Autonomi për QSUT dhe 4 spitale rajonale. Rama: Mjekët mund të punojnë privatisht jashtë orarit

0
206

Pas spitalit memorial të Fierit, QSUNT dhe spitalet rajonale, Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Vlorë kanë marrë kartën e autonomisë menaxheriale.

Kryeministri Edi Rama shpjegoi se përmes këtij hapi brenda vitit synohet që në këto spitale mjekët të kenë mundësi të ofrojnë për pacientët shërbim me pagesë pas orarit të punës.

“Të shfrytëzojnë spitalin, aparaturat për të ofruar një shërbim ekstra, me pagesë ku 70% të pagesës e merr mjeku dhe 30% i mbeten spitalit”.

Në këtë mënyrë thotë Rama, mjekët nuk do kenë arsye për t’u larguar nga Shqipëria. Madje sipas tij gjasat janë që të rikthehen edhe ata që aktualisht punojnë jashtë vendit pasi kushtet në spitale janë përmirësuar ndjeshëm.

“Jo vetëm praktika e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve në bazë të meritës do të bëjnë që interesi për të punuar në spitalet publike të jetë gjithmonë e më i lartë, konkurrenca më e fortë dhe pastaj kushdo të shkojë në Gjermani të na marrë të keqen.”

Sa i përket pagës bazë, Rama premton se rritja do të vijojë për të gjithë bluzat e bardha.

“S’keni parë gjë akoma as në aspektin e pagave”.

Kryeministri thotë se është angazhuar që në shëndetësinë shqiptare të vijë teknologjia më e fundit.

“Po punojmë për të sjellë robotët për operacionet…”

Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është që deri në vitin 2027, në të gjithë vendin të jenë 17 qendra spitalore që do të vetëmenaxhohen.

Tv Klan