“Droni që i sulmoi ishte i mbushur me eksploziv”- Zyrtarët e SHBA zbulojnë detaje për vrasjen e 3 ushtarëve amerikanë. Biden përsërit zotimin: Ne do të përgjigjemi

0
167

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me sulmin me dron pranë kufirit Jordan-Siri nga zyrtarët amerikanë.

Ata thanë se droni ishte i mbushur me eksplozivë dhe u godit pranë një strehe ku disa trupa amerikane po flinin.

Të tre të vrarët ishin të gjithë ushtarë, thanë zyrtarët, ndërsa shtuan se më shumë se 30 të tjerë u plagosën.

Nuk është ende e qartë nëse të gjithë trupat e plagosur janë personel ushtrie apo nëse disa janë nga shërbime të tjera.

Nga ana tjetër, Joe Biden ka përsëritur zotimin e tij për t’iu përgjigjur sulmit. Presioni mbi presidentin amerikan po rritet për të vepruar pasi ai tha se “grupet militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak” ishin përgjegjës për sulmin e natës.

Në një takim elektoral në Karolinën e Jugut këtë mbrëmje, Biden kërkoi një moment heshtjeje dhe tha: “Ne do të përgjigjemi”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se sulmi ka ndodhur në verilindje të Jordanisë, pranë kufirit me Sirinë, edhe pse një zëdhënës i qeverisë së Jordanisë ka këmbëngulur se ishte në Siri.