Është shoqëruar me përplasje verbale mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës për projekt-buxhetin e vitit 2024-2026.
Cirku dhe shfaqja e Parlamentit u zhvendos në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke mos diskutuar për shqetësimet e njerëzve dhe problemet e buxhetit, por duke dhënë show për të mbajtur situatën të tensionuar.
Mbledhja më e rëndësishme e vitit u mbyll në shumë pak kohë, duke mos i lënë anëtarëve të Këshillit Bashkiak për të diskutuar dhe për të ngritur shqetësimet e tyre.
Në një postim në rrjetin social facebook, anëtarja e PD-së në Këshillin Bashkiak Tiranë, profesoresha Iris Beleraj, bën me dije se fjala e saj dhe e shumë kolegëve të saj është penguar.
Për përfaqësuesen e PD-së, në këtë buxhet është menduar vetëm si të zhvaten qytetarët e Tiranës dhe bisneseve të saj dhe në asnjë moment si të kthehen mbrapsht ato para në shërbime për lehtësimin e jetës së qytetarëve.
Më poshtë postimi i plotë i anëtares së PD-së, Iris Beleraj:
Mohimi i të drejtës së fjalës!
Unë përfaqësoj qytetarë të nderuar të Tiranës, të cilët me votën e tyre besuan se unë do të jem zëri i tyre në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë. Për fat të keq fjala ime, ashtu si e shumë kolegëve të mi u ndalua.
Në respekt të bashkëqytetarëve të mi po bëj me dije propozimet dhe oponencën time për buxhetin e Bashkisë së Tiranës.
Të nderuar kolegë,
Sot do të vendosim për vitin e ardhshëm se çfarë do të bëhet me paratë e qytetarëve të Tiranës.
Buxheti në fakt është një marrëdhënie. Marr fonde, para për të dhënë shërbime dhe ndihma. Kështu që sot gjykohet se çfarë merr kjo administratë nga qyteti dhe se çfarë do ti japi atij.
Bashkia ju merr nga xhepi i qytetarëve dhe bizneseve ku ata punojnë 9.2 miliard lekë të vjetra me taksën për infrastrukturën arsimore. E çfarë i jep?
Në vitin 1989, në një Tiranë më 200 mijë banorë, Bashkia ka pasur mbi 60 kopshte dhe çerdhe. Po tani qe kemi nje popullsi të katërfishtë? A janë 240 kopshtet dhe çerdhet? Jo, janë vetëm 80 dhe shumica e familjeve janë të detyruara ti paguajnë privatit mbi 200 mijë lekë në muaj, më shumë se gjysma e pagës minimale.
Çfarë ndodh me transportin publik? Sepse nga parkimet e automjeteve, nga gjobat, nga licencat e tregtimit të karburanteve etj, kjo Bashki merr rreth 10 miliard lekë…që nuk dihet se ku shkojnë sepse autobuzat që mezi ecin në qytet janë të pakët, të ngadaltë e të vjetër.
Nga taksa për lejet e ndërtimit parashikohen të merren mbi 63 miliard lekë por ku janë veprat e urbanizimit, parqet e reja, shkollat, qëndrat shëndetësore, rrugët, uji i pijshëm e kështu me radhë…
Edhe një herë, po kërkoni te merrni 334 miliard lekë nga xhepat e qytetarëve, drejtpërdrejtë dhe në mënyrë indirekte, e çfarë po i ktheni mbrapsht?
Një qytet me trafik, ajër të ndotur, ujë jo të pijshëm për gjysmën e orëve të ditës, mungesë parkimesh, një sistem autobuzash të denjë për Tanzanine dhe shkolla që në vend ti ndërtoni me taksat e qytetarëve ja u jepni ti ndërtojnë ppp-istat që i djegin leket me keq se inceneratori…me falni, ky i fundit ishte imagjinar se në Tiranë nuk kemi pasur ndonjë herë incenerator të ndërtuar por vetëm të paguar!
“Në këtë buxhet keni menduar vetëm si të merrni nga xhepat e qytetarëve të Tiranës e të bizneseve të saj, e në asnjë moment si ti ktheni mbrapsht ato para në shërbime për lehtësimin e jetës së tyre.”
Ju nuk jeni pjesë e zgjidhjes, për Tiranën ju jeni pjesa e problemit!