Ingrit Gjoni ka prekur me fjalët, dedikuar motrës së saj të ndjerë, Ilda Gjoni që u nda nga jeta parakohe pak ditë më parë
Këngëtarja, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se nuk e kishte menduar kurrë që do të shkruante për ikjen e motrës së saj.
“Besoj shumë që Zoti do ta shpërblejë me Parajsë për çdo gëzim që solli mes nesh në Tokë”, shprehet Ingrit Gjoni.
Ndërsa i bën premtimin se do të kujdeset përjetë për tre fëmjët e saj.
“Ilda, motra të do shumë gjithmonë dhe të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu”, i drejtohet këngëtarja.
Ilda Gjoni, e cila është nëna e aktores Anna Lika, ishte vetëm 48 vjeçe kur mbylli sytë përgjithmonë më 26 Dhjetor.
Postimi i plotë:
Ky është publikimi më i vështirë që kam bërë në jetën time… Nuk e kisha menduar kurrë që do të shkruaja për ikjen e motrës sime, më të mirës prej nesh.
Ilda Gjoni, nuk ishte veç motra jonë e mrekullueshme, ajo ishte vajza shembullore, nëna më e përkushtuar e Anës, Vikit dhe Rodeos, bashkëshortja e lumtur e Mikenit, shoqja që kushdo do të donte, mikesha që e kishte zemrën hapur për të gjithë. Ishte buza e qeshur, për të njohur dhe të panjohur.
Ajo ishte tezja më fantastike, që u bë mami e dytë e Paridit. Unë nuk do mundem kurrë të shkruaj as 1% të asaj që meritonte Ilda. Besoj shumë që Zoti do ta shpërblejë me Parajsë për çdo gëzim që solli mes nesh në Tokë. Engjët dhe qielli janë shtëpia e saj sot dhe unë lutem për paqen e saj. Ilda, motra të do shumë gjithmonë dhe të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu.
Faleminderit të gjithëve ju për dashurinë dhe kujdesin e treguar ndaj nesh. Zoti ua shpërbleftë me të mira!
Përcjellja e fundit dhe homazhet do të bëhen më 29 dhjetor nga shtëpia funerale “Parajsa”, ora 14:00, në Sharrë.