Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj është e detyrueshme në tërësinë e saj, si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë.
Deklaratat Stano i ka bërë pasi BE ka konfirmuar pranimin e një versioni përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, përmes së cilës ishte zotuar se Serbia nuk e zbaton nenin që obligon palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare.
Megjithëse nuk e kanë zbardhur përmbajtjen finale të dokumentit, në BE kanë thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj janë obliguese.
Ishte Serbia që përmes një letre nga kryeministrja Ana Bërnabiç, e njoftoi BE-në se nuk merr përsipër zbatimin e të gjithë marrëveshjeve.
Serbia ka kundërshtuar nenet që i kërkojnë të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në. Megjithatë, mund të konfirmojmë se BE-ja ka marrë një version përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Bërnabiq. Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.
“Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, ka deklaruar Stano për Koha.net
BE-ja pret nga palët që të demonstrojnë përkushtim serioz dhe përpjekje për të arritur kompromisin që çon përpara normalizimin e marrëdhënieve.
“Ato (palët) duhet të mbështesin angazhimet e tyre të dialogut dhe të angazhohen për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu i kaluar, në veçanti Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj”.
“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, ka theksuar Stano.