Në garë janë 13 kandidatë për 2 vende vakante në KLGJ dhe 9 kandidatë për 2 vende vakante në KLP nga radhët e avokatisë.
Renditja e pikëzimit sipas Komisionit të Pavarur të Vlerësimit për kandidatët nga radhët e avokatëve për KLGJ-në ka vlerësuar në vendin e parë avokaten Eris Hysi, ndjekur nga Përparim Kalo, Erind Merkuri, Alban Alimema, Erind Gërmenji, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj, Albana Tushe, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi dhe Bledar Bajri (Boshnjaku).
Ndërsa në listën e kandidatëve për anëtarë të KLP-së renditja nis nga Përparim Kalo, Erind Merkuri, Alban Alimema, Erind Gërmenji, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj, Albens Tabaku, Artan Reçi dhe Bledar Bajri (Boshnjaku).
Renditja e kandidatëve të ardhur nga shoqëruia civile është vlerësuar nga një komision Ad-Hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve i përbërë nga drejtues të organizatave, pas zhvillimit të seancave dëgjimore me 3 kandidatë për 1 vend vakant në KLGj dhe 4 kandidatë për 1 vend në KLP.
Renditja e kandidatëve nga radhët e shoqërise civile për anëtarë të KLGJ-së rendit në vendin e parë Erion Fejzulla, ekspert vendor i Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPJ) i ndjekur nga aktivisti për të drejtat e njeriut, Altin Hazizaj dhe juristja Juelda Lamçe.
E njëjta renditje është dhe për kandidatët për KLP-në, por listës i shtohet dhe një kandidaturë e katërt, ajo e juristes Violanda Theodhori.
Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj në dy këshillat e lartë të drejtësisë i ka kaluar afatet ligjore të cilat duhej të përfundonin në dhjetor, pasi AP mori më shumë kohë për verifikimin e plotë të kandidatëve.
“Dosjet e plota janë dorëzuar një javë më parë në Kuvend”- i tha Avokati i Popullit Erinda Ballanca BIRN-it të martën.
Vonesa e dorëzimit sipas saj ka ardhur nga ankimimet gjyqësore për procesin, dhe pse seanca e fundit e komisionit për pikëzimin e kandidatëve është mbajtur më 29 dhjetor.
Sipas përcaktimeve ligjore, Kuvendi do të zgjedhë nga listat e filtruara të Avokatit të Popullit, 2 anëtarë midis kandidatëve nga avokatia dhe 1 anëtar nga shoqëria civile për secilin këshill.
Në qoftë se Kuvendi nuk e arrin shumicën prej 2/3 gjatë votimit, kandidatët e renditur më lart në vlerësimin e organeve që kanë bërë përzgjedhjen e kandidatëve konsiderohen të emëruar.
KLGJ dhe KLP përbëhen nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve vijnë nga radhët e magjistratëve, dy nga avokatia, dy nga akademia dhe një nga radhët e shoqërisë civile.
Në praktikën e ndjekur për procesin, Avokati i Popullit ka publikuar letërkëmbime me institucione si Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit, etj., ku kërkon verifikimin e kandidatëve sipas ligjit për dekriminalizimin, lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit apo për probleme të tjera me figurën. /BIRN