Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me shoqërimet e dhunshme të qytetarëve nga ana e Policisë, pas përfundimit të protestës së opozitës, edhe pse tensionet ishin të vogla.
Sipas Avokatit të Popullit, deri në orën 22:00 ka patur 11 qytetarë të shoqëruar në komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë.
Në reagim thuhet se një nga këta qytetarët pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit. Bëhet fjalë për shtetasin A. Malija, i cili ka shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë.
Disa nga të arrestuarit janë:
Marko Malia
Kindi Toli
Mateo Sota
Arsid Sulko
Gesti Prifti
Dejvi Thana
Sefer Pirra
Reagimi i plotë:
Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar sot protestën e organizuar nga opozita në Tiranë.
Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.
Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon:
Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.
Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.
Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.
Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.
Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta.