Fermave bujqësore dhe blegtorale do t’u njihet më shumë TVSH e zbritshme te shpenzimet e karburantit për qëllime të veprimtarisë ekonomike.
Normativat e përdorimit të karburantit për njohje të shpenzimeve të zbritshme të TVSH-së të mbështetura në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” për këtë aktivitet janë 3%.
Ndryshimet në Udhëzimin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktojnë se për fermat bujqësore dhe blegtorale njohja e TVSH-së së zbritshme do të jetë deri në 12% të shpenzimeve për karburantin e blerë. Ndryshimet nuk do të zbatohen për naftë e përfituar pa akcizë nëpërmjet skemave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë.
“Në udhëzimin nr. 6, datë 30.1.2015, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë: Në nenin 55, “Kufizime të zbritjes së TVSH-së për disa furnizime”, bëhen këto shtesa: Pas germës “c”, të pikës III, shtohet pika “ç”, me këtë përmbajtje: “ç) Fermat bujqësore dhe blegtorale, deri në 12%.
Mbas paragrafit “Llogaritjet, për sa i përket aplikimit të normativave, bëhen dhe regjistrohen në librin e blerjes. Kufizimet e tjera të së drejtës së zbritjes së TVSH-së aplikohen sipas nenit 74 të ligjit”, shtohet paragrafi si vijon: “Normativa e kreditimit, për fermat bujqësore dhe blegtorale, të cilat janë përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes, do të llogaritet vetëm për litrat shtesë. Procedurat e detajuara të verifikimit të transaksioneve, kontrollit të tyre dhe njohja e kreditimit, kur plotësohen kriteret ligjore, detajohen nga DPT-ja në pjesën e Manualit të Kontrollit të dedikuar për këto transaksione”, përcaktohet në udhëzimin e ndryshuar.
Ndryshimet vlerësohen pozitive nga përfaqësues të industrisë përpunuese të qumështit, pasi sipas tyre rritja e kufirit të shpenzimeve për karburant me TVSh të zbritshme do të nxisë formalizimin e fermave.
Me kushtin që karburanti i blerë të përdoret vetëm për nevoja të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, e drejta për të zbritur TVSH-në ushtrohet deri në normativat e përcaktuara sipas veprimtarive në udhëzimin për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Për sektorin e peshkimit kjo normativë është 10%, në ndërtim varion nga 8 deri 33%, për transportin e udhëtarëve 43%, të mallrave me mjete teknologjike 78%, në tregti 3% dhe veprimtari të tjera 2%.