Flet Muharrem Çobo, “Kantina Çobo”: Pa turizmin, kantinat e verës do të kishin mbetur në vend

0
787
Flet Muharrem Çobo, “Kantina Çobo”

Kantinat e verës në vend janë në një betejë të vazhdueshme për të fituar vëmendjen e konsumatorit vendas, i cili priret të shkojë drejt etiketave të huaja, edhe kur ato janë më pak cilësore.

Muharrem Çobo, nga “Kantina Çobo”, shprehet se nëse nuk do të ishte turizmi, i cili ka nxitur konsumin dhe vëmendjen për këtë sektor, kantinat do të mbeteshin në vend, duke e bërë rritjen e tyre të vështirë.

Ai vlerëson se vera duhet të promovohet më shumë kur i jepet zë Shqipërisë turistike, pasi është një traditë mijëvjeçare në trojet tona që daton nga ilirët.

Viti 2023 u raportua si jo shumë i favorshëm për prodhimin në një sërë kulturash dhe përjashtim nuk bënte as rrushi, që është kyç për kantinat e verës. Si ka qenë ky vit për ju?

Pjesa dërmuese e rrushit këtë vit u prish, por ai që ngeli ishte e një cilësie shumë të mirë. Ne si kantinë na mbeti në fund 30% e prodhimit potencial që ishte në fillim.

Kemi blerë një pjesë të vogël të rrushit, për të plotësuar parashikimin që kishim për prodhimin, por nuk ishte sasi e madhe. Zgjodhëm të qëndronim me atë sasi që kishim.

Panorama është krejt ndryshe këtë vit, nëse flasim për konsumin e nxitur kjo nga turizmi, ku kantinat raportojnë rritje të vizitorëve. Si është reflektuar kjo në kantinën tuaj?

Këtë vit, ne arritëm një rekord të ri të vizitorëve në kantinë, që janë rreth 14 mijë. Kanë qenë vizitorë të organizuar nga agjenci për ture degustimi, por edhe individë që vijnë privatisht për të shijuar verë dhe produkte shqiptare.

Përshtypjet që kemi marrë janë shumë pozitive dhe tregues për këtë vlerësim janë edhe blerjet pas degustimit. Turistët kanë pasur interes për të blerë verë, sigurisht në sasi të vogla, pasi janë të kufizuar, meqë udhëtojnë me avion, por interes ka pasur.

Këtë vit ka pasur një fokus të veçantë te vera dhe pjesëmarrja në panaire jashtë vendit, ku kantinat kanë shkuar të organizuara apo edhe vetë. Çfarë kanë sjellë këto aktivitete dhe a identifikohet sot Shqipëria edhe si një destinacion për verën nga etiketat që ka?

Ne si kantinë kemi qenë aktivë në pjesëmarrje. Do të veçoja këtu aktivitetin në Merano, ku shkuam privatisht dhe mendoj që është ndër më të suksesshmit për ne që nga themelimi. Ishim pjesëmarrës në disa aktivitete që u organizuan nga “Dita e Bulëzave” te Masterclass-et me shefat e mirënjohur që ishin të ftuar.

Kjo na ka krijuar vizibilitet më të lartë në mediat e huaja, që mendoj se ndikon pozitivisht për markën shqiptare të verës. Nëse flasim për identifikimin e Shqipërisë si një destinacion edhe për verën, mendoj se po, jemi në atë fazë kur numri i kantinave është rritur shumë dhe po kështu, etiketat e tyre nga veriu në jug.

Marka shqiptare e verës tani është e identifikueshme, por duhet shumë punë për ta konsoliduar edhe më tej këtë. Për shembull, si një aktivitet i lidhur ngushtë me sektorin e turizmit mendoj se promovimi edhe i verës shqiptare, kur flasim për Shqipërinë si destinacion turistik do të kishte ndikim të lartë.

Vera në këto troje është një traditë mijëvjeçare, që vjen që nga ilirët dhe nuk e kuptoj pse ne identifikohemi gjatë promovimeve me rakinë. Ajo është një tjetër pije, por nuk mund ta cilësosh si pijen karakteristike të vendit. Mendoj se duhet të jetë vera.

Mjaft të shohim mënyrën sesi ka ndryshuar mentaliteti, apo preferenca për pijet alkoolike në restorante apo bare. Dominon vera. Se çfarë vere pihet pastaj, nëse është importi apo prodhim vendas, kjo është diçka tjetër.

Shqipëria ka një sërë kantinash me investime serioze dhe ambiente të kuruara në detaj, për ta nxitur më shumë sektorin e verës.

Janë rritur shqetësimet për ndikimin e ndryshimeve klimatike në sektorë të ndryshëm dhe bujqësia, me të cilën kantinat janë të lidhura ngushtë, është një prej tyre. A i keni ndier efektet e këtyre ndryshimeve, apo ende në Shqipëri kjo nuk është aq e prekshme?

Ne si kantinë, deri tani, nuk kemi pasur ndonjë shqetësim në këtë kontekst. Mendoj se bujqësia ka vitet e veta të mira dhe më pak të mira.

Edhe këtë vit, që ishte kështu prodhimi, nuk e përjetova si dramë, pasi më duket normale. Nga historiku që kemi, mund të them se 2018 ishte më keq se viti 2023 pasi nuk ngeli asgjë. Këtë vit prodhimi ishte me zona.

Ne kemi vreshta në dy zona të ndryshme. Në një kodër ku kemi vloshin, rrushi ishte i pastër dhe, ishte shumë i mirë, si në sasi edhe në cilësi.

Në Malinat, ku kemi pjesën tjetër, morëm shumë pak. Nuk shoh ndonjë shqetësim, kur nga 2019 deri në 2022, kemi pasur vite shumë të mira.

Mendoj se këtë vit, gjithsesi mund të ishim mbrojtur më shumë, por jemi të kursyer me spërkatjet, por edhe organizimi dhe kostot na kufizojnë disi.

Sa i mbështetur është sektori i verës nga institucionet në këndvështrimin tuaj dhe çfarë mund të bëhet më mirë?

Mendoj se ka pasur nisma, por zhvillimi i sektorit duhet të vijë si nga mbështetja e institucioneve, ashtu edhe nga vetë bizneset. Të dyja palët duhet të gjejnë mënyrën për të orientuar konsumatorin te produkti lokal.

Është absurde që Shqipëria importon ende 60% të verës, ndërkohë që nxitja e konsumit nga kantinat vendase do t’i ndihmonte ato të rriteshin. Aktualisht, rritja që kanë kantinat në vend është vetëm prej turizmit dhe hovit që pati ky sektor.

Nëse s’do të ishte turizmi, sektori mendoj se do të ishte në vend.

Duhet të gjendet mekanizmi për të rritur besimin te produkti lokal. Shqiptarët nuk e njohin produktin vendas dhe kanë ende tendencën që vera e huaj është më e mirë, vetëm se është e huaj.

Duhet të jenë institucionet e treta që bëjnë promovimin e produkteve vendase dhe që garantojnë edhe cilësinë dhe sjellin edhe besim. Për shembull, një rol të rëndësishëm do të luante në këtë aspekt edhe Universiteti Bujqësor.

Si e prisni vitin 2024 sa u takon kantinave, kryesisht konsumin, duke qenë se prodhimin nuk e parashikojmë dot?

Mendoj që edhe viti 2024 do të jetë një vit më i mirë, duke e lidhur gjithmonë me turizmin. Përshtypjet e vizitorëve kanë qenë pozitive dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Jemi në dhjetor dhe prej dy fundjavash unë pres në kantinë italianë që vijnë me qëndrime të shkurtra dhe duan të shijojnë verën dhe produktet lokale.

Po ecim ngadaltë, por mendoj se jemi mirë.

Po konsumi i fundvitit që lidhet me festat, a ka sinjale për të qenë më i mirë se viti i shkuar?

Nuk shoh ndonjë rritje të dukshme. Mendoj se edhe bizneset që e shohin verën si një formë dhurate apo njerëzit që duan ta konsumojnë për festa, priren të shkojnë drejt verërave huajave, që për hir të së vërtetës një pjesë e madhe, kanë çmime të larta dhe janë verëra të dobëta. Monitor