BallinaOP EDAsgjë e re nga raporti për korrupsionin në Shqipëri, përveçse SPAK-ut

Asgjë e re nga raporti për korrupsionin në Shqipëri, përveçse SPAK-ut

spot_img
spot_img

Nga Ervis Iljazaj

Në raportin e publikuar dje nga Transparency International për sa i përket perceptimit të korrupsonit, Shqipëria ka bërë një përmirësim të lehtë nga një vit më parë. Ky është një lajm i mirë për shoqërinë tonë dhe luftën kundër korrupsionit, një plagë e vjetër e cila ka qenë një nga faktorët kryesorë të pengimit të zhvillimit në Shqipëri.

Mungesa e investimeve të huaja domethënëse në Shqipëri në vitet e fundit, ka patur si arsye kryesore pikërisht mungesën e drejtësisë, inefikasitet të administratës dhe pasigurinë juridike në tërësi, të cilat kanë qenë sektorë me perceptim të lartë korrupsioni për shoqërinë shqiptare. Jo më kot, kompani të rëndësishme multinazionale investojnë në të gjitha vendet e rajonit dhe mungojnë në Shqipëri. Mungesa e markave të mëdha në vendin tonë ka pikërisht arsye korrupsionin e lartë në këto sektorë.

E megjithatë, ndryshimi kësaj here, vjen si pasojë e punës së SPAK dhe hetimeve që ka ndërmarrë në luftën ndaj korrupsionit në nivele te larta të politikës. Këtë gjë e thekson raporti i “Transparency International”, si arritjen e vetme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Si për të theksuar edhe një herë rolin e ri dhe domethënës që struktura e re drejtësisë ka marrë për demokracinë në Shqipëri. Dhe këtë gjë, nuk e thekson vetëm ky raport, por të gjitha organizatat dhe aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Pas 33 viteve ku korrupsioni ka qenë pjesë e pandarë e pushtetit, me sa duket, e vetmja shpresë që shqiptarët kanë në këtë drejtim është SPAK, edhe pse ka imperfeksionet e veta. Sigurisht korrupsionin nuk do të zhduket sa hapa e mbyll sytë, madje nuk mund të eliminohet asnjëherë, por përpjekja duhet të jetë konstante dhe të kthehet në kulturë institucionale.  E pikërisht për këtë arsye, jo më kot klasa politike në Shqipëri ka filluar sulmet ndaj këtij organi të drejtësisë. Sepse e di fare mire, që paraqet rrezikun më të madh për pushtetin e saj.

Duan apo nuk duan ata, kjo strukturë do të vazhdojë punën e saj. Prandaj lipset një mbështetje e gjerë e opinionin publik ndaj saj. Ata prokurorë nuk duhen lënë vetëm dhe pa mbështetje. Në të kundërt, politika e vjetër do të arrijë ta gllabërojë siç ka bërë shumë herë, edhe pse kësaj radhe e kanë shumë të vështirë.

Për sa i përket çështjeve të tjera, Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtat probleme sipas raportit. Që nga inefikasiteti i kontrollit ndaj pushtetit të qeverisë e deri të administrata. Si të thuash, një realitet që duket i ngrirë dhe që s’ka ndryshuar shumë për sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe problemet që paraqet ai.

Një nga arsyet se përse korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë, është padyshim edhe qeverisja e vetme e një forcë politike. Në dy mandatet e fundit, politika shqiptare ka treguar se qeverisja e një force të vetme çon në autoritarizëm dhe kontrollin e sektorëve të tjerë të pushteteve. Dhe po të nisemi nga thënia e famshme e Lord Acton ‘’Pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute’’, kuptohet fare mirë se përse jemi në këtë gjendje.

Prandaj e vetmja gjë që i duhet Shqipërisë në këto momente në luftën ndaj korrupsionit, është mbështetja ndaj SPAK dhe punës së tij. Që për momentin, ashtu siç është gjendja e opozitës, duket i vetmi kundërshtar i qeverisë dhe që balancon disi pushtetin e stërmadh të saj.

Çdo tentativë për ta delegjitimuar, për ta sulmuar dhe për ta dekurajuar, është në dëm të drejtësisë shqiptare dhe në favor të pushtetit dhe klasës politike 33 vjeçare. E cila padyshim është mësuar gjithmonë që drejtësinë ta vendos nën kontroll. Mirëpo kësaj herë, duket sikur i ka ngec sharra në gozhdë. /Liberale.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular