Nga Edlira Devolli Leka
“Një qime floku po i preke Arben Ahmetajt dhe familjes së tij, do e pësosh personalisht me familjen tënde”, ju “hakërrye” Berisha Ed Ramës, nga tavani ku e kanë degdisur në shoqërinë e korbave që krrokasin në qiellin plot smog të Tiranës.
Fjalë të koduara e ligjërim ala mafia tiranse që nuk i`a prekin qimen e flokut njëra tjetrës.
Kur flasin kështu kapot e mafies siçiliane, të nesërmen njërës palë i’a gjen kokën “përshesh”. Këta mafiozët e “Triangolos së Bermundës” fjalët për konsum publik i kanë “plumb kokës”, veprat i kanë kulla të përbashkëta drejt qiellit.
Berisha e shiti për një javë rresht intervistën e Ahmetajt në televizionin e familjes, sikur aty do të shpërthenin akuza e fakte që do të e lëshonin në gjunjë qeverinë. U mbars mali e polli një mi. Ahmetaj e mbajti gjuhën brenda dhëmbëve.
Dikur, andej nga viti 2000, “Legjenda” ngriti me bujë komision hetimor në Parlament për vjedhjet miliona dollarëshe të Ahmetajt, me ndihmën e Nanos, në frekuencat e Albtelekom. Atëherë i duhej të na mashtronte se po vinte në qeverisje, “me duart akullore”.
Po të lexosh malet e akuzave për qeveritarin e djeshëm Ahmetaj, sot e kupton se Berisha, gjithë kohërave, ka “lehur” në hënë.
Tani bën gallatë me bukën e fëmijëve tanë, nga lartësia e kullave të tij, duke marrë në mbrojtje një pushtetar mafioz të dy dekadave.
Kush ka sy në ball e sheh sa zi është Ahmetaj, i zi Berisha, zi e më zi Rama me të tijët.
Njëlloj janë, e njëjta bukë e helmuar me të cilën trullosin opinionin publik.