Gjykata Kushtetues ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të opozitës në lidhje me rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke bërë legjitime kështu masën e dhënë ndaj tij nga GJKKO “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Sipas Gjykatës Kushtetuese nuk legjitimohen deputetët t’i drejtohen për një çështje të tillë, në emër të një individi kësaj gjykate.
“Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar në nenin 54, pika 3 të ligjit nr. 8577/2000 të ndryshuar, me shumicë votash, vlerësoi se Kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye: neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit nga njëra anë dhe SPAK dhe GJKKO nga ana tjetër”, thuhet ne njoftim.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, demokratët kërkonin të zgjidhnin konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.
Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët demokratë kërkuan gjithashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës.
Kujtojmë që SPAK i kërkoi më 12 dhjetor Kuvendit autorizimin për arrestimin e Sali Berishës në kushtet kur ish-kryeministri nuk zbatoi masën e gjykatës, atë të detyrimit për tu paraqitur. SPAK kërkoi ta zëvendësojë masën dhe ta ashpërsojë në arrest shtëpie ose arrest me burg.