BallinaKryesoreHetimet në sferat e larta si normalizim i rendit demokratik

Hetimet në sferat e larta si normalizim i rendit demokratik

spot_img
spot_img

Nga Preç Zogaj
Momenti i përballjes së politikanëve  dhe ish politikanëve të lartë me hetimin penal dhe drejtësinë  “lexon” në vetvete shkallën e sundimit të ligjit në vend. Njëherësh, botëkuptimin e tyre për ndarjen e pushteteve në shoqërinë demokratike.

“Askush mbi ligjin”, si postulat i shtetit të së drejtës, ka parasysh parasëgjithash pikërisht një fashë të fuqishmish që janë të tunduar ta shohin veten jashtë çdo hetimi, akuze penale, gjykimi dhe dënimi për krimet  e provuara.

Vendet demokratike e kanë normalizuar me kohë kalimin në skanerin e drejtësisë të  zyrtarëve të lartë kur ndaj  tyre ndërmerren hetime dhe ngrihen akuza. Vetë këta ndërtojnë mbrojtjen që ua garanton ligji, por as e çojnë nëpër mend të shmangin drejtësinë. Nuk munden, edhe  po të duan. Pengimi i drejtësisë u kushton edhe më shtrenjtë.

Në  vendin tonë, për një kohë të gjatë kastat politike e vunë  veten mbi ligjin, mbi drejtësinë, mbi  llogaridhënien institucionale. Duke sfiduar  me arrogancë edhe ato pak përpjekje  të  organeve të drejtësisë  për të zbardhur afera të ndryshme. Kjo sjellje e mundësuar nga  solidariteti  de fakto  i kastës plurale  për ta mbajtur drejtësinë jashtë godinave të pushtetit prodhoi dy pasoja  shumë të rënda për demokracinë  tonë:  pandëshkueshmërinë në sferat e larta dhe  invalidimin e vetë  drejtësisë. Sfidanti kampion në këtë rrafsh mbetet Sali Berisha. Për çfarë edhe është cilësuar pengues i drejtësisë në pikën e tretë të shpalljes së tij non grata nga Departamenti i Shtetit amerikan.

 

 

Me ndryshimet që kanë ndodhin  e po ndodhin këto dy vitet e fundit hetimi dhe gjykimi i ministrave, ish ministrave dhe zyrtarëve të tjerë  të lartë nuk është më një tabu. Shpresa se pandëshkushmërisë po i vjen fundi është në rritje.  Sipas sondazheve në televizionin  Euronews Albania, SPAK është ndër institucionet me besueshmërinë me të lartë në publik.

E mira do të ishte që pikërisht ata që i kanë më shumë borxhe drejtësisë të jepnin shembullin e  respektimit të institucioneve të saj. Duke e sfiduar ballë-për-ballë, në organin e akuzës apo në sallën e gjyqit, prokurorët e gjyqtarët. Ky është rregulli.

E kanë zbatuar Andreoti, Berluskoni, Shirak, Sarkozi, Tramp… Lista e presidentëve dhe ish Presidentëve të hetuar apo edhe të  dënuar  është e gjatë.

E ka  zbatuar në Shqipëri ish kryeministri Fatos Nano në vitin 1993 dhe gjatë gjithë procesit farsë që çoi në dënimin e tij, ku së fundi mori  pafajësinë dhe rilindi politikisht si i dënuar politik nga pushteti. E zbatojnë aktualisht ministrat Mediu, Beqja  dhe të tjerë.

Për  të gjitha ata që nuk mendojnë të fshihen, përballja për akuzat në aulën e drejtësisë nuk ka alternativë tjetër. Paraqitja në prokurori a në gjykata ditën kur i  thërrasin rrezaton përulësinë e  shtetarit dhe vlerën e  shembullit  të mirë  për të tjerët.

Ndërgjegja demokratike dhe njerëzore e konsideron virtyt reagimin kundër shkeljes së të drejtave të  personit në hetim a nën akuzë.  Bota demokratike ka plot organizata që reagojnë  menjëherë kundër proceseve politike. Reagojnë qeveritë, shtetet.  Në rastin e burgosjes se Nanos ka patur pafund  deklarata të tilla. E njëjta gjë  do të ndodhë përsëri nëse shihet se Berishës apo zyrtarëve e ish zyrtarëve të tjerë të lartë do  t’u bëhen procese të natyrës së gjuetisë së shtrigave.

Por nuk ndodh dhe nuk ka arsye të  ngrihen alarme  sepse  SPAK po kërkon të marrë në pyetje ish kryeministrin. SPAK është organi i akuzës. Drejtësinë e jep gjykata. Sot, në një sistem gjykimi të  hapur me disa shkallë, nuk ka shanse të dënohesh me vendim të formës së prerë me akuza të montuara. Në të kundërtën, kur subjekt  hetimi janë njerëz të fuqishëm, rreziku më i madh është që i akuzuari t’ja hedhë pa u lagur për ato që ka bërë.

Ne nuk kemi patur e nuk kemi një drejtësi  që e ka tepruar me zellin e saj sektar. Për shumë kohë kemi patur  një drejtësi të nënshtruar ndaj politikës. Me SPAK-un, me  prokurorët kurajozë dhe profesionistë  të këtij institucioni, me gjyqtarët në lartësinë e misionit, me mbështetjen  e madhe amerikane dhe europiane për drejtësinë e  re, historia po kthen fletën, drejtësia po konsolidohet. Pavarësisht shigjetave që lëshon herë-pas-herë drejt SPAK kryeministri Rama, apo sulmeve të përditshme denigruese të ish kryeministrit Berisha.

Kjo është një sfidë për një të ardhme vërtetë të re. Është ndërkaq një betejë e një rrafshi të  gjerë  me pjesëmarrjen e shumë segmenteve  politike, mediatikë dhe ekonomike.

Në një anë është përpjekja për të “normalizuar” sanksionimet non-grata  deri duke dashur t’i  bëjë qesharakë si akte. Në anën tjetër përpjekja për të normalizuar drejtësinë e munguar për dekada në sferat e larta.

Normalizimi i sanksionimeve na çon në izolim nga perëndimi. Normalizimi i hetimeve çon në normalizimin e rendit demokratik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular