Lapardhaja: Kjo që po ndodh sot me Berishën, është paralajmërim për fundin e Ramës. Vendimi i Gjykatës së Lartë tregoi se kryetar i PD është Basha
Analisti Namir Lapardhaja ka komentuar në Report Tv kërkesën e SPAK për arrest shtëpie për Sali Berishën, si edhe refuzimin e tij për t’u përballur me drejtësinë për çështjen ‘Partizani’.
I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, analisti thotë se ish-kryeministri po e përdor partinë për interesat e tij.
Ai thekson se Berisha duhet ta lërë partinë edhe të shkojë të përballet me drejtësinë si një qytetar i thjesht dhe i barabartë para ligjit.
Sipas tij, kjo që po i ndodh sot Berishës me drejtësinë duhet të jetë kambanë alarmi edhe për politikanët e tjerë.
“Kjo që po i ndodh sot Berishës është një ngjarje e paralajmëruar dhe që ka zgjatur shumë në kohë. Është fillimi i fundit të tranzicionit në Shqipëri. Kjo rënie e Berishës, pavarësisht një periudhe 2-vjeçare për të mbijetuar politikisht, është paralajmërim edhe për Ramën dhe klasën politike shqiptare që nëpërmjet këtij vendimi, thuhet se nëse ne arrijmë të bëjmë këtë gjë me Berishën, pavarësisht rrëmujës që ka bërë në këto dy vite, jemi gati ta bëjmë edhe me çdo politikan shqiptar”, u shpreh ai.
Një koment e pati edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë që detyron Apelin të dalë me një vendim për çështjen e vulës së PD.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë është një lajm i mirë, vendimi duhet përshpejtuar për t’i dhënë fund çështjes së legjitimitet të PD. Kryetari i PD është Basha deri në zgjidhjen e problemit”, – tha Lapardhaja.