BallinaKultureJeta dhe veprimtaria e prof.Gëzim A. Barës, në librin “Intervistë me vetveten”

Jeta dhe veprimtaria e prof.Gëzim A. Barës, në librin “Intervistë me vetveten”

spot_img
spot_img

Nga Hidajet Lahi
Libri “Intervistë me vetveten” me autor Gëzim Bara, me titull akademik “Profesor i Asociuar” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT, është një monografi-sintezë mbi jetën dhe veprimtarinë e autorit, duke e parë atë në kotekstin socialpolitik dhe ekonomiko-kulturor të lidhur me faktorë frenues dhe zhvillues që shoqëruan karrierën e tij. Në fëmijërinë e tij Gëzimi, u ndesh me jetën e vështirë socialekonomike të kohës, por autori luftoi dhe fitoi në sajë të një përpjekje të mundimshme, në udhën e vështirë për t’u arsimuar dhe edukuar, si sfida parësore në ballafaqimin e individit me sistemin.
Gëzimi, më i madhi ndër shtatë fëmijët, do të ishte fëmija i parë që do të mendonte dhe reflektonte thellë mbi rrugët që të shpëtojnë nga varfëria në këtë kohë, me shumë fëmijë dhe me të ardhura të pamjaftueshme. Së pari ishte e rëndësishme që t’i nënshtrohej një studimi të rregullt dhe të pasionuar për dije, si një pritshmëri për të tejkaluar vështirësitë e jetës. Dhe ashtu bëri. Mbaroi të gjitha ciklet e shkollimit me rezutlate të shkëlqyera.
Në shtjellimin e librit, i cili ndjek kronologjinë e ngjarjeve, autori vë në përdorim me një stil të rrjedhshëm të ligjërimit etnografik, për të qenë më e dallueshme, më e dukshme, përdor gjithë kategoritë e arsenalit ligjërimor letrar. Në të gjitha vlerësimet që autori përcjell për ngjarjet, rrethanat, individët u jep përmbjtje realiste, larg emocioneve dhe subjektivizmit. Mua, kur e lexova, autori më ngjan me metalet me vlerë si diamanti, i fortë dhe i çmuar njëkohësisht, i ashpër ndaj padrejtësive, por dhe i butë dhe i afërt me vlerat dhe të mirën njerëzore. Dhe duke lexuar librin, rritet si një mozaik që rrëzëllen kudo mirësi, dituri, vlera, humanizëm, dashuri dhe respekt për njerëzit që punojnë e jetojnë duke ndarë fisnikëri.
Prof. as. dr. Gëzim A. Bara, ka një formim të lartë shkencor. Kjo reflektohet në dy librat e tij shkencor, ku bën një analizë shkencore dhe një interpretim të thelluar të dukurive biokimike me interes në kurrikulën arsimore universitare.
Familja dhe konteksti social.
Në pjesën e parë të monografisë fillon me fshatin e lindjes, në Menesh të Zalldardhës së Dibrës, një zonë e thellë dhe përgjithësisht e izoluar. Vështirësitë si nxënës, dhe peripecitë për të siguruar të drejtën e studimit janë tipike për ato zona, ku vazhdimi i shkollës ishte kthesë rrënjësore në jetën e një të riu. Sjelljet në familje, harmonia dhe tradita e respektit dhe humanizmit, lartëson vlerat e trashëguara familjare dhe shoqërore që ishin kultivuar si vyrtyte të larta morale. Përshkruhet rruga e vështirë që kalon Gëzimi, babai, nëna dhe e gjithë familja, për sprovat e krijuara, por edhe arritjet me pretendimet e tyre. Kjo gjithmonë në proporcion të zhdrejtë në mënyrën dhe cilësinë e jetës.
Aqif Bara, lindi në Mnesh (Vilë) të Zalldardhës, në Dibër, më 30 maj 1931, i cili nuk jeton më. I ati i tij, Hysen Bara kishte emër të madh në luftërat dhe qëndresën patriotike, në zonë dhe më gjerë, përkrah luftëtarëve të shquar dibranë për pavarësi kombëtare. Për këtë ka botuar një libër “Hysen Bbara, pari e Dibrës”.
Aqifi si djali më i vogël, kishte zgjuarsinë t’i orientonte fëmijët e tij drejt arsimimit dhe shkollimit, duke ruajtur kulturën dhe trditat më të mira të familjes së madhe. Në vazhdën e traditës familjare, edhe Aqifi ndikoi në afrimin e miqësisë dhe shoqërisë së zgjedhur. Po kështu përshkruhet me simpati figura e Xheladin Colit, daja i Aqifit, i cili kishte një emër të mirënjour në zonë dhe në gjithë Dibrën për mençuri dhe bujari. Po kështu familjen e Aqifit e ndriçonte dhe miku i tij, me inteligjencë të rrallë dhe me formim fetar Ymer Shehu (Sheh Ymeri), i cili rrezatonte kulturën dhe filozofinë e jetës, mbështetur në shkollimin dhe moralin e lartë islam që predikonte në Dibër, si një ndër klerikët më të përmendur dhe më me reputacion publik në kohën e tij. Edhe sot thëniet e tij me njw stil alegorik, kur në odat e burrave i bënte oponencë sistemit, akoma pas shumë vitesh përmenden në publikun që e kanë njohur e dëgjuar. Të shumtë ishin shokët e miqtë e Aqifit, disa prej të cilëve thotë autori i ka njohur pas vdekjes së tij. Aqifi ishte mjaft paqësor dhe human në familje, me një sjellje të kulturuar me fëmijët dhe bashkëshorten. Ai punonte në ndërmarrjet shtetërore dhe kishte zënë shumë miq e shokë. Aqifi dinte të ndërtonte marrëdhënie të ndërsjellta, tepër korrekte dhe dashamirëse. Kishte dëshirë të ndërtonte banesë të mirë dhe jetë cilësore dhe këtë ia realizoi Gëzimi me vëllezërit e tij, duke ia plotësuar dëshirat në maksimum dhe duke e bërë të ndjehet i lumtur në kohë pleqërie.
Nëna, e Gëzimit, Fatimja ishte me prejardhje nga Reçi, fisi Mëziu dhe përshkruhet në libër si një fisnike e pashembullt. Ajo është një figurë humane, e zgjuar dhe frymëzuese që të emocionon me përshkrimin e raporteve që krijon autori në marrëdhëniet nënë-bir. Ajo është shembulli i vetëmohimit, i sakrificave për të rritur fëmijët, për t’i edukuar e shkolluar me një përkushtim të veçantë. Veç kësaj ajo luante edhe rolin e të “zotit të shtëpisë” dhe të zonjës së shtëpisë kur “mungonte” Aqifi, i cili punonte larg familjes. Autori ka ditur të përzgjedhë momentet më pikante për të paraqitur figurën e saj dhe mesazhet e fuqishme të dashurisë prindërore. Autori, si djali i saj më i madh, ndjen lumturi që ka mundur t’i shërbejë dhe t’i gjendet pranë, në momentet më të vështira dhe duke e lumturuar atë. Kështu në libër gjejmë mjaft skena prekëse dhe emocionuese, ku autori rrëfen lirshëm për figurën e nënës. Në libër ndiqen me interes situatat jetësore, si momenti i përpjekjeve të autorit, për të fituar të drejtën e studimit, për shkollën e lartë. Dëshira e tij për të vazhduar studimet, pasi kishte dëshira dhe ëndërra të fuqishme për të projektuar një të ardhme të sigurtë, do të binte ndesh me rrethanat, peripecitë, pengesat, ambiciet, mëritë që përmbante konteksti social dhe politik i vendbanimit, ku i jep librit mjaft dramacitet dhe zbërthehen një sërë personazhesh, ideshë, praktikash dhe indiciesh që e bëjnë librin tërheqës, intrigues dhe të besueshëm.
Mençuria dhe përvoja për t’i kthyer faktorët politiko-socialë në dobi të tij.
Autori duke bërë autopsinë e sistemit përmes narrativës së jetës së tij, nuk i shikon problemet bardhë e zi, përkundrazi ka mjaft kuadro që punonin me ndershmëri dhe i japin shoqërisë realisht atë që meriton. Kështu autori shprehet:
“Punova për një vit brigadier transporti në Zalldardhë dhe kam mirënjohje të thellë për ish kryetarin e kooperativës I.K. si dhe Sekretarin e Byrosë Partisë I.A., të cilët gjatë stazhit më trajtuan normalisht pa asnjë paragjykim dhe me dashamirësinë për të ecur përpara. Gjatë periudhës së shkollimit, autori evidentoi vendet dhe ndërmarrjet, ku ka punuar muajt e verës: Spaç, Reps, Elbasan, Xhafzotaj, Koman etj. Kjo ishte një përvojë dhe kalitje fizike dhe shpirtërore për mua për të përballuar sfidat e jetës”.

E drejta e studimit në universitet, si ngadhnjim shpirtëror.
Autori përshkruan me gëzim ditën e shumëpritur të festës së 23 gushtit. Do të dilnin shpalljet e të drejtave të studimit, në Peshkopi, kur lexon emrin e tij. Ishte ngadhënjim shpirtëror dhe intelektual që përmbushte synimet rinore të autorit. Pas mbarimit të shkollës së lartë shkëlqyer dhe diplomimit për mësues i biologjisë, përsëri do të kemi mjaft peripeci në emrim dhe punësim që do të shpalosen me mjaft dramacitet në libër.
“Pritej emrimi im. Dëshira ime ishte në afërsi të shtëpisë, kjo për të ndihmuar familjen për arsye ekonomike. Në ankth dhe i stresuar isha. Kisha mbaruar shkëlqyer dhe fakulteti kishte dhënë mendimin për të qëndruar atje si pedagog. Nuk dija ku do punoja. Më caktuan mësues në një fshat mjaft të thellë, në Arrëmollë, që pas ankesës sime u anollua dhe u emërova në Shkollën e Bashkuar Zalldardhë”.
Më vonë midis mjaft vështirësish dhe paragjykimesh të drejtuesve të zonës, emërohet dhe punon drejtor i Shkollës së Mesme Zalldardhë. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi, vendi po boshatisej nga intelektualët dhe banorët po migronin drejt Tiranës dhe Durrësit. Natyrisht në këtë përfshirje ishte dhe autori, i cili tani kishte peshën kryesore në familje. Në bashkëbisedim familjar merret vendimi për shpërngulje drejt Durrësit, ku kishte mbështetje nga njerëzit e afërt të tij. Shpërngulja ishte domosdoshmëri, por në familje u përjetua si një fatkeqësi e madhe, kur mendohej se do linin vendlindjen dhe historinë e saj prapa… Babai i autorit Aqifi shprehet: Si nuk u gjet një gur i madh graniti, e të jetë më i fortë se diamanti, e të rrezatonte xhevahir (mozaik) që të më detyronte të mos merrja rrugët e kurbetit!”
Por autori kishte një vizion të qartë për të ardhmen e familjes së tij, kur mendon se “duke u shpërngulur, ne afrohemi me qytetërimin, me institucionet, me demokracinë me civilizimin, tregun dhe mirëqënien ekonomike. Lëvizja e lirë ishte fryt i demokracisë. Dhe Gëzimi, si intelektual, e vlerësonte këtë.
“Do të jemi më se të sigurtë, do të jemi shumë më mirë, për arsimin, kulturën punësimin etj… duhet të jemi optimistë. Po e lëmë vendlindjen e trojet tona me dhembje, pasi do të jetë më afër bota e qytetëruar, e civilizuar… Kështu ka vepruar edhe Europa. Lëvizja e lirë e njerëzve ka ekzistuar që në kohë, që nga koha e antikitetit, me lindjen e shoqërisë njerëzore” shkruan autori. Pjesë e përkrahjes së kësaj lëvizjeje u bë edhe bashkëshortja e Gëzimit, Diamanda, infermiere me formim të lartë profesional dhe mjaft serioze në shërbimin shëndetësor publik, me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, e lindur në Gur-Lurë, në një familje me tradita dhe vlera të larta, që me fisnikëri, edukoi dhe rriti tre fëmijë:
Rajmondën, Enkeledën dhe Erionin që edhe nën kujdesin e babait të tyre profesor, arritën të arsimohen shkëlqyer në nivele të larta të shkencës.
Dy vajzat janë me grada shkencore ‘Doktor i shkencave” dhe punojnë pedagoge në UMT dhe UT, ndërsa djali specialist i lartë i elektronikës te AMA.
Po kështu autori me dashuri dhe respekt përshkruan përkushtimin dhe kontributin e vëllait të tij, Fatmirit, i cili punoi pa u kursyer për të rritur begatinë dhe cilësinë e jetës në familje. Ai punoi në fronte të vështira në minierën e Bulqizës, më vonë në emigrim duke sakrifikuar me këmbëngulje dhe përkushtim prindëror. Po kështu, me nota të dhimbshme dhe nostalgji përshkruan jetën e vëllait të vogël Qamilit, i cili mori rrugën e emigrimit dhe u vendos me banim në Greqi. Por autori ndjen kënaqësi që të dy vëllezërit tani janë integruar në Greqi dhe jetojnë me dinjitet, ku edukojnë edhe fëmijët në këtë shtet të përparuar europian.

Vështirësitë e integrimit dhe tranzicioni.
Edhe integrimi i familjes së Gëzimit në Durrës, nuk qe i lehtë. Ai u përball me vështirësitë e tranzicionit, në një kaos dhe anarki pa rregulla dhe ligje të qarta, me konfuzion social, me vështirësi për t’u punësuar në institucionet e arsimit dhe të shëndetësisë për të cilët ishin kualifikuar Gëzimi dhe Diamanda. Por në libër mësojmë se Gëzimi kishte shkathtësinë dhe zgjuarsinë për t’i ndjekur dhe zgjidhur problemet qoftë edhe me lodhje, stres dhe cfilitje, por pa u dorëzuar përpara qëllimit që i kishte vënë vetes. Arriti që të emërohet drejtor shkolle dhe të punësojë Diamandën në Institucione shëndetësore. Fëmijët i inkurajonte pandërprerje duke i motivuar për rezultate të larta dhe ata me inteligjencë e punë radhiteshin në ekselencat universitare. Kjo përbënte epërsi morale, qytetare dhe intelektuale që po i rriste prestigjin familjes Bara në Durrës. Por duke parë se të gjitha institucionet ishin në Tiranë dhe kryeqyteti kishte të tjera benefite për zhvillimin intelektual dhe konkurencën në administratë, Gëzimi vendosi të lëvizë drejt Tiranës, ku bleu truall në zonën e UB dhe ndërtoi bashkë më vëllezërit, një shtëpi që plotëson nevojat e tyre familjare.
Ndërkohë profesor Gëzim A. Bara po rriste çdo ditë performancën akademike në mësimdhënie universitare dhe në studime shkencore, ku promovoi titullin “Profesor i Asociuar” dhe tani po ndjek programin e promovimit për “Profesor”, pranë FSHN. Në libër profesori bën një vlerësim dhe të realiteteve politike, duke dhënë konsideratat e tij, me paanësi dhe jashtë çdo kompleksi. Njerëzit dhe familja e tij, sipas autorit, jetonin në një mjedis shumë të politizuar, kur baza mbi mjetet e prodhimit ishte pronë e grupit e si të tillë, askush nuk ishte i interesuar për zhvillimin e saj. Vendi ra në varfëri dhe prona e shtetit nuk ishte favorit publik sidomos në zonën e veriut. Ky regjim solli varfëri dhe padrejtësi. Ndërsa sistemi demokratik përveç lëvizjes së lirë dhe iniciativës së lirë tranzicioni pati vështirësi të mëdha.
Arritjet akademike.
Performanca akademike e profesor Gëzim Barës ishte në rritje të shpejtë dhe në vijueshmëri. Arritjet e larta në studimet universitare u pasuan në studimet për Mastër Shkencor, i cili i mbylli “shkëlqyer” në 2012. Kështu, punon si pedagog në vitin 2011-2015, si pedagog i jashtëm në Universitetin e Durrësit dhe Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Në vitin 2013, fillon në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si pedagog i brendshëm, me procedura konkuruese. Rezultatet në rritje të tij u dukën veçanërisht në punën kërkimore shkencore, si dhe në udhëheqjen e studentëve të doktoraturës. Pas fitimit të gradës së doktoraturës Gëzimi do të fokusohej në një punë të shkëlqyer studimore në tri monografitë shkencore të tij, si tekste universitare të cilat i japin atij, statusin e titullarit të lëndës për mësimdhënie, në modulet e fushës së biologjisë. Kjo ishte një bazë e mirë në performancën shkencore që me këmbëngulje, brenda afateve të përcaktuara nga ligji, ai mbron titullin akademik “Profesor i asociuar” dhe tani ndjek me vullnet të fuqishëm punën kërkimore shkencore për të arritur gradën e lartë akademike “Profesor” në shkencat e biologjisë.
Këto fakte, me pak fjalë tregojnë për përkushtimin, aftësinë, pasionin e tij në mësimdhënien universitare, si një pedagog që njeh në themel mësimdhënien, duke i kapërcyer dhe ushtruar në të gjitha shkallët metodologjike mësimdhënëse. Kjo përvojë pune dhe angazhimi shkencor universitar e bën profesor Gëzimin, një shembull model, për shumë e shumë pedagogë të tjerë që e gjejnë “shtruar” dhe vegjetojnë me vite e dekada. Librat shkencorë e pedagogjik të shkruar nga profesor Gëzimi, si Biokimi Mjekësore”, Testim dhe zgjidhje ushtrimesh në biologji”, “Kurrikula e biologjisë dhe kimisë”, janë një dëshmi e qartë e arritjeve të tij profesionale dhe pedagogjike.
Duke e njohur nga afër këtë profesor, në komunikimin e tij, me thjeshtësinë, ndershmërinë, karakterin e drejtë dhe të pa kompromentueshëm me të keqen, e vlerësoj profesorin si një gur të çmuar diamati në elitën tonë intelektuale kombëtare. Përveç arritjeve akademike të Gëzimit dhe bashkëshortja si infermiere me shumë përvojë dhe dy vajzat ekselente dhe pedagoge universitare, djali dhe e shoqja me arsim të lartë, i japin familjes së Gëzim A. Barës, një integritet të lartë intelektual, kulturor, arsimor dhe shoqëror. Urime autorit në botime të tjera!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular