BallinaEkonomiBanka Islamike për Zhvillim largohet nga UBA, Eurosig bëhet aksioner i vetëm...

Banka Islamike për Zhvillim largohet nga UBA, Eurosig bëhet aksioner i vetëm i bankës

Banka e Bashkuar e Shqipërisë njoftoi të enjten se kompania e sigurimeve Eurosig do të bëhet aksioneri i vetëm i bankës, pasi ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e kuotave të mbetura të aksionerit të pakicës, Bankës Islamike për Zhvillim (IDB).

Banka nga Arabia Saudite, që mban ende 14.37% të aksioneve në UBA, ka vendosur të dalë përfundimisht nga investimi, në përfundim të një procesi disavjeçar gjatë të cilit Eurosig mori gradualisht kontrollin e bankës, nëpërmjet blerjes së aksioneve të aksionerëve ekzistues dhe nënshkrimit të aksioneve të reja të emetuara nga banka.

Largimi i Bankës Islamike për Zhvillim nga struktura aksionere do t’i hapë rrugën edhe një strategjie të re biznesi për UBA. Për sa kohë që IDB ishte aksionere, UBA ishte e detyruar të vepronte sipas parimeve të bankingut islamik. Me largimin e IDB, UBA nuk do të ketë më një detyrim të tillë dhe pritet të zhvillojë produkte standard të bankingut tregtar.

Sipas njoftimit të UBA, investimi i Eurosig ka për qëllim zhvillimin sistematik, me fokus në segmentin retail, si një pjesë themelore e objektivit për rritje në sektorin bankar.

Kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig hyri në strukturën aksionere të bankës në vitin 2019, duke blerë fillimisht një paketë si aksionere pakice, ndërsa e rriti pjesëmarrjen gradualisht, duke zëvendësuar Bankën Islamike për Zhvillim.

Vitin e kaluar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë u bë banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar, pasi Banka e Shqipërisë miratoi zyrtarisht në muajin gusht marrjen e 51% të aksioneve nga Eurosig. Në nëntor 2022, Eurosig e rriti më tej pjesëmarrjen në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, duke blerë edhe 4.3% të aksioneve prej bankës nga Bahreini Ithmaar Bank. Ndërsa në muajin dhjetor 2022, Eurosig financoi e vetme një rritje kapitali prej tre milionë eurosh, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në mbi 66% të aksioneve.

Gjatë këtij viti, Eurosig financoi një rritje të mëtejshme kapitali me shtatë milionë euro, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në pothuajse 85% të aksioneve.

Ndërkohë më datë 8 dhjetor të këtij viti, Asambleja e aksionerëve e UBA miratoi një rritje të re kapitali, në vlerën e 2 miliardë lekë të tjera. Kjo është rritja më e madhe e kapitalit në historinë e bankës. Sipas shifrave të raportuara nga banka, në fund të muajit shtator i gjithë kapitali aksioner neto ishte rreth 1.5 miliardë lekë.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të 9-mujorit 2023, UBA zotëronte 0.7% të aktiveve të sektorit bankar shqiptar, për një shumë totale prej 14.4 miliardë lekësh.

Për 9-mujorin 2023, rezultati financiar neto (sipas standardeve lokale të raportimit për qëllime të mbikëqyrjes bankare) ishte negativ në vlerën e 267 milionë lekëve./E.Shehu/Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular