BallinaAktualitet“Truri financiar i mafias”: Sarandjoti që pastroi 500 milionë euro të krimit...

“Truri financiar i mafias”: Sarandjoti që pastroi 500 milionë euro të krimit të organizuar

spot_img
spot_img

Nga Etleva Delia Abcnews

Një në 17 njerëz sot ne botë, rezulton të ketë përdorur lëndë narkotike. Raporti i vitit 2023 që OKB publikoi për drogën, flet për shifra gjithnjë e në rritje. Statistikat botërore tregojnë se vetëm për një ditë qarkullojnë miliarda dollarë nga droga. Vetëm 30 – 40 % e kokainës apo llojeve të tjera të narkotikëve arrin të kapet nga autoritetet. Por rikuperohet vetëm 1 % ose më pak e parave që përfitohet nga trafiku apo shitja e drogës.

E duket se kjo është lufta e vërtetë e agjencive kundër narkotikëve. Bllokimi i parave.

Lufta me drogën do të jetë gjithmonë e humbur nëse nuk fitohen disa beteja kryesore me paratë. Ekspertët janë të bindur që trafikantët do ta gjejnë gjithmonë një rrugë, për aq kohë sa paratë e tyre pastrohen dhe nuk arrihet të konfiskohen. Nëse ata varfërohen, vetëm atëherë ekziston një mundësi, edhe pse shumë e vogël, që të dorëzohen. Megjithëse për aq kohë sa me miliardat e tyre ata arrijnë të korruptojnë këdo, duket se lufta me agjencitë kundër drogës do të vazhdojë përjetësisht.

Në industrinë e drogës rolet e pjesëtarëve të një grupi apo organizate kriminale janë të ndara. Ndër njerëzit kyç, që ka dhe një ndër rolet më të rëndësishme në këtë industri, është ai që pastron paratë.

Këta persona, që njihen edhe si bankierë të fshehtë, janë shumë të rëndësishëm për grupet kriminale. Konsiderohen si “truri financiar” i mafias. Falë tyre qindra miliona euro arrijnë të pastrohen. Por nga ana tjetër, ata janë të rëndësishëm edhe për agjencitë ligjzbatuese. Arrestimi i një prej tyre, mund të çojë në zbulimin e rrjetit të krimit të organizuar.

Një ish-pastrues parash, pas arrestimit dhe përfundimit të burgut, u kthye në anën e ligjit dhe nisi të ndihmojë agjencitë ligjzbatuese në goditjen e grupeve kriminele. Kur u pyet se cili ishte ndryshimi mes një bankieri të ligjshëm dhe një bankieri të paligjshëm që pastron para, ai tha:

“Forcat e zbatimit të ligjit dhe bankierët mendojnë për pastrimin e parave nga ora 9 deri në 17, por kundërshtarët e tyre, pastruesit e parave, nuk kanë orar. Ata janë gjithmonë në kërkim të teknikave të reja për vendosjen e verës së vjetër në shishe të reja. Janë vazhdimisht në kërkim të metodave të reja për të mposhtur sistemin. Për ta është loja më emocionuese në botë. Për një bankier të ligjshëm, kjo është vetëm një punë e zhurmshme. Për trafikantët mund të jetë, jetë a vdekje, ose shumë vite burg pa mundësinë e lirimit me kusht. Kështu që është shumë më serioze për pastruesit e parave sesa për bankierin”.

Si përzgjidhet “truri financiar” i grupeve kriminale?

Zbulimi i tyre ndër vite ka qenë i vështirë. Për të justifikuar qarkullimin e shumave të mëdha parash, ata përgjithësisht ndërtonin një standard të lartë jetese. Jetonin në vila luksoze, lëviznin me makina të modele të fundit, ishin aksionerë kompanish e investonin milionë në pasuri të paluajtshme. Por mbi të gjitha duhej të kishin një moshë të përshtatshme për të justifikuar pasurinë dhe nuk duhej kurrsesi të ishin në moshë të re.

I tillë është edhe rasti i sarandjotit 52-vjeçar, Thanas Bako, që tashmë po gjykohet në Holandë për pastrim parash, pasi u arrestua nga Europol në Greqi e më pas u ekstradua atje.

Europol njoftonte zyrtarisht se:

“Një pastrues i njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë, është arrestuar më 31 maj në Athinë në Greqi. Arrestimi i tij vjen pas një hetimi të gjatë nga Policia holandeze për aktivitetet e këtij bankieri të fshehtë që vepron në Holandë. Ai dyshohet se drejtonte një organizatë kriminale, e cila pastronte miliona euro në baza mujore për kriminelët.”

Thanas Bako u ekstradua në gusht nga Greqia në Holandë dhe më 8 nëntor nisi gjyqi i tij në Roterdam.

Ndryshe nga shumë bankierë të fshehtë që pastronin paratë e krimit të organizuar vite më parë dhe zbulimi i tyre nga agjencitë ligjore ishte thuajse i pamundur, në ditët e sotme duket, teknologjia e ka bërë më të thjeshtë identifikimin e arrestimin e tyre.

Ata sot përdorin telefona të enkriptuar, të bindur se po flasin përmes tyre në mënyrë të sigurt, por që në fakt FBI dhe agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, i kanë kthyer tashmë në një armë të fortë në dobi të hetimeve.

Telefonat EncroChat u prezantuan si garantues të anonimitetit të përsosur, diskrecionit dhe pa gjurmueshmëri për përdoruesit. Këta telefona gjithashtu kishin funksione për të siguruar fshirjen automatike të mesazheve dhe një kod PIN specifik për të fshirë të gjitha të dhënat në pajisje. Kjo do t’i lejonte përdoruesit të fshinin shpejt mesazhet komprometuese, për shembull në momentin e arrestimit nga policia.

EncroChat shiti telefona për rreth 1 mijë euro secili, në shkallë ndërkombëtare. Ofroi gjithashtu abonime me mbulim mbarëbotëror, me një kosto prej 1 500 euro për një periudhë 6-mujore. Përdorimi i paligjshëm i komunikimeve të koduara vazhdon të marrë vëmendje të madhe nga agjencitë gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në të gjithë Europën.

Çmontimi i mjetit të koduar të komunikimit EncroChat, i përdorur gjerësisht nga grupet e krimit të organizuar, deri më tani ka çuar në 6558 arrestime në mbarë botën. 197 nga të arrestuarit ishin objektiva të konsideruar të rëndësishëm. Rezultatet u prezantuan më 27 qershor 2023 nga autoritetet gjyqësore dhe ligjzbatuese franceze dhe holandeze në Lille.

Hetimi përmes zbërthimit të komunikimeve të koduara në EncroChat, ishte punë e përbashkët e një ekipi të krijuar në vitin 2020, nga Franca dhe Holanda, i mbështetur nga Eurojust dhe Europol. Që atëherë janë sekuestruar ose ngrirë rreth 900 milionë euro, të konsideruara para me prejardhje kriminale.

Çmontimi i EncroChat në vitin 2020 shkaktoi valë tronditëse në të gjithë organizatat kriminale të Europës dhe më gjerë. Ndihmoi në parandalimin e sulmeve, tentativave të vrasjeve, korrupsionit dhe trafikimit në shkallë të gjerë të drogës, si dhe në marrjen e informacioneve të rëndësishme mbi krimin e organizuar.

Organizata kriminale në mbarë botën kishin përdorur ilegalisht mjetin e enkriptimit EncroChat. Që nga çmontimi i tij, hetuesit arritën të përgjojnë, ndajnë dhe analizojnë mbi 115 milionë biseda kriminale, nga një numër i vlerësuar prej mbi 60 mijë përdoruesish. Pikat e nxehta të përdoruesve ishin të përhapura në vendet e burimit dhe të destinacionit për trafikim të narkotikëve, si dhe në qendrat e pastrimit të parave.

Informacioni i marrë nga autoritetet franceze dhe holandeze u nda me homologët e tyre në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e treta, me kërkesë të tyre. Bazuar në shifrat e të gjitha autoriteteve të përfshira, Europol ka regjistruar rezultate të rëndësishme:

6 558 të arrestuar, duke përfshirë 197 persona që konsideroheshin të rëndësishëm

7 134 vite burgim për persona të shpallur fajtorë, të identifikuar përmes mesazheve

739.7 milionë euro cash të sekuestruara

154.1 milionë euro të ngrira në asete apo llogari bankare

30.5 milionë pilula droge, me substanca kimike, të sekuestruara

103.5 ton kokainë e sekuestruar

163.4 ton kanabis i sekuestruar

271 prona ose shtëpi të sekuestruara

923 armë, si dhe 21 750 fishekë dhe 68 lëndë plasëse të sekuestruara

83 varka dhe 40 avionë të bllokuar

Hetimet filluan nga Xhandarmëria Nacionale Franceze në vitin 2017, pasi zbuluan se telefonat gjendeshin rregullisht gjatë operacioneve kundër grupeve kriminale. Më vonë u zbulua se kompania që qëndron pas këtyre mjeteve të komunikimeve të koduara, operonte nëpërmjet serverëve në Francë. Përfundimisht, ishte e mundur të vendosej një pajisje teknike për të shkuar përtej teknikës së kriptimit dhe për të marrë akses në korrespondencën e përdoruesve.

Një çështje u hap në Eurojust në vitin 2019 nga autoritetet franceze. Në radhë të parë, të dhënat u ndanë me Holandën, gjë që çoi në ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore në prill të vitit 2020. Që atëherë, informacioni mbi aktivitetet kriminale u nda me autoritetet kombëtare brenda dhe jashtë BE-së, me kërkesën e tyre. Në funksion të hetimeve në vazhdim, Eurojust dhe Europol nuk mund të zbulojnë një listë të plotë të autoriteteve të përfshira.

Në këtë formë u zbukua edhe Thanas Bako. Ai përdorte telefonin ANOM. Por nuk e dinte që mesazhet e tij po lexoheshin drejtpërdrejt nga amerikanët. Telefonat kripto ANOM u zhvilluan nga FBI dhe u shpërndanë në botën e krimit si telefona të supozuar të sigurt, të koduar përmes agjentëve të fshehtë. Një telefon i tillë ka përfunduar edhe tek Thanas Bako.

Si ranë në kurthin e FBI trafikantët që përdornin ANOM?

Më 8 qershor të vitit 2021, Byroja Federale e Hetimit njoftoi përfundimin e Operacionit “Trojan Shield”, në të cilin për tre vitet e fundit Byroja u shiste fshehurazi telefona të komprometuar grupeve kriminale. Në njoftimin e saj, FBI deklasifikoi detaje të rëndësishme operacionale. Ky njoftim ishte kulmi i një operacioni të përbashkët shumëvjeçar midis FBI-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të policisë, si Policia Federale Australiane dhe Europol. Në këtë operacion u përdorur një informator sekret për të shpërndarë telefona të koduar brenda grupeve kriminale. Plani pati sukses. Kur mbi 300 grupe kriminale në mbarë botën po komunikonin lirshëm duke menduar se telefonat e tyre ishin të sigurt nga survejimi, në fakt autoritetet po monitoronin fshehurazi të gjitha komunikimet e tyre.

Operacioni “Trojan Shield” i kishte rrënjët në një rast më të vjetër të FBI-së kundër një kompanie shërbimesh të koduara që ofronte telefona për organizata të tilla si karteli “Sinaloa” në fund të viteve 2010. Telefonat i mundësonin kartelit të shmangte përgjimet e agjencive të zbatimit të ligjit dhe përpjekjet e deshifrimit duke përdorur pajisje të specializuara të koduara për të koordinuar operacionet e tyre. Në vitin 2017, nisi një hetim penal ndaj kompanisë që ofronte këto shërbime dhe ajo u shpërbë. Por kjo u dha oficerëve federalë një ide. Gjatë hetimit dhe ndjekjes penale të kësaj kompanie, FBI bindi një nga punonjësit e saj, që të bëhej informator sekret. Duke përdorur këtë informator si personin kryesor, FBI krijoi një kompani të re, të quajtur ANOM, duke përdorur teknologjinë e kompanisë që kishte hetuar në 2017-ën, për të ofruar telefona të koduar “Google Pixel” për grupet kriminale.

Megjithatë, përpara se FBI të mund fuste telefonat në duart e kriminelëve, Byroja u përball me një sfidë të madhe për ta bërë ANOM-in të dukej si një kompani e besueshme, në mënyrë që grupet kriminale të zgjidhnin shërbimet e saj në vend të kompanive të tjera. Për ta bërë këtë, ata manipuluan figura të njohura kriminale për të popullarizuar pajisjet. FBI-ja gjithashtu duhej të siguronte që ANOM të dukej si një ndërmarrje kriminale e besueshme dhe të tregtohej si e tillë, duke mbrojtur kompaninë e tyre të përparme nga përpjekjet e hakerave nga kompani të tjera.

FBI-ja gjithashtu duhej të mbronte publikun e gjerë. Për t’i mbajtur ata larg nga blerja e pajisjeve. Kjo ishte arsyeja pse u vendosën kufizime se kush mund t’i blejë ato. Ishte e rëndësishme të sigurohej që ANOM të mos bëhej rastësisht i popullarizuar në mesin e gazetarëve, biznesmenëve ose mbrojtësve të të drejtave të njeriut, pasi qëllimi i ANOM ishte që qeveria të lexonte dhe të dëgjonte fshehurazi komunikimet e krimit të organizuar. Kështu që FBI-ja shpiku një strategji që do t’i mundësonte dikujt të blinte një telefon vetëm nëse kishte një marrëdhënie kriminale të mëparshme ose aktuale me ofruesin, ose një reputacion mjaft të fortë në botën kriminale. Ofruesit e telefonave ishin figura me ndikim të njohur të krimit, pozicionet e të cilëve u përshkruan në një deklaratë të pavulosur si “ndikues”. Këto figura kriminale kishin reputacion dhe përvojë në promovimin e adoptimit masiv të pajisjeve specifike të koduara. Nëse ata promovonin telefonat ANOM, ose ftonin dikë për të blerë pajisjen, shihej si shumë e besueshme. Strategjia operacionale kufizoi shanset që civilët e zakonshëm të kapeshin nga rrjeta e mbikëqyrjes. Por së pari telefonat duhej të bëheshin të dobishëm për zbatimin e ligjit.

Përpara se telefonat të qarkullonin mes grupeve kriminale, FBI në koordinim me policinë federale australiane ndërtoi një derë të pasme në telefonat e koduar të Google që strehonin ANOM. Kjo derë e pasme lejoi Byronë që të shihnin çdo tekst, foto dhe video dhe të dëgjonin çdo telefonatë që bënin përdoruesit e telefonit, të gjitha pa dijeninë e tyre. FBI negocioi me një vend të tretë, ende të paidentifikuar, për të mbajtur serverët e ANOM dhe për të dërguar mesazhet në SHBA. Kjo u bë për të shmangur përgjimin aksidental të mesazheve të ANOM me bazë në SHBA, pasi atje ka kërkesa ligjore më të rrepta për të përgjuar komunikimet e brendshme sesa vendet e tjera. Preferohej që FBI të përgjonte mesazhet e ANOM-it në një vend të tretë.

Në fund, FBI deshifroi dhe lexoi më shumë se 27 milionë mesazhe në mbi 12 mijë pajisje. Në kohën e zbulimit publik të operacionit të përbashkët për prokurorinë dhe median, më shumë se 800 arrestime dhe mijëra konfiskime ishin bërë në mbi 16 vende, duke përçarë krimin e organizuar shqiptar, mafien italiane, bandat e motoristëve të jashtëligjshëm, sindikatat e drogës dhe armëve. Në një njoftim për shtyp, grupi operacional shpërndau foto të konfiskimeve, duke filluar nga 8 ton kokainë, 250 armë zjarri dhe më shumë se 48 milionë dollarë. Operacioni gjithashtu çmontoi më shumë se 50 laboratorë droge. Nga viti 2018 deri në vitin 2021, ANOM shiti më shumë se 12 mijë telefona në mbi 300 organizata kriminale që vepronin në më shumë se 100 vende të ndryshme.

Më 8 nëntor,  në Roterdam të Holandës nis gjyqi ndaj 52-vjecarit nga Saranda, Thanas Bako. Bako u arrestua në 31 maj pas një operacioni të policisë greke dhe Europol në lagjen “Glifadha” të Athinës. Ndaj Bakos ishte lëshuar një urdhër arresti nga autoritetet holandeze për pastrim të parave të ardhur nga trafiku i drogës. Bako u ekstradua në gusht nga Greqia në Holandë.

Shqiptari Thanas Bako lëvizi rreth 500 milionë euro për kriminelët në Holande

Shqiptari nga Saranda, Thanas Bako, konsiderohet nga Prokuroria Publike në Holandë, si figura qendrore e një rrjeti bankierësh të fshehtë. Dyshimi është se nga Greqia ai kontrollonte një rrjet korrierësh që lëvizte gati 500 milionë euro cash për kriminelët në Holandë. “Ai dyshohet se ka udhëhequr një organizatë kriminale që pastron para cash nga krimet në shkallë të gjerë”, tha Prokuroria Publike.

Shërbimet hetimore besojnë se Thanas Bako është një nga lojtarët më të mëdhenj në rrjetin e bankierëve kriminalë të nëntokës. Kjo ide mbështetet nga mesazhet e shumta të bisedave të deshifruara që morën hetuesit nga Task Force që heton “bankat e nëntokës”. Janë mesazhe të dërguara nga FBI, të cilat u janë dhënë autoriteteve holandeze. Ajo që Thanas Bako nuk dinte ishte se bisedat e tij, të dërguara përmes shërbimit të mesazheve ANOM, po lexoheshin drejtpërdrejt nga amerikanët.

Me emrin e përdoruesit “KKY” Bako ka dërguar një rrjet korrierësh në Holandë. Korrierët shpesh duket se punojnë nga ndërtesat e zyrave në pronat industriale në Randstad dhe sjellin ose mbledhin para nga kriminelët në të gjithë vendin. Gjithçka funksionon në këtë formë: Thasët me para fshihen në hapësirat e fshehura të makinave, ose ngarkohen në furgona.

Në vitin 2021, policia arrestoi një grup korrierësh në Hagë, Delft, Leidschendam dhe Amsterdam. Këta korrierë janë në gjyq në një hetim të gjatë, në të cilin “KKY”, pra Thanas Bako, luan një rol të madh, por ende nuk është akuzuar zyrtarisht. Në verën e vitit 2021, ANOM u çmontua nga FBI. Bako më pas kaloi te ofruesit e tjerë të komunikimeve të koduara. Për shembull, ai filloi të përdorte telefonat “Google Pixel” dhe instaloi në to aplikacionin e bisedës “Threema”. Ky aplikacion gjithashtu ofron enkriptim dhe i lejon përdoruesit të bisedojnë nën një pseudonim. Policia holandeze arriti të thyente dy telefona të gjetur gjatë arrestimit të tij dhe gjithashtu i bëri të lexueshme mesazhet e dërguara përmes “Threema-s”.

Bisedat që u zbuluan nga Policia holandeze

Më datë 24 mars 2023 kur Bako merr një mesazh nga një 55-vjeçar nga Haga, të quajtur Arnold van B. Në shërbimin e mesazheve të koduara “Threema” ai bisedon me emrat “Painter Picaso Picasso” dhe “Painterpainter”. Së fundmi ai ka kryen një ‘goditje’, të cilën ia ka raportuar Bakos:

“Përshëndetje mik. Unë jam i sigurt dhe sapo mbërrita. Unë do të numëroj”.

Ai gjithashtu dërgon disa foto, duke përfshirë një numër pakosh me para. Një nga fotot tregon se tufat janë grumbulluar në një grumbull të madh. Mbi të ishte vendosur një shënim mbi të cilin shkruhej: “total: 1 milion”.

Udhëzimet se ku të mblidhen këto 1 milion euro cash erdhën nga Thanas Bako. Ishte një vend i zakonshëm, publik, përkatësisht në parkingun e një restoranti të frekuentuar petullash në Blaricum. Arnold van B. ka vepruar 16 herë si korrier parash.

Por ai nuk ishte i vetmi. Një tjetër person, nga Haga, bisedon me Thanas Bakon, me emrin “Old man 2”. Në mars të vitit 2023, Bako arriti në përfundimin se dërgimi i parave në Holandë, pjesërisht për shkak të fokusit të Task Forcës për zbulimin e “Bankave Nëntokësore”, kishte filluar të bëhej më i vështirë. Dhe kjo ishte arsyeja pse ai po kërkonte tregje të reja. Ai bisedon me “Old man 2”, të cilin e pyet nëse njihte dikë që dëshironte të dërgonte para në Amerikën e Jugut ose në Australi. Me premtimin se mund të kryenin atë shërbim me normë të mirë interesi, personi nga Haga i thotë se njihte dikë qe mund të organizonte transportin e parave në Australi.

Mesazhet e Thanas Bakos tregojnë edhe se cilat janë përfitimet për korrierët. Normalisht, bankieri shqiptaro-grek i shkruan një korrieri të ri të mundshëm, se do të përfitonte një komision prej 0.2 %. Pra 2000 euro për një transport 1 milion euro cash. Korrieri, i cili ishte i interesuar të punojë shumë, bie dakord.

Ajo që Thanas Bako nuk dinte ende, ishte se hetuesit holandez kishin dëshifruar mesazhet e ANOM dhe e dinin se kush qëndron pas emrit “KKY”. Në drejtim të autoriteteve greke ndërkohë ishte nisur një urdhër-arresti, ku kërkohej arrestimi sa më i shpejtë i Thanas Bakos.

Më pas vjen qershori i vitit 2023 dhe ai arrestohet. Kur po lëvizte me një motor “Harley Davidson” drejt apartamentit të tij, në resortin bregdetar të Glyfada, afër Athinës, dy persona me jelekë të verdhë i bëjnë thirrje të ngadalësojë shpejtësinë me lëvizjet e duarve. Në dukej ata ngjasonin me punonjës të bashkisë. Kur Bako ndalon, njëri nga personat me jelek të verdhë e kap nga qafa. Thanas Bako bën rezistencë, por nuk ka asnjë shans përballë forcës së tyre. Ai shpejt dorëzohet. Pak çaste më vonë prangoset. Vetëm atëherë e kupton se ata persona të veshur me jelekë të verdhë nuk punojnë në bashki, por janë policë. Me kërkesë të autoriteteve holandeze, ata sapo kishin arrestuar një nga bankierët më të mëdhenj të nëntokës në Europë. Pas arrestimit, policia greke ka kontrolluar banesën e tij luksoze. Aty, ndër të tjera, u gjetën ora me vlerë dhe pirgje me para. Ishin kartëmonedha të shteteve të ndryshme, mes të cilave euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, dollarë australianë, franga zvicerane, lira turke, dirhemë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe rand të Afrikës së Jugut. U sekuestruan edhe telefona celularë, përfshirë një celular që përdoret për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tabletë, një disk dixhital dhe karta SIM, të cilat janë dërguar në Holandë për ekzaminim laboratorik pas miratimit të dhënë nga autoritetet gjyqësore. Ndërsa iu sekuestruan 14 prona në Greqi.

Arrestimi i Thanas Bakos shkaktoi shumë trazira, sipas një mesazhi që një nga korrierët e parave të Hagës mori nga mbesa e tij.

Mbesa: Bëhet fjalë për një urdhër arresti nga Holanda. Akuzat janë të rënda. Do ta ekstradojnë.

Korrieri: Sigurohuni që askush të mos ju dëgjojë.

Mbesa: Ai më thirri dhe më tha të fshija të gjitha llogaritë e tua nga telefoni yt. Ju merrni paratë tuaja, sigurisht. Ai po përpiqet të qëndrojë këtu (në Greqi). Është më mirë këtu. Do të shohim.

Dy muaj më vonë, Prokuroria Publike njoftoi se Thanas Bako ishte dorëzuar nga autoritetet greke në Holandë. Më 8 nëntor ai doli për herë të para Gjykatës në Roterdam. Arnold van B. është arrestuar gjithashtu dhe u gjykua në të njëjtën ditë, por në një seancë të veçantë.

Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako, 52 vjeç nga Saranda, konsiderohet nga Europoli si një nga “peshqit e mëdhenj” të pastrimit të parave që rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Por në qytetin e tij të lindjes ai rezulton si një ndër shumë emigrantët që prej vitesh nuk shihen të vijnë apo duken në mjediset publike edhe pse kontaktet me botën e nëndheshme mund t’i kenë ende aktive. Profili i 52-vjeçarit nuk është i panjohur për Policinë lokale. Në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000 ai është konsideruar si personazh me lidhje të forta në Sarandë me trafikantë ndërkombëtarë droge kryesisht të marijuanës nga Shqipëria në Greqi. Megjithatë skedën penale e ka të pastër në Shqipëri. Në vitin 1998 gjithsesi ai rezulton të ketë qenë në Kanada, ku rezulton bashkëaksioner me një qytetar tjetër nga Saranda, në kompaninë e investimeve “Quebec Inc”, e cila aktivitetin e saj e ka deri ne vitin 2012. Bako më pas ka zhvilluar aktivitetin e tij në Greqi, por mesa duket, pa i shkëputur kurrë lidhjet me botën e krimit. Vitet e fundit Bako rezulton të jetë pronar i 99 % të aksioneve në një kompani Real Estate në Greqi. Në pronësi të kësaj kompanie rezulton apartamenti luksoz i tij në Glifadha ku edhe u arrestua, si dhe disa apartamente të blera në Dafni dhe Ilioupoli. Përmes kësaj kompanie, ai rezulton se kryente pastrimin e parave të karteleve të drogës, kryesisht nga Holanda e Belgjika. Ai rezulton se u jepte udhëzime korrierëve se ku t’i merrnin e çonin paratë, duke përfshirë edhe konvertimin në kriptovaluta. Ai kryente pastrimin e tyre dhe transferimin në shtete Off Shore dhe kryesisht në Dubai. Autoritetet holandeze kanë mbërritur deri tek emri i Thanas Bakos pas shkatërrimit të disa grupeve kriminale, nga komunikimet e të cilave përmes aplikacioneve të enkriptuara, kanë zbuluar një emër të koduar, i cili më pas rezultoi të ishte pikërisht sarandjoti 52-vjeçar.

Thanas Bako rezulton të ketë lëvizur për herë të fundit nga Shqipëria në Greqi, të paktën në mënyrë të ligjshme, në vitin 2010 përmes një leje kalimi dhe me një pasaporte të vjetër, në vitin 2009. Ai nuk rezulton posedues i një pasaporte biometrike sipas sistemit TIMS, ndërsa dyshimet janë se mund të ketë ardhur më pas në Shqipëri përmes kalimit të paligjshëm nga kufiri gjelbër në zonën e Konispolit. Në Greqi ai mbante një profil të ulët dhe qarkullonte me një motor “Harley Davidson” edhe pse banesa e tij në Glifadha ishte luksoze. Arrestimi tij nga autoritetet greke është kryer në 31 maj por është bërë publik nga dy komunikata të Europol dhe Policisë greke në 6 qershor. Në Greqi dhe në Shqipëri ai rezulton pa precedentë penalë.

Gjyqi ndaj Thanas Bakos më 8 nëntor në Roterdam

Më 8 nëntor ka nisur gjyqi në Holandë ndaj Thanas Bakos. Ai dyshohet se punonte dy persona nga Dubai. Sipas Prokurorisë Publike, ata e kanë udhëzuar atë që të mbledhë apo dorëzojë shuma të mëdha parash në Holandë. Thanas Bako shihet nga gjyqësori si një lojtar i rëndësishëm në rrjetin ndërkombëtar të bankierëve të fshehtë. Trafikantët e drogës e përdorin atë për të lëvizur miliona fitime të tyre jashtë syve të autoriteteve në anën tjetër të botës. Për të investuar në pasuri të paluajtshme në vende si Dubai ose për të porositur transporte të reja të kokainës në Amerikën e Jugut. Një total prej 500 milionë eurosh para kriminale mësohet se janë zhvendosur falë grupit të Thanas Bakos. Sipas Prokurorisë Publike, ai i ka marrë këto urdhra për të lëvizur para nga dy persona të panjohur. Bëhet fjalë për dy burra nga Dubai, prej të cilëve dihen vetëm emrat, me të cilët kanë dërguar mesazhe: Saad dhe Sulltan. Gjatë seancës gjyqësore në Roterdam, prokurori tha se në baza ditore, i dyshuari u dërgonte këtyre dy burrave pasqyra të të gjitha transaksioneve të bëra. Ai duhej të jepte llogari para tyre.

Sipas avokatit të tij, Marijn Zuketto, kjo dëshmon se Thanas Bako nuk është “bankieri kryesor i botës së krimit”.

Në dosje shihni se njeriu, për të cilin Prokuroria Publike thotë se është klienti im, nuk bën gjë tjetër veçse përcjell mesazhe nga ata dy burra nga Lindja e Mesme. Të gjitha kualifikimet e rënda që i bëhen janë marrëzi. I gjithë ky skedar ka të bëjë me dikë që vepron si një kanal, asgjë më shumë. Klienti im nuk ka pasur kurrë probleme me ligjin, as këtu dhe as në Greqi. Dhe nuk ka lidhje me shoqatat kriminale. Ai është plotësisht i pastër.

Prokuroria Publike dhe avokati megjithatë po shqyrtojnë nëse një marrëveshje mund të arrihet. Në këto lloj marrëveshjesh, shqyrtohet nëse rasti mund të trajtohet shpejt. Në këmbim, i dyshuari merr një dënim më të ulët se normalja. Avokati Zuketto thekson se kjo nuk ka të bëjë me pranim e fajit.

Prova më e rëndësishme në këtë rast duket se janë mesazhet e panumërta që Bako thuhet se u ka dërguar korrierëve të parave në Holandë nëpërmjet një telefoni të koduar. Ata mblidhnin ose dorëzonin shuma të mëdha parash nga kriminelët. Banda kishte dy seli ku paratë numëroheshin dhe paketoheshin ndërmjet transaksioneve të ndryshme, në Hagë dhe në Amsterdam.

Tashmë Thanas Bako ndodhet në paraburgim prej më shumë se gjashtë muajsh, por do të jetë edhe për disa muaj të tjerë. Kërkesa e avokatit që ai të hetohej në gjendje të lirë, nuk u pranua nga Gjykata në Holandë. Ndërsa vetë Thanas Bako preferoi të mos flasë në gjyq. Madje gjyqtari i çështjes pati edhe një koment për shumat e mëdha të parave që Bako dyshohet se ka qarkulluar.

Gjyqtari: “Në Roterdam nuk tronditemi aq lehtë, por ky është një rast me përmasa të jashtëzakonshme. Dhe kush e sheh, ka prova të fortë se ju jeni personi që drejtoi gjithë këtë.”

Sipas një dokumentarit të “Holland Crime Boulevard”, Thanas Bako kishte krijuar prej 10 vitesh një rrjet korrierësh që transportonte para. Korrierët kryesisht ishin hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash. Këta ishin njerëz jo të dyshimtë, gjithnjë në lëvizje që edhe nëse parkonin furgonat anës rrugës, askush nuk do të dyshonte, sepse do të mendonin se ishin aty për të kryer punën. Furgonat kishin vende të improvizuara ku fshiheshin paratë. Gjëja më e rëndësishme për Bakon ishte që këta persona mos të kishin rekorde kriminale, sepse policia mundet që përmes targës së makinën të identifikojë pronarin dhe precedentët e tij. Hetuesit kanë në dorë disa biseda mes Thanas Bakos dhe klientëve të tij.

Klienti: “Kam një dërgesë për 2 milionë euro. Dua t’i ndaj në 2 për siguri. 2 korrierë të ndryshëm, ata nuk mund ta dinë. Të dyja në të njëjtin vend. 12.00 1 makinë, 12.10 1 makinë”

Thanas Bako: “Do ta bëj diferencën 30 minuta, është më mirë. Njëri djalë nuk e kalon tjetrin. Njëri 12.00, tjetri 12.30. Dy makina. Kjo është për mua më e sigurt”.

Një vend i përafërt diskutohet dhe Thanasi dërgon dy korrierë aty. Vetëm minutën e fundit klienti tregon vendin e saktë ku do të merren paratë. Ishte një restorant i quajtur “Bruis” në Blaricum. Teksa njerëzit po hanin drekë, 1 milionë euro u transferuan dy herë në secilën nga makinat në parking. Një orë pasi u morën paratë, një nga korrierët i dërgon Thanasit mesazh:

Korrieri: “Përshëndetje shok, jam i sigurt, sapo arrita. Do t’i numëroj paratë tani”

Thanas Bako: “0.2 % komision. Transporti me vlerë 1 milionë do të japi 2000 euro”.

Korrieri: “Është shumë mirë. Jam i vendosur të bëj më të mirën”.

Thanas Bako: “Kjo është ajo që dua të dëgjoj”.

Më 23 shkurt të vitit 2021 rezulton të ketë ndodhur një pengmarrje e dyshimtë. Dy vëllezër, në dy furgonë të ndarë shkojnë në një magazinë. Njëri futet direkt brenda ndërsa tjetri parkon jashtë. Ata nuk e vunë re një furgon të parkuar para tyre. Shoferi që parkoi jashtë tentoi të hynte në magazinë por u godit me shkelm nga një person i maskuar. Dy persona të tjerë erdhën dhe morën peng dy vëllezërit. Pengmarrësit detyruar vëllezërit të hynin në zyrën e magazinës dhe t’u jepnin “diçka” që ata donin. Ata kontrolluan magazinën dhe një nga furgonët por nuk zbuluan gjë. Furgoni gri i pengmarrësve tip “Renault” me targa FN-615-ZM u gjet më pas. Ata kishin hequr targat dhe kishin tentuar ta digjnin por kishin dështuar. Një oficere policie që foli në një emision investigativ më pas, tha se viktimat nuk e kishin idenë pse ishin marrë peng dhe donin të grabiteshin. Sipas oficerët, viktimat ishin të pafajshme dhe me shumë mundësi pengmarrësit ishin në adresën e gabuar. Por ajo ishte gabim. “Viktimat” dinin ekzaktësisht çfarë donin pengmarrësit. Ata kishin ardhur për miliona e miliona euro. Kjo magazinë shërbente si një nga pikat e grumbullimit të Thanas Bakos. Një person që e mori me qira më pas këtë magazinë tha se çdo gjë është e siguruar mirë. Shumë luksoze për punën që supozohej se bëhej. Shikoni kamerat dhe butonat e alarmit. Kuzhina është e fshehur në fund dhe muret janë të veshura për izolim zhurme. Pse duhet të bëhej kjo? Për të numëruar 165 milionë e 718 mijë e 500 euro pa zhurmën e numëruesve të parave që punonin me orë të tëra dhe mund të alarmonin komshinjtë. Kjo magazinë ishte një nga të dyja vendndodhjet që Thanas Bako përdorte si “banka”. Dy personat që u morën peng ishin dy korrierët e tij më të besuar. U deshën vetëm 200 transaksione për të krijuar atë shume parash. Pra një transaksion mesatar kishte vlerë 828.000 euro.

Pastrimi i parave apo shpëlarje e parave është procesi i fshehjes së paligjshme të origjinës së parave, të përfituara nga aktivitete të paligjshme si trafiku i drogës, korrupsioni, përvetësimi ose lojërat e fatit, duke i kthyer ato në një burim legjitim. Është një krim në shumë juridiksione me përkufizime të ndryshme. Zakonisht është një operacion kyç i krimit të organizuar.

Ndërsa krimi financiar është bërë më kompleks dhe inteligjenca financiare është bërë më e njohur në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit, pastrimi i parave është bërë më i spikatur në debatin politik, ekonomik dhe ligjor. Veprat që gjenerojnë para janë pothuajse gjithmonë në një farë mënyre vetë kriminale, sepse nëse jo, paratë nuk do të kishin nevojë të pastroheshin.

Nëse drejtësia arrin të fusë në dorë një pastrues parash, synimi kryesor është që ta kthejë në të penduar. Ai është çelësi që hap rrugën drejt zbulimit, jo vetëm të një grupi, por edhe të disa organizatave kriminale. E duket se këtë po synon edhe drejtësia holandeze me Thanas Bakon.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular