BallinaKultureLabirintet antike prej guri në ishullin Bolshoj Zaiatskij

Labirintet antike prej guri në ishullin Bolshoj Zaiatskij

spot_img
spot_img

Nga Petrit Nika

Në një grupim të vogël të ishujve në Detin e Bardhë të Rusisë gjendet përqendrimi më i lartë i labirinteve antikë në planet. Pavarësisht teorive të shumta, arkeologët dhe historianët nuk kanë arritur në asnjë përfundim konkret rreth arsyes pse ato janë ndërtuar dhe cili ishte qëllimi i tyre. Fenomeni i labirinteve mbetet një nga simbolet më misteriozë të gjetura në Tokë – daton prej mijëra vjet më parë – mendohet se u shfaq në të njëjtën periudhë të historisë së njerëzimit në të gjitha kontinentet e banuara në epokën e vjetër.

Fjala “labirint” vjen nga greqishtja e lashtë “labrys”, (“sëpatë e dyfishtë” që përdorej nga minoanët në ishullin e Kretës), dhe “inthos” (që do të thotë “vend”) . Kështu, labryinthos (labirint) do të thotë fjalë për fjalë “vendi i sëpatës me dy tehe”. Pallati kompleks i Knosit në Kretë është i modeluar si labirint. Sipas mitologjisë greke, mbreti Minos i Kretës i kërkoi mjeshtrit Dedalus të ndërtonte labirintin në mënyrë që të fshihte Minotaurin, një qenie e frikshme zoomorfe, pasardhës gjysmë-njerëzor i gruas së Minosit me një dem. Për një arsye enigmatike, Dedali dhe djali i tij Ikarus ishin të mbyllur në labirint. Për të shpëtuar ata krijuan një palë krahë prej dylli. Fatkeqesisht Ikari i ri, u ngjit afër diellit në fluturimin e tij dhe krahët e dyllit iu shkrinë e ai përfundoi në detin Ikarian (deti Mesdhe) ku u mbyt. Ndërsa legjenda e Minotaurit ishte menduar gjatë shekujve vetëm si një mit, mbetjet arkeologjike të labirintit të Knosit u zbuluan në fillim të shekullit të XX-të nga arkeologu Arthur Evans.

Megjithëse ka shumë dizajne labirintësh të zbuluara gjatë gjithë historisë, të

konceptuara me shtatë qarqe, njëmbëdhjetë qarqe dhe dymbëdhjetë qarqe, në Greqi dhe në të gjithë Mesdheun, – një simbol i zakonshëm i një labirinti me shtatë qarqe vjen nëpër shekuj përmes legjendave. I njohur sot si labirinti i Kretës, ai përbëhet nga një rrugë e vetme e cila vjen duke u mbështjellur para dhe prapa drejt një epiqendre përmes në një serie prej shtatë unazash koncentrike. Duket e pabesueshme sot kjo trajektore e qarqeve të këtij labirinti, kur meson se shtatë qarqet e tij pasqyrojnë lëvizjen e Mërkurit në qiell për një periudhë të caktuar kohore.

Imazhi  këtij labirinti u gjet në një pllakë argjile në një pallat mikenas në Greqi. Mendohet se një zjarr e shkatërroi këtë pallat aty rreth vitit 1200 para Krishtit, duke e pjekur pllakën prej balte dhe duke e bërë keshtu atë të jetë në gjendje për të ardhur deri në ditët tona. Ndërsa fjala “labirint” është e lidhur ngushtë me historinë dhe mitologjinë greke, labirintet kanë qenë rreth e rrotull nëpër botë shumë më parë se legjenda e Knosit dhe Minotaurit.

Nje labirint i famshëm që daton ndoshta deri dhe 4000 vjet më parë, është labirinti i famshëm në zonën e tempullit egjiptian pranë një kompleksi piramidal ndërtuar në Hauara nga Amenemheti III, i dinastisë së XII-të (rreth viteve 1844-1797 para Krishtit). Kishte dymbëdhjetë qarqe të veçanta, të gjitha përballë njëra-tjetrës, të gjitha të lidhura me korridore, kolonada dhe boshte. Rrugicat, kryqëzimet si dhe dyert e rreme të vulosura me rrasa guri, që të gjitha ishin në funksion të mbrojtjes së dhomës qendrore ku gjendej varri i mbretit. Labirintet e Greqisë dhe të Egjiptit janë vetëm maja e ajsbergut. Labirintet janë gjetur pothuajse në çdo traditë fetare në botë, kanë qenë pjesë integrale e shumë kulturave dhe janë gjetur në çdo kontinent të banuar nga njerëzimi.

Për sa i përket monumenteve të lashta arkeologjike, më shumë se treqind shembuj të labirinteve mund të gjenden në vende të ndryshme të shpërndara në një gjeografi misterioze nëpër botë. Është e çuditshme dhe akoma e pashpjegueshme se si ishte e mundur që i njëjti model labirinti arriti të shfaqet njëkohësisht në një gjeografi kaq të madhe dhe në kultura krejt të ndryshme nëpër botë. Nëse labirinti i parë daton 4000 vjet i lashtë, në fakt historia e labirinteve dëshmohet të jetë akoma shumë më e lashtë se kaq.  Labirintet më të hershëm u shfaqën për herë të parë në gdhendjet neolitike mbi shkëmbinj dhe në formacionet e gurëve, kryesisht në Evropë, Skandinavi dhe Rusi.

Ishujt Solovetskij janë një arkipelag që ndodhet në Gjirin Onega të Detit të Bardhë, Rusi. Këtu gjenden tridhjetë e pesë labirinte neolitikë, të cilët datojnë rreth 3,000 p.e.s. Më të spikatur janë labirintet prej guri të ishullit Bolshoj Zaiatskij, një grup prej katërmbëdhjetë labirintësh në një zone prej 0.4 km 2. Ato janë veçanërisht të ruajtura mirë dhe janë dokumentuar duke spekulluar për domethënien e tyre, por pa arritur në ndonjë përfundim të qartë. Përveç labirinteve, deri në 850 grumbuj gurësh janë gjetur në ishull, shumë prej tyre përmbajnë fragmente kockash. Formacione të tjera prej guri të zbuluara në ishull përfshijnë një përfaqësim të diellit, të kompletuar me segmente rrezore. Mendimi më i përhapur është që këto labirinte antike dhe formacione guri kishin lidhje me ritet pagane dhe se mund të kenë simbolizuar një kufi ndarës midis botës sonë dhe botës së përtejme – vendbanimi mitik i të vdekurve. Labirinti më i vogël ka diametër rreth gjashtë metra, ndërsa më i madhi arrin një diametër 25,4 metra. Radhët e gurëve formojnë spirale, të ngjashme me dy gjarpërinj me kokat e tyre në qendër. Hyrjet në labirintet janë kryesisht në jug. Të gjithë labirintet në Bolshoj Zaiatskij gjenden në perëndim të ishullit, ndërsa pjesa lindore e ishullit përmban një koleksion të rëndësishëm të formacioneve prej guri, por jo labirinte.

Shumë hipoteza janë paraqitur për të shpjeguar arsyen pse kolonët neolitikë të ishujve Solovetskij bënë përpjekje të stërmundimshme për ndërtimin e këtyre labirinteve të shumta prej guri. Në vitet 1970, hipoteza mbizotëruese, ishte se labirintet ishin ndërtuar si kurthe për peshqit. Si argument për këtë merret fakti se të gjithë labirintet në këtë rajon ishin ndërtuar afër detit dhe nivelet e ujit ishin shumë më të larta 5000 vjet më parë, kur besohet se ishin ndërtuar. Peshqit do të notonin në hyrje, do hynin në brendësi dhe do të bllokoheshin në labirint, duke e bërë më të lehtë punën për peshkatarët.  Sidoqoftë, pengesa kryesore e këtij argumenti është se labirinthet e shumtë janë gjetur në brendësi të zonave kontinentale të të gjithë botës ku nuk kishte kurrë oqean as peshq. Studiuesi Juri Leonidoviç Ershov ka sjellë një teori tjetër për ketë. Ershov pohoi se brenda rreshtave të labirinteve ishte pasqyrimi skematik i orbitave të diellit dhe hënës, kështu që labirintet u përdorën si kalendarë. Sidoqoftë, edhe kjo teori është kundërshtuar me argumnetin që labirintet nuk kanë një drejtim të qëndrueshëm të hyrjes. Një teori e njohur sot, veçanërisht midis qarqeve ezoterike, është se labirinti është një simbol i lashtë që lidhet me plotësinë. Labirinti kombinon imazhet e rrethit dhe spirales në një rrugë gjarpëruese, krejt të qëllimshme. Ai përfaqëson një udhëtim në thelbin e qenies sonë dhe kthimin përsëri në botë. Ecja në një labirint mund të konsiderohet gjithashtu si një iniciativë në të cilën dikush mpreh inteligjencën. Besohet se ecja në një labirint sjell ndryshim në vetëdijen tonë dhe në perceptimin tonë për kohën dhe hapësirën. Me të drejtë, Vlad Abramov, një studiues që hulumtoi gjatë labirintet e Bolshoj Zaiatskijt, përshkroi përvojën surreale të ecjes në shtigjet përdredhëse dhe kthyese të labirintit. “Pasi të hyni në një labirint dhe të rrotulloheni disa herë rreth qendrës, e lini atë përmes së njëjtës hyrje. Vetëm pas disa kthesave bëhet e paqartë se sa keni ecur dhe sa ngelet ende për të ecur. Subjektivisht, koha ndalet, por duke parë orën, labirinti i madh kalohet në 15 minuta. Pavarësisht nga teoritë e paraqitura më lart, dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur këtu, teoria e pranuar sot për sot, është se ndërtimi i labirinteve ishte i lidhur me ritualet e besimeve fetare. Labirintet prehistorike besohet se kanë shërbyer si kurthe për shpirtrat e këqinj, si rrugë të përcaktuara për vallëzimet rituale, ose si një simbol për ndarjen midis kësaj bote dhe botës së përtejme. Spekulohet se labirintet mund të jenë përdorur edhe në rituale për të ndihmuar shpirtrat e atyre që kanë vdekur për të kaluar në botën e përtejme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular