Këshilli i Mandateve miratoi dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e Imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij.
Mes 6 votave pro, pesë i përkisnin përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Këshillin e Mandateve dhe një votë i takonte deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj.
Tashmë pritet që relacioni të përgatitet dhe t’i shkojë Kuvendit ku do të votohet në seancën plenare të 21 dhjetorit.
Këshilli po ashtu caktoi Klotilda Bushkën si relatore, e cila do të përgatisë raportin që do t’i dorëzohet Kuvendit në seancën e 21 dhjetorit.
Ish-kryeministri nuk ishte i pranishëm gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, por u mbrojt nga dy avokatët e tij, të cilët pretenduan për shkelje të Kushtetutës në dhënien e masës nga SPAK ndaj klientit të tyre.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ndryshimin e masës nga “detyrim paraqitje” në “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha, me argumentimin se shkeli dy herë masën e parë duke mos u paraqitur çdo ditë të hënë në ambientet e SPAK.
Berisha është i pandehur për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij ka ndërtuar dhjetra pallate. Sa i përket Jamarbër Malltezit, GJKKO vendosi ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.