Bajram Curri do të kthehem bashkë me Tahir Sinanin e derdhur në bronz”, shprehet Ali Ahmeti .