NGA PËLLUMB NAKO
Sa herë që diskutohet për valët e migracionit të parregullt, në mënyrë klasike gjithmonë fenomeni është parë nën optikën e një sfide ndërmjet humanizmit dhe sigurisë së vendeve të destinacionit. Kurse për sa u përket vendeve të origjinës dhe ato të tranzitit, fenomeni në tërësinë e tij është lidhur me sfidën e autoriteteve kompetente kombëtare në raport me kontrabandimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore nga grupet kriminale. Ndërtimi i sistemeve të azilit në vendet tranzit në kufi me Evropën, pavarësisht impenjimeve të kësaj të fundit, ka rezultuar dështim.
Në vende, si i ynë konkretisht, janë rritur shumë procedimet penale për “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Arsyet janë të shumta dhe jo gjithmonë të lidhura me vendet tranzit, por më shumë për shkak të kompleksitetit të fenomenit dhe pamundësisë së këtyre vendeve për të pasur në dorë instrumentet e zgjidhjeve ligjore. Me gjithë përpjekjet madhore të vendeve të destinacionit, herë të larta e herë më të qeta, dallgët e migracionit të parregullt afrikan dhe aziatik drejt Evropës Perëndimore janë të pranishme në mënyrë të qëndrueshme.
Ky presion i përhershëm i flukseve të parregullta migratore ka bërë që përveç përballjes direkt me fenomenin në fjalë, vendet e Evropës Perëndimore si destinacioni kryesor i tyre, të ndryshojnë edhe mënyrën e tyre të bërjes politikë me këto vende. Kurse vendet e origjinës e të tranzitit kanë parë të flukset migratore një mjet për të bërë presion mbi vendet e destinacionit, në mungesë të formave të tjera të arritjes së qëllimeve të tyre politike. Ka të tjerë, të cilët fenomenin e shfrytëzojnë për përfitime apo mbështetje politike nga vendet e Bashkimit Evropian, pavarësisht problemeve të tyre të brendshme me natyrë të thellë korruptive apo mungesë demokracie.
Në terma më konkretë, kjo do të thotë që vendet e Bashkimit Evropian dhe vetë Komisioni të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me vendet burim apo tranzit migracioni të parregullt, duke u bazuar në gatishmërinë e tyre për të eliminuar këtë shqetësim për ta. Dhe “si shpërblim”, Evropa ushtron një lloj presioni politik të zbehtë mbi korrupsionin dhe shtypjen e të drejtave të njeriut, që dominon në këto vende. Kjo sepse dihet që vendet burim migracioni kanë pak ose aspak parametra të lidhura me demokracinë.
E njëjta gjë edhe për vendet e tranzitit, në kufi me Evropën, ku kastat politike mendojnë më shumë për përforcimin e sundimit sesa për përfitim të vendit të tyre. Disa këto vende mundohen të destabilizojnë Evropën, disa të tjerë të përfitojnë politikisht mbështetje nga vendet e BE-së.
Më konkretisht:
Junta ushtarake, e cila pak muaj më parë u vendos në shtetin e Nigerit, në zemër të Afrikës, këto ditë ka shfuqizuar ligjin 2015-36, i cili kishte tetë vjet që ishte adoptuar. Ky ligj kriminalizonte trafikimin e emigrantëve të parregullt në këtë vend dhe abrogimi i tij u jep dorë të lirë grupeve kriminale të organizojnë kontrabandimin e qenieve njerëzore nga vetë Nigeri dhe nga vende të tjera rreth tij drejt Libisë dhe Algjerisë e më pas drejt Italisë.
Ky vendim i qeverisë ushtarake vjen si rezultat i mosnjohjes të saj nga ana e Komisionit Evropian. Ndërkohë që qeveria e mëparshme e rrëzuar prej juntës në fjalë, thellësisht e korruptuar, mbante marrëdhënie të mira me Komisionin pikërisht në sajë të qëndrimit të ashpër ligjor ndaj organizatorëve të trafikut të migrantëve. Fakti duket si mjaft i largët për interesin e vendit tonë, por kur mendon marrëveshjen ndërmjet qeverisë së Tiranës dhe asaj të Romës, pasojat e këtij vendimi mund të ndihen shpejtë ose shumë shpejtë edhe në vendin tonë. Kjo sepse bëhet fjalë për flukse që e tentojnë Evropën nëpërmjet Mesdheut Perëndimor, kryesisht drejt Italisë.
Sipas medies perëndimore, thuajse çdo të hënë nga ky vend nisen drejt Libisë fqinje rreth dyqind kamionë të mbushur me mallra, por edhe me shumë emigrantë që vijnë nga thellësia e Afrikës. Ndërkohë i njëjti presion nëpërmjet përdorimit kriminal të migracionit ilegal, ndihet edhe me mijëra kilometër nga Afrika, në veri të Evropës. Finlanda, vend verior i Bashkimit Evropian po ndjen gjithmonë e më shumë presionin e migrantëve afrikanë e aziatikë, pasi ata depërtojnë në këtë vend duke tranzituar nga Rusia. Rritja e madhe e flukseve me prejardhje nga ky vend ka bërë që vendi të mbyllë këto ditë katër Pika të Kalimit Kufitar me Rusinë, duke lenë të hapura vetëm disa në veri.
Pas këtyre zhvillimeve, kryeministri finlandez deklaroi: “Finlanda është përgatitur për lloje të ndryshme veprimesh dhe aktesh keqdashëse nga ana e Rusisë. Pra, kjo situatë nuk është surprizë”. Sipas vlerësimeve mediatike të këtij vendi, Rusia po përpiqet që nëpërmjet këtyre flukseve të destabilizojë vendin që sapo ka hyrë në NATO dhe vetë Bashkimin Evropian. Bashkim Evropian ka folur “për instrumentalizim të turpshëm të migrantëve” nga ana e Rusisë kurse Finlanda flet për “shantazhim të qenies njerëzore”, duke e akuzuar në këtë mënyrë Rusinë se i detyron këta emigrantë të shkojnë drejt territorit të saj.
Sigurisht, Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza. Po ashtu, Finlanda është mbështetur edhe nga Polonia, e cila nga ana e saj ka evidentuar të njëjtin fenomen të rritjes së dukshme të flukseve migratore në kufijtë e saj me Bjellorusinë. Nga ana tjetër janë rreshtuar edhe vendet e destinacionit të cilat herë direkt, herë nëpërmjet Komisionit Evropian ndërmarin nisma ligjore dhe hapa diplomatike të shoqëruara me financime për të vënë murin pritës të këtyre dallgëve migratore, jashtë kufijve të Evropës.
Ato veprojnë edhe duke ndihmuar financiarisht vendet fqinjë me Evropën, të cilat angazhohen për partenariat në ndalimin e flukseve, edhe duke shkuar gjithmonë e më shumë drejtë një eksteriorizimi të menaxhimit të flukseve migratore para se ato të hyjnë në Evropë. Pra, procesi i përzgjedhjes së migrantëve të parregullt të kryhet jashtë territorit te vendeve të Bashkimit Evopian.
I nisur si ide nga Britania, hapi i parë në këtë drejtim është hedhur nga qeveria e Tiranës në marrëveshje me atë të Romës. Nëse për Italinë marrëveshja futet në logjikën e strategjisë së eksteriorizimit të përzgjedhjes së migrantëve për azil, për Tiranën përbën një përfitim politik për kryeministrin, pasi në këtë mënyrë Italia me siguri do të mbajë një sy mbyllur ndaj abuzimeve të zakonshme qeveritare. Mjaftojnë këta pak shembuj për të ilustruar idenë sesi migracioni i parregullt, apo mizerja e mijëra e mijëra njerëzve të braktisur nga qeveritë e tyre të korruptuara dhe të ngelura në duart e fatit është kthyer në një instrument shkëmbimesh në tregun politik botëror.