Një mjek shqiptar është në mesin e viktimave të shkaktuara në një aksident të rëndë automobilistik në Itali këtë të mërkurë të 27 dhjetorit.
Mediat italiane shkruajnë se nga përplasja e një ambulance dhe një autobusi të mbushur me fëmijë të mitur, kanë humbur jetën katër persona.
Viktimat janë tre personat e ekipit të urgjencës dhe pacienti që po transportohej me ambulancë nga Fossombrone për në Urbino.
Sakaq, fëmijët e mitur në autobus, ishin një grup nga famullia Madonna della Speranza e Grottammare që po shkonin në ekskursion.
Fëmijët, që ishin nga mosha tre deri në tetë vjeç u plagosën lehtë, teksa shtatë prej tyre janë shtruar në spital.
Emrat e viktimave
Ata janë Stefano Sabbatini (shofer), Cinzia Mariotti di Acqualagna (infermiere) dhe mjeku Sokol Hoxha, 40-vjeçar me kombësi shqiptare. Humbi jetën edhe pacienti që po transportohej me ambulancë: 85-vjeçari Alberto Serfilippi.