BallinaSportSokol Kushta: Kombëtarja do të shpalosë madhështi edhe në Europian, tifozët të...

Sokol Kushta: Kombëtarja do të shpalosë madhështi edhe në Europian, tifozët të reflektojnë dhe të tregohen lojtar i 12-të

Këtë vit do të luhet në Gjermani Kampionati Europian i Futbollit, i cili pritet me interes nga shqiptarët për shkak se përfaqësuesja e tyre ka siguruar kualifikimin. Shorti ishte i pamëshirshëm për ekipin tonë përfaqësues, pasi ra në grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, tri skuadra që janë në top-10 ekipet më të mira në botë e njëherësh pretendente për të fituar titullin europian. Por ky short nuk duhet parë vetëm i vështirë, por edhe inkurajues, pasi Shqipëria ka një skuadër cilësore, që mund të luajë me dinjitet përballë gjigantëve të futbollit kontinental e botëror. Ecuria e ekipit gjatë vitit 2023 ishte e shkëlqyer, padiskutim e shkëlqyer, ndërsa pritshmëritë të mëdha sepse, përveç elementëve cilësorë, kemi dhe një trajner befasues si Silvinjo. Për të dhënë mendime më të mira e prej specialisti, morëm në intervistë një personalitet të futbollit shqiptar, njeriu që ka dhënë emocione në fushë e me kontribute të mëdha me fanellën kuqezi, “Mjeshtër i Madh” Sokol Kushta. Ishte nga të parët që besoi në aftësitë e Silvinjos dhe me të drejtë mund të krenohet që të gjitha parashikimet e tij dolën të sakta. Në këtë intervistë Kushta bën përmbledhjen e edicionit kualifikues, por jep mendime edhe mbi pritshmëritë e skuadrës në Europian.

– Dy ndeshjet e fundit kualifikuese sikur e zbehën pak atë entuziazmin e madh të Kombëtares, edhe pse objektivi për t’u kualifikuar u përmbush me sukses, madje si vend i parë në grup. Në këtë intervistë të parë për vitin 2024, le ta nisim aty ku e lamë, nga ai barazim jo dhe aq premtues me Ishujt Faroe. Si mund të vlerësohet një mbyllje e tillë e eliminatoreve dhe, njëherësh, çfarë duhet të presim në Gjermani 2024, duke pasur parasysh shortin shumë të vështirë?

– Së pari, urojmë një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët, e me këtë rast për komunitetin e futbollit dhe ekipit përfaqësues t’i urojmë suksese! Sa i takon pyetjes tuaj, ajo mbart brenda saj shumë pyetje për shkak të disa çështjeve që trajtohen. Ndaj unë po e nis me eliminatoret që lamë pas. Kualifikimi ynë ishte strategji dhe jo bukuri që të kënaqë tifozët. Parë në këtë prizëm, mua tifozët më zhgënjyen, pasi fërshëllyen ekipin. Ne ishim të kualifikuar dhe ndeshja duhej konceptuar si festë. Na duhej një pikë në Moldavi për t’u përmbushur misioni dhe ky objektiv u arrit. Ndaj e them me bindje se ishte një vit i suksesshëm, e për këtë të fërshëllehet ekipi s’është gjë e mirë. Unë e kam thënë dhe më parë dhe po e përsëris: Kjo Kombëtare ka personalitet, ajo tregon në fushë dinjitet dhe këtë dinjitet ua jep edhe sportdashësve dhe të gjithë shqiptarëve. Ky personalitet, ky dinjitet është realisht i merituar. Në strategji ka edhe barazime, sepse luhej një eliminatore ku llogaritë bëhen në fund dhe në këtë kuadër vlen edhe një pikë, ashtu sikurse ndodhi. Për këtë edhe tifozët duhet të ishin më të logjikshëm dhe logjika e do të kishte festë, pasi strategjia doli e suksesshme. Tifozët, dhe jo vetëm, duhet të kuptojnë se sporti dhe trajneri kanë strategji. Do të fitojmë apo do të humbasim? Dhe ne nga ajo ndeshje (me Moldavinë) morëm çfarë deshëm. Nuk ishte ndeshja më e bukur, por kualifikimi ama ishte i bukur. Ne atje bëmë një pjesë të parë fantastike, por pjesa e dytë do të ishte ndryshe, për këtë nuk kishte pikë diskutimi, pasi moldavët nuk kishin çfarë të humbisnin. Ne me këtë logjikë duhet të flasim. Me atë pikë që morëm ndodhi kualifikimi historik. Ky kualifikim erdhi si pasojë e strategjisë që ndërtoi trajneri e stafi. Pra futbolli nuk është vetëm të sulmosh, por të arrish objektivin nëpërmjet strategjisë, futbolli është si lojë shahu. Tifozët e tejkaluan ekuacionin që synonte ta zgjidhte (siç e zgjidhi) stafi teknik e pikërisht kjo më zhgënjeu.

Sokol Kushta: Kombëtarja do të shpalosë madhështi edhe

– Në fakt, në rrjedhën e analizës tuaj, duhet përmendur se edhe nga ana statistikore ekipi qëndroi lart këtë herë. Por barazimi me Ishujt Faroe ishte rezultati që duket se acaroi tifozët….

– Pikërisht, mbyllëm një fazë eliminatore me pak gola të pësuar, me vetëm 4 gola, ç’ka tregon shifër fantastike për një mbrojtje të fortë e të zgjuar. Për mendimin tim kjo është gjë e madhe, që nuk kishte ndodhur më parë. Tifozët kërkonin më shumë, po çfarë mund të kishim më shumë se kaq? Ndaj sjellja e tyre më mërziti, unë do të doja të kishte festë, sepse ishim realisht për festë. Unë insistoj se gjithçka ishte strategji e kualifikimit dhe tifozët nuk duhej të fërshëllenin skuadrën. Unë e pashë ndeshjen dhe thashë “ishalla dalim barazim”, kjo do ta bënte diferencën dhe ekipi ia doli. Kurse ndeshja e fundit ishte akoma më e vështirë. Ishte një kundërshtar i përgatitur fizikisht, që vinte e luante për qejf, pa pretendime, pa objektiva, por për të hapur probleme. Edhe ne ishim kualifikuar, por ndryshimi është se ne luanim me përgjegjësi, përballë tifozëve, për vend të parë në grup, kurse rivali për të kaluar kohën. Ndaj në këtë rast nuk duhet menduar si tifoz i sëmurë, sepse është ndeshje me karakter psikologjik. Tifozi duhet të mendojë si lojtar i 12-të, sepse kështu ai ndikon psikologjikisht në të mirë të ekipit, e jo siç ndodhi ndeshjen e fundit të eliminatoreve. Shoh që jemi të paduruar, megjithëse mua nuk më bën aq përshtypje, pasi e kam provuar edhe kur kam qenë vetë në fushën e lojës, ku në fillim të fërshëllejnë e shajnë dhe kur e përmbysnim rezultatin të merrnin në krahë deri në shtëpi. E kanë tifozët këtë. Por siç thashë, për këtë jam i mërzitur pasi atë ndeshje duhej ta kthenim në festë.about:blank

– Të flasim për shortin në Europian. Natyrisht i vështirë, por një pjesë e shohin këtë si mundësi për imazh, kjo dhe për faktin se skuadrat e mëdha të lënë të luash. Cili është mendimi juaj?

– Në short kemi tri skuadra që janë vendet 8, 9 dhe 10 në ranglistën botërore. Përveç Brazilit dhe Argjentinës, ekipet e tjera në ranglistë janë europiane. Në fakt, mund të na binin në short edhe ekipe si Franca dhe Anglia që janë numrat 2 dhe 3, apo dhe Portugalia në vend të 7-të në ranglistë, ndaj shorti duhet kuptuar me të mirat dhe të këqijat e veta. Deri në vendin e 16-të (Gjermania), të gjitha ekipet janë të mëdha e shumë të forta. Natyrisht, në short unë do të doja Greqinë, Slloveninë, apo dhe Çekinë, si kundërshtarë teorikisht më të lehtë. Por jo, as çekët nuk janë të lehtë, përkundrazi. Me këtë dua të them se në Europian nuk ka rivalë të lehtë, të gjithë janë të vështirë. Cilido ekip të na binte në short të vështirë do ta kishim. Kush mund ta bëjë gjykimin, ata që janë vend i 8-të, 9-të dhe i 10-të në ranglistë, apo ti që je në vend të 60-të? Sidoqoftë, çdo e keqe e ka dhe një të mirë, pasi kundërshtarë të tillë të japin dinjitet, të madhështojnë dhe kualifikimi del në plan të dytë në këtë rast.about:blank

Me siguri që koha në dispozicion do t’i vlejë ekipit dhe stafit të gjejnë formën optimale të grupit deri në Europian. Dua të them që Silvinjo mund të ketë sërish një strategji, apo jo?

– Unë e kam përsëritur shpesh që ky trajner na ka dhënë dinjitet jo më në Europë, por edhe në botë. Kjo ndodh se ti tani diskutohesh në mediat e të gjithë botës, deri në Brazil flasin për ne. Kjo është shumë dinjitoze për ne dhe një gjë pozitive që trajneri jep dinjitet. Këtij dinjiteti i shtohet prania e Dukës në UEFA, që për mua është gjë e madhe. Iku koha kur arbitri s’na jepte penallti që na takonte e na jepte penallti kundër me një faull të bërë jashtë zonës. Tani nuk ndodh, kjo gjë u vu re edhe në këto eliminatore. Prania e Dukës në UEFA do të thotë më shumë dinjitet, por edhe përfitime në aspektin ekonomik, në politikat sportive etj. Kjo s’ka ndodhur më parë ndaj unë e shoh me optimizëm dhe si diçka dinjitoze. Më parë ne na masakronin arbitrat, e kam provuar vetë në kurriz, por tani s’ndodh dhe këto janë benefite falë zotërisë (kreut të FSHF-së). Gjërat duhen parë edhe nga ana menaxheriale, duke bërë krahasimet me trajnerin e mëparshëm, veçmas me Panuçin. Kemi stadiumin plot, të ardhura të majme, rezultate premtuese, dinjitet në rang ndërkombëtar.about:blank

– Një nga tiparet e këtij trajneri është se nuk i gjen një mburrje, kjo ndoshta e ka bërë atë të dashur për të gjithë…

– Trajnerët e mëdhenj e urrejnë mburrjen, njeriu i madh nuk mburret. Atë e mburr historia, ndaj ai është modest. Panuçi, që e marrim si shembull, ishte zero si trajner ndaj mburrej si lojtar. Por ne e kishim marrë si trajner e jo si lojtar. Maradona ka qenë lojtar shumë i madh, por jo trajner i madh. Kurse Silvinjo mori drejtimin e përfaqësueses si ushtar, si profesionist. Tekniku paraardhës (Reja) nuk i vlerësonte disa lojtarë, kurse ky u gjeti rolin në fushë dhe lojtarët shkëlqyen. Ai i spostonte, kurse ky u dha një shans. “Palaçua” erdhi dhe tha se ekipin e lashë gati. Gënjeshtër, ai nuk i kishte vlerësuar lojtarët. Ku ishin Asllani, Bajrami, Asani, madje dhe Hysaj? U desh të vinte Silvinjo që këta lojtarë të merrnin notë të lartë madje dhe nga vetë UEFA.

– T’i kthehemi shortit në Europian. Çfarë duhet të presim nga ekipi?

– Unë mendoj se varet nga ndeshja e parë. Nëse marrim barazim, kemi shpresë për kualifikim. Sepse pas barazimit duhet një fitore. Megjithatë, edhe sikur të mundemi prapë ne jemi të fituar. Kemi shumë gjëra përpara, trajneri e federata japin personalitet në këtë kohë. Sot ekipi ynë është lart, ndaj dhe në Kosovë janë disi të inatosur, pasi Shqipëria është ekipi më i kërkuar në këtë moment, pikërisht për shkak të përmasës së dinjitetit që pasqyron grupi. Shqipëria ka elementë cilësorë, mund të them se ka burime të shumta që e mbushin lumin. Kjo cilësi është gjë pozitive që duhet shpërfaqur. Nga ana tjetër, ne duhet të mendojmë edhe për vazhdimësinë dhe jam i sigurt që trajneri do të merret me këtë. Secili lojtar ka një datë “skadence”, ndaj mendimi për rinovim duhet të bashkudhëtojë me ecurinë e skuadrës.

– Një pyetje të fundit, për një lojtar të veçantë, Brojën. Ju keni qenë vetë sulmues dhe e dini që sulmuesit i duhen golat. Diçka nuk shkon me këtë djalosh, a mendon se mund ta kalojë këtë ngërç?

– Ndonjëherë është moment psikologjik, ndodh kjo me një futbollist. Duhet që trajneri të jetë psikolog për të. Broja është lojtar i mirë, por pati një dëmtim horror. Uroj të dalë nga kjo gjendje! Duhet të kuptojmë që nga dëmtime të tilla askush nuk kthehet në 100%, por do shumë punë. Ai e ka luftën me veten. Psikologjikisht po dëmtohet, por Brojën tek Çelsi e duan, ky është fakt. Nëse nuk do të ishte dëmtimi ai sot do të ishte në formacionin titullar, padiskutim. Unë uroj ta kalojë këtë fazë të keqe! Atij i duhet përkrahje dhe ana psikologjike është e domosdoshme. I duhet të aktivizohet me ekipin e tij, pastaj të mendojë për Kombëtaren. Intervistoi: Adriatik BALLA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular