“Mbajeni mend, fshati po vdes”- Jorida Tabaku rendit faktorët: Shkak, politikat e qeverisë! Ja pse janë rritur çmimet

0
263

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se për shkak të politikave të qeverisë fshati po vdes.

Me anë të një vidoemesazhi në Facebook, deputetja demokrate thotë se kjo gjendje e fshatit reflektohet çdo ditë në tokat që mbillen, por edhe në numrin e krerëve të bagëtive që sa vjen dhe po bie.

Tabaku thekson se faktor i gjendjes ku sot ndodhet fshati është edhe heqja e rimbursimit të TVSH për fermerët, por edhe zhvlerësimi i euros, që ka bërë që produktet e importuara të shiten më lirë se ato vendase.

“Kush bën pazar e shikon që të gjitha çmimet janë rritur. Frutat, perimet sot kushtojnë më shtrenjtë. Pse kushtojnë më shtrenjtë? Megjithëse kemi 20% të ekonomisë sonë që vjen nga fshati. Sot, fatkeqësisht fshati po vdes! Kjo reflektohet çdo ditë; në tokat e punuara dhe të mbjella, në numrin e krerëve që kanë rënë me 25%, në prodhimet që nxjerr sot fshati. 20% e importeve është rritur me produkte bujqësore ndërsa 8% kanë rënë eksportet. Pse ndodh kjo? Për një arsye shumë të thjeshtë; politikat e qeverisë.

Së pari, kanë hequr TVSH dhe rimbursimin e TVSH për fermerët dhe ka sjellë një rritje me 20% të gjithë çmimeve. Prandaj protestojnë sot fermerët që derdhin qumështin në Fier, Lushnje e Gjirokastër.

Së dyti, 25% është zhvlerësuar euro dhe kjo ka bërë që produktet që vijnë nga jashtë të shiten më lirë se ato që prodhohen në vend. Toka e bekuar shqiptare me produkte Made in Albania fatkeqësisht nuk ia del me këto çmime.

Së treti, arsyeja kryesore lidhet me marrëveshjet që bëjnë grumbulluesit. Gjithmonë, shumica vuan dhe pakica përfiton. Kështu që sa herë të bëni pazarin e të kujtoni se përse çmimet janë rritur? Përse kushton më shtrenjtë? Mbajeni mend se fshati po vdes! Po vdes prej politikave të qeverisë”, shkruan Jorida Tabaku.