Publikohen dokumentet e gjyqit të Jeffrey Epstein, përmenden mbi 150 emra të njohur, mes tyre Clinton, Trump dhe princi Andrew
Qindra faqe dokumentesh nga gjyqi i trafikantit seksual Jeffrey Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019, janë publikuar në SHBA. Dokumentet që përmbajnë më shumë se 150 emra, përfshijnë disa nga viktimat e Epstein dhe figura të njohura që lidheshin me milionerin dhe që kishin vizituar ishullin e tij privat.
Emrat u mbajtën sekret për vite me radhë derisa një gjykatës vendosi se nuk kishte asnjë justifikim ligjor për të vazhduar mbajtjen e tyre nën vulë. Këta emra të profilit të lartë përfshijnë, ndër të tjera, ish-presidentin amerikan Bill Clinton, Donald Trump dhe Princin Andrew, si dhe dhjetëra emra të tjerë të njohur.
Dokumentet janë pjesë e padisë për shpifje kundër sociologes britanike dhe të besuarit të Epstein Ghislaine Maxwell nga Virginia Roberts Giuffre, e cila tha se ishte viktimë e trafikimit dhe abuzimit seksual. Maxwell po vuan një dënim me 20 vjet burg për rekrutimin e vajzave adoleshente që abuzoheshin seksualisht nga Epstein.
Dokumentet ligjore përfshijnë një pretendim të raportuar më parë për ngacmim nga Princi Andrew, të cilin ai e ka mohuar. Ish-presidentët Bill Clinton dhe Donald Trump u përmendën gjithashtu në deponimet nga Maxwell dhe një nga vajzat që ajo punësoi për Epstein, por nuk përfshiheshin akuza për keq bërje.