BallinaEkonomiINTERVISTA/Flet Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e EasyPay“Bankingu i hapur në Shqipëri,...

INTERVISTA/Flet Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e EasyPay“Bankingu i hapur në Shqipëri, pritshmëritë e një realiteti të afërt”

spot_img
spot_img
Intervistë me Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e EasyPay

Aplikimi i plotë i ligjit të ri për shërbimet e pagesave pritet të rrisë konkurrencën në këtë treg.

Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e kompanisë EasyPay, shprehet se kuadri i ri ligjor dhe rregullator krijon shumë mundësi të reja për institucionet fintech në Shqipëri dhe implementimi i plotë i ligjit të ri për shërbimet e pagesave pritet të rrisë konkurrencën në këtë treg.

Megjithatë, ajo nënvizon se sfidat e implementimit të ligjit të ri janë ende të mëdha.

Si e vlerësoni zbatimin e deritanishëm të përcaktimeve të ligjit të ri për shërbimet e pagesave dhe a vlerësoni se kuadri ligjor dhe rregullator sot mundëson konkurrencë të barabartë me sektorin bankar për institucionet financiare të pagesave?

“Ligji nr. 55, ‘Për shërbimet e pagesave’”, miratuar në prill të vitit 2020, mundëson risi për tregun e pagesave të cilat u përafrohen standardeve europiane të këtij tregu (PSD 2). Risitë kryesore ishin mundësimi i asaj që quhet Open Banking me dy shërbime të reja “Inicimin e pagesës” dhe “Informimin e llogarisë”.

Por, një nga risitë kryesore që sjell ky ligj është hapja e këtij tregu, duke ndërthurur dhe duke bërë të mundur ndërveprimin midis institucioneve financiare tashmë jo vetëm Banka, por edhe për Institucionet financiare jo Banka që ofrojnë këto shërbime.

Gjithashtu, ky Ligj, për të mundësuar gjithë risitë e mësipërme, ka vendosur dhe standarde të niveleve europiane për sa i përket sigurisë së komunikimit dhe verifikimit të klientëve gjatë marrjes së shërbimeve.

Ligji “Për shërbimet e pagesave” parashikonte që nga hyrja e tij në fuqi në janar 2021, që Banka e Shqipërisë, brenda 12 muajve duhet të miratonte të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij.

Deri më tani janë miratuar 5 rregullore të rëndësishme që lidhen kryesisht me Licencimin, Mbikëqyrjen, Transparencën dhe Sigurinë dhe mbulojnë aspektet kryesore për zbatimin e ligjit.

Gjithsesi, ka ende disa aspekte, të cilat mbeten për t’u përcaktuar nga rregullatori, siç janë specifikimet teknike të zhvillimeve të Application Programming Interface (API).

Me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore kërkohen ndryshime dhe investime të konsiderueshme në infrastrukturën dhe sistemet ekzistuese, si dhe zgjidhje dixhitale në përputhje me standardet e kërkuara, të cilat janë të njëjta si për bankat, edhe për institucionet financiare jobanka, për të cilat duhet që të gjithë aktorët në tregun bankar të jenë gati në janar të vitit 2024.

Në aspektin e konkurrencës, ligji vendos disa standarde në këtë sektor, të cilat pritet të jenë të njëjta si për Bankat, ashtu edhe për Institucionet e pagesave.

Gjithashtu, duke pasur parasysh detyrimet që vendos ligji për krijimin e ndërveprimit të sistemeve midis të gjithë institucioneve, falë “Open Banking”, pritshmëritë janë që kjo të rrisë konkurrencën dhe bashkëpunimin e shëndetshëm, duke u mundësuar klientëve më shumë alternativa për të marrë shërbimet e ekzistuese, si dhe duke mundësuar zgjidhje të reja novatore që do rrisin gamën e shërbimeve dhe duke krijuar lehtësi.

Aktualisht, në Shqipëri, Fintechs nuk kanë akses direkt në infrastrukturën kombëtare të pagesave, d.m.th. në “Clearing houses” por bazuar në rregulloret e reja që solli ligji i ri i pagesave, fintechs mund të kenë akses indirekt, gjithmonë nëpërmjet një banke.

Ky sigurisht është zhvillim pozitiv në krahasim me aksesin që kishin përpara pak vitesh, por në të njëjtën kohë, mosqasja direkte nuk sjell konkurrencë të barabartë me bankat dhe rrit kostot.

Çfarë pritshmërish keni nga aplikimi i bankingut të hapur?

Nëse mund ta përshkruajmë me dy fjalë “Open Banking” d.m.th. bankingun e hapur, përshkrimi do të ishte “Open Innovation” dhe “Open Data”.

Jemi në një epokë ku vetëm me një ‘swipe’ të thjeshtë në një smartphone mund të kemi akses të menjëhershëm në pagesat me kartë krediti, pagesat e faturave, rimbushjet celulare, kontrolli dhe menaxhimi i pagesave dhe shumë më tepër!

Këto aplikacione mundësohen kryesisht nga bankat dhe institucionet financiare dhe duhet të zhvillohen në mënyrë konstante me ndryshimin e nevojave të klientëve.

Bankat tradicionalisht njihen si “risk averse”, gjë që rezulton në kompleksitete më të larta për të krijuar produkte të reja inovative, veçanërisht në një treg dinamik dhe me ndryshime të shpejta. Sot, klientët presin produkte të personalizuara, edhe në fushën bankare.

Megjithatë, qasja kritike, por e natyrshme e bankave ndaj riskut dhe produktet inovative që synojnë ofrimin e zgjidhjeve financiare të hiper-personalizuara nga Fintechs, kanë hapur dyert për implementimin e bankingut të hapur në mbarë botën.

Kështu, Sistemi i Bankingut të Hapur është procesi ku bankat dhe institucionet e tjera financiare bëjnë të disponueshme të dhënat e klientëve të tyre (me miratimin e klientit) për të gjithë aktorët në sistemin financiar për t’u aksesuar, për t’u përdorur dhe për t’u ndarë nëpërmjet Ndërfaqeve të Programimit të Aplikimit (API).

Pra, në përgjithësi, i referohet mundësisë për klientin, për të autorizuar palët e treta për të pasur akses në të dhënat e llogarisë së tyre bankare dhe për të iniciuar pagesa të ndryshme apo shërbime të tjera financiare.

Ligji i ri i pagesave, që në vetvete është përkthim i direktivës europiane të pagesave PSD2, ka kaluar në Parlament që në vitin 2020 dhe ndërkohë, këto tre vite, Banka e Shqipërisë ka miratuar disa rregullore shumë të rëndësishme, që kanë lidhje me këtë ligj dhe më në fund, në 1 Janar 2024, pritet që të fillojë implementimi i bankingut të hapur në Shqipëri.

Pritshmëria jonë kryesore është që ky afat të mund të përmbahet dhe të mos ketë më shtyrje, kështu që presim që të gjithë bankat të jenë gati të ofrojnë ndërfaqet (APIs) e tyre në mënyrë që tregu, apo klientët, të kenë mundësi të përfitojnë produkte të reja financiare që brenda vitit 2024.

Megjithatë, ka ngelur më pak se dy muaj nga afrimi i këtij afati, por në treg nuk ndihet ende që një epokë e re e bankingut të hapur do vijë së shpejti në Shqipëri. Mundet që bankat janë ende në faza të brendshme përgatitore dhe nuk kanë filluar ende të komunikojnë me aktorët e tjerë të tregut.

Easypay, si një nga fintech pioniere në Shqipëri, ka pritshmëri të larta nga implementimi i bankingut të hapur, pasi kjo do t’u jepte mundësi institucioneve të parasë elektronike të mund të integroheshin me të gjitha bankat, gjë e cila ka qenë një nga sfidat më të mëdha për institucione të tilla në Shqipëri deri më tani.

Bankat janë baza kryesore e sektorit financiar, por eksperienca në vendet europiane ku bankingu i hapur është bërë realitet, ka treguar se fintechs kanë sjellë një valë të re produktesh dhe shërbimesh inovative, të cilat kanë thjeshtuar jetën e përditshme të klientëve fundorë.

Teksa klientët fillojnë të kuptojnë vlerën e të dhënave të tyre – bankat do të jenë disi të detyruara të kalojnë drejt modeleve më të hapura dhe gjithëpërfshirëse. Klientët do të kërkojnë produkte financiare më të lehta, më të thjeshta dhe intuitive dhe kompanitë fintech mund t’i mbështesin bankat në shumë aspekte të ndryshme për ta kthyer atë një situatë të favorshme për të gjithë.

Implementimi i bankingut të hapur do të japë mundësi të shumta për zhvillim në fushën e menaxhimit të financave personale, transfertave ndërkombëtare në kanale alternative, por edhe në fushën e investimeve personale që është një treg ende i pazhvilluar në Shqipëri.

Në vitin 2024 presim të shohim se cilat do të jenë palët e treta, TPP (Third Party Providers) që do jenë dallëndyshet e para të bankingut të hapur në Shqipëri dhe si do ndërveprojnë ato me bankat e nivelit të dytë, cilat do të jenë modelet e reja të biznesit që ato do lançojnë, cilat do të jenë aplikimet më të suksesshme, përfitimet dhe oportunitetet për klientin fundor, etj.

Si i vlerësoni potencialet e pagesave elektronike në tregun shqiptar, duke vlerësuar një shkallë ende të lartë të informalitetit dhe përdorimit të parasë cash për transaksionet ekonomike?

Është e vërtetë që kemi një shkallë ende të lartë të informalitetit, por në të njëjtën kohë, duhet përmendur se ka pasur zhvillime të rëndësishme drejt formalizimit të tregut financiar. Në krahasim me vitin 2017, kemi zbritur nga një nivel prej mbi 60% të njerëzve pa akses në një llogari bankare, në një nivel rreth 40% dhe tendenca tregon që ky numër po ulet me ritme të shpejta.

Padyshim që 40% është përsëri një numër i lartë, duke konsideruar nivelin e depërtimit të smartphone në Shqipëri dhe kjo rikonfirmon potencialin e portofolave elektronikë për të mbushur këtë boshllëk mes aksesit në banka dhe në produkte inovative.

Një tjetër shembull i mirë është rritja e konsiderueshme e përdorimit të bankingut nga interneti, ku vetëm në tremujorin e parë të këtij viti është rritur me rreth 30%. Kjo tregon që individët dhe bizneset, sidomos brezi i ri, po mësohen dalëngadalë me lëvizjen e parave në mënyrë elektronike dhe mosnevojitjen e përdorimit të cash-it, sidomos për transaksionet me vlera të larta.

Gjithashtu, dhe pagesat elektronike treguan një performancë të mirë në gjysmën e parë të vitit, duke arritur nivelin e rreth 7 milionë transaksioneve, ose rreth 50 miliardë lekësh në vlerë. Infrastruktura “Acquiring” e pagesave elektronike është tashmë solide në Shqipëri dhe po zgjerohet çdo vit e më shumë, duke rritur numrin e POS-eve në vend dhe të ATM (përfshirë këtu dhe Smart ATM që janë lançuar kohët e fundit, të cilat ofrojnë dhe shërbime financiare të tjera). Pagesat nga portofolat elektronikë po rriten gjithashtu shumë shpejt dhe po marrin pjesë të tregut të pagesave elektronike.

Megjithatë, fakti që 2/3 e transaksioneve me kartë figurojnë të jenë ende tërheqje parash nga ATM tregon që shoqëria shqiptare varet nga cash-i dhe përdorimi i pagesave me kartë është ende i limituar.

Easypay, si institucion i parasë elektronike, ka dhënë kontributin e saj në treg prej shumë vitesh në konvertimin e klientëve nga klientë që bëjnë pagesa cash, në klientë që bëjnë pagesa me celularë dhe tashmë, në aplikacionin Easypay, kemi një portofol mbi 60 shërbime pagesash, të gjitha pagesa në kohë reale (ose siç njihen ndryshe ‘Instant payments’).

Në treg janë tashmë 9 institucione të parasë elektronike, nga të cilat 6 (d.m.th. 2/3) janë licencuar nga viti 2021 e tutje. Ky numër i lartë i institucioneve të tilla, lançuar në treg në prag të implementimit të Bankingut të hapur, mendoj se është një tregues i mirë që tregu i Fintechs po rritet shumë shpejt në Shqipëri dhe në mënyrë që këto institucione të mund të mbijetojnë në tregje kaq të vogla do duhet patjetër të krijojnë modele biznesi dhe shërbime inovative për tregun shqiptar.

Cilat mund të jenë avantazhet e mundshme konkurruese të institucioneve financiare të pagesave ndaj bankave?

Si fillim, Fintechs shquhen botërisht si aleatë të mëdhenj të tregut dhe klientëve, pasi rrisin kompeticionin dhe eficiencën në një treg shumë të kontrolluar, si ai financiar.

Po kështu, kompanitë FinTech janë bërë katalizatorë për bankat tradicionale për të nxitur dixhitalizimin e proceseve dhe për të “rishpikur” veten në treg, duke iu përshtatur epokës së transformimit dixhital. Duke rritur konkurrencën, duke fuqizuar konsumatorët dhe duke demokratizuar aksesin në shërbimet financiare, Fintechs stimulojnë inovacionin e mëtejshëm.

Përpara së të hyj tek avantazhet, do të doja të theksoja se ligji i ri i pagesave hap shumë mundësi të reja për bashkëpunim mes bankave dhe institucioneve financiare.

Një shembull mund të jetë fakti që ky ligj i ri u jep mundësinë bankave të punojnë me agjentë dhe duke marrë parasysh që institucionet financiare kanë një numër shumë më të madh agjentësh në gjithë Shqipërinë, bankat mund ta shtrijnë më gjerë gamën e tyre të produkteve në këto rrjete të reja distribucioni.

Duke u kthyer tek avantazhet, një nga avantazhet kryesore të kompanive Fintech është aksesueshmëria/qasja më e lartë nga klientët e thjeshtë (kryesisht unbanked). Kjo përkthehet në një rritje të popullsisë të përfshirë në sistemin bankar (financial inclusion) pasi kushdo që ka akses në internet mund të hapë një llogari dhe të kryejë pagesa të ndryshme pa asnjë problem.

Gjithashtu, kjo vlen dhe për kategorinë e personave të mësuar me shërbimet bankare, pasi portofoli i shërbimeve nga institucionet financiare është më i gjerë dhe gjithëpërfshirës në krahasim me bankat tradicionale.

Një tjetër avantazh i ndjeshëm janë kostot dhe komisionet për klientin fundor, pasi Fintechs kanë provuar të jenë ndjeshëm më eficientë në menaxhimin e kostove. Meqenëse ato nuk kanë kosto fikse të lidhura me menaxhimin e dyqaneve fizike, ato mund të ofrojnë shërbimet e tyre me kosto më të ulëta. Gjithashtu, përdorimi i lartë i teknologjisë në menaxhimin e klientit sjell ulje të kostove të personelit, gjë që lejon ofrimin e shërbimeve me komisione shumë të ulëta.

Një risi e këtij viti në sektorin financiar janë dhe implementimet nga disa institucione financiare të “Digital Onbloarding” ose thënë ndryshe, regjistrimi i plotë online i klientëve, pa pasur nevojë të shkohet në degë të firmosësh fizikisht, i cili po sjell rritje të ndjeshme të përfshirjes dixhitale të klientelës dhe në të njëjtën kohë të kënaqësisë dhe fleksibilitetit nga pikëpamja e eksperiencës së klientit.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është qasja dhe zhvillimi në një mënyrë shumë më të personalizuar të përvojës së klientit. Duke analizuar sasi të mëdha të dhënash (Big Data Analysis) dhe me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale, ata mund të ofrojnë zgjidhje financiare të përshtatura për çdo klient, në mënyra që plotësojnë nevojat specifike. Ky është një hap kyç në ditët e sotme, kur njerëzit janë mësuar me një mori aplikacionesh dhe është e vështirë të marrësh vëmendjen e tyre.

Cilat segmente të tregut të pagesave shihni më shumë potenciale për depërtimin e institucioneve fintech?

Segmentet kryesore botërore të depërtimit të Fintechs aktualisht janë: Payments as a Service (PaaS); Banking as a Service (BaaS); Insurtech as a Service (IaaS); RegTech as a Service (RaaS); Cybersecurity; Wealthtech as a Service (WaaS); Blockchain

Sipas KPMG, pagesat dixhitale qëndrojnë ende globalisht në majën e sektorit Fintech, duke tërhequr 16.2 miliardë USD vetëm gjatë gjysmës së parë të 2023.

Me dixhitalizimin e pagesave në nivel global, pagesat e menjëhershme (instant payment) nuk janë thjesht të arritshme, por janë tashmë të pashmangshme.

Megjithatë, që kjo të ndodhë, kërkon një infrastrukturë pagesash kombëtare dhe ndërkombëtare shumë më të zhvilluar se aktualja, si dhe akses të barabartë për lojtarët e tregut.

Trendi i pagesave Instant (në kohë reale) që ka filluar të ndihet në Shqipëri, ka lidhje dhe me trendin e portofolave dixhitalë që po lë pas kartat plastike. Sipas një raporti të fundit të Worldpayglobal, portofolat dixhitalë pritet të kapërcejnë kartat e kreditit për herë të parë në vitin 2023.

E-wallets kryesore në botë janë Amazon, Apple Pay, Google Pay, PayPal dhe Wechat. Në Europë, i njëjti raport thotë se paratë cash po zëvendësohen me shpejtësi nga kuletat dixhitale.

Këto përbënin 7.7% të shpenzimeve të pikave të shitjes të Europës në vitin 2021, një shifër që parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2025. Ky trend shoqërohet edhe me zhvillimin e të ashtuquajturave SuperApps, të cilat janë aplikacione financiare me një shumëllojshmëri shërbimesh të përfshira.

Një trend i ri botëror, që nuk ka hyrë ende plotësisht në tregun shqiptar, është koncepti “Buy-Now-Pay-Later”. Ky shërbim po bëhet i mundur tashmë nga institucionet financiare në bazë të ligjit të ri të pagesave dhe këto institucione do të kenë të mundur kreditimin e një pagese te klientët nëse ai/ajo nuk kanë fonde të mjaftueshme.

Kreditimi do të paguhet me këste në muajt e ardhshëm dhe i gjithë procesi do të jetë plotësisht automatik nëpërmjet aplikacionit. Ky gjithashtu mund të quhet hapi i radhës cilësor i sektorit të Mikrokredisë në Shqipëri, i cili ka pasur mjaft zhvillim në vitet e fundit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular