BallinaOP ED"Bashkim" e protestë për të rrëzuar Ramën, apo për të konsoliduar Berishën...

“Bashkim” e protestë për të rrëzuar Ramën, apo për të konsoliduar Berishën si ‘kryeopozitar’?!

spot_img
spot_img

Nga Ervis Iljazaj
Protesta e 20 shkurtit tregoi edhe njëherë që Sali Berisha është një realitet i rëndësishëm në opozitë, ndoshta më i rëndësishmi.

Kaq ishte mesazhi i protestës së rithemelimit.

Dhe ndoshta ky është dhe vetë objektivi i Berishës.

Ai e di fare mirë që s’mund të ketë objektiva madhorë në politikë, përveçse të jetë një aktor i rëndësishëm në lojë.

Dhe ketë gjë ia ka arritur.

Problemi qëndron se shumica e opozitës që Berisha zotëron a mund të kthehet dot në shumicën e Shqipërisë?

A mund ta funksionalizojë ai këtë shumicë në funksion të rotacionit politik pa u dorëhequr vetë nga politika?

Sepse qëllimi kryesor i opozitës duhet të jetë rotacioni politik dhe jo konsolidimi i pushtetit brenda opozitës së Sali Berishës.

Populli opozitar i cili kalon përtej emrit të Berishës kërkon ndryshim të pushtetit pas 12 viteve në opozitë.

Në këtë kuptim, protesta nuk tregoi asgjë të re për konjukturën politike. Vazhdimësia e Berishës në krye të opozitës, në kushtet ku ai ndodhet, është një pengesë e madhe që ajo të bëhet shumicë.

Sali Berisha është njëkohësisht e mira dhe e keqja e asaj force politike.

E mira, sepse është i vetmi që ka vota dhe popullaritet politik. Prandaj edhe shumica e deputetëve që iu bashkua atij, iu bashkuan sepse kanë më shumë shpresa për të fituar sërish një vend si deputet.

E keqja, sepse problemet e tij për tu kthyer në një kandidat për kryeministër fitues janë të shumëfishta.

E para, është një politikan i cili ka pothuajse 34 vite në pushtet dhe që drejton një parti politike. Një politikan që është provuar dhe sprovuar nga populli shqiptar.

Ka patur të gjitha mundësitë për të bërë për Shqipërinë në 35 vite. Dhe shoqëria shqiptare, shumica e saj, e ka mbyllur kapitullin me të si drejtues i vendit. Si drejtues i opozitës mund të jetë, por i Shqipërisë, shanset janë pothuajse zero.

E dyta, ka një moshë të caktuar. Dhe mosha, pavarësisht energjisë së një personi luan rolin e saj në politikë.

E treta, dhe më e rëndësishmja, është e një lideri politik totalisht i izoluar nga ndërkombëtarët pasi u shpall non-ngrata nga ShBA.

Çfarëdo të bëjë opozita nën lidershipin e tij, nëse ato nuk gjejnë aleatë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të mbeten të pafuqishëm përballë këtij pushteti.

Madje, në fjalimin e tij pati kritika të forta kundër ndërkombëtarëve duke i quajtur edhe mafie.

Në këtë kuptim, izolimi i thellë në të cilin ndodhet e bën formaconin e tij politik të pamundur që të aksesojë pushtetin. Në Shqipëri, ShBA dhe ndërkombëtarët nuk të sjellin në pushtet, por ama nëse je në konflikt me to, fitimi i pushtetit bëhet i pamundur

Dhe e fundit, Sali Berisha gjendet në një proces gjyqësor sot dhe pa udhëheqjen e tij fizike, rithemelimi humbet temperamentin politik, ashtu sikurse u duk qartë gjatë protestës.

Për të gjitha këto arsye, nëse rithemelimi vazhdon të jetë nën udhëheqjen e Berishës, do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e opozitës, por pushteti duket shumë larg.

I vetmi që e ka në dorë që këtë shumicë në opozitë ta vërë në funksion të qëllimit për t’u bërë shumicë në Shqipëri është Sali Berisha duke u dorëhequr nga drejtimit i saj.

Për momentin, kjo ngjarje duket shumë e largët, ashtu sikurse duket e larget që opozita të vijë në pushtet, nën drejtimin e tij.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular