•Endri Hasa: Bllokimi i firmës elektronike në E-albania, ka paralizuar punën e qytetarëve, mjekëve, QKB, kadastrave, arkitektëve dhe inxhinierëve
•Sekretari për burimet njerëzore dhe koordinimin dixhital, Endri Hasa: PD kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetim për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve
DEKLARATA E SEKRETARIT EKZEKUTIV PËR BURIMET NJEREZORE DHE KOORDINIMIN DIXHITAL DHE ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, ENDRI HASA
Përshëndetje të nderuar qytetar!
Jemi këtu për denoncuar paralizimin e plotë të shërbimeve më të rëndësishme elektronike për qytetarët.
Bllokimi dhe mosfunksionimi i sistemit të firmës elektronike prej mëse 10 ditësh ka bërë që shumica e sistemeve më të rëndësishme për shërbimet ndaj qytetarëve dhe biznesit të mos funksionojnë.
Çdo veprim i mjekëve në qendrat shëndetësore për lëshimin e raporteve dhe recetave elektronike është i bllokuar duke paralizuar edhe furnizimin me barna të shumë pacientëve.
Çdo veprim për të gjitha regjistrimet dhe ndryshimet në shoqëritë tregrare apo personat fizik si dhe çdo veprim tjetër pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit është i bllokuar duke sjell vonesa në aplikim dhe në shumë raste penalizime me gjoba për qytetarët dhe bizneset.
Çdo veprim për regjistrime pranë kadastrës i kryer nëpërmjet E-Albania apo pranë zyrave noteriale është i bllokuar duke sjellë një paralizim të plotë të të gjitha transaksioneve në Kadastër ku për shumë prej veprimeve qytetarët penalizohen me gjoba për vonesë.
Aktiviteti i arkitektëve, inxhinierëve dhe çdo profesionisti tjetër të liçensuar për çdo lloj leje ndërtimi, rikostruksioni si dhe për firmosjen e projekteve apo aplikimeve është i bllokuar.
Çdo aplikim në vend që kërkon vulë apo nënshkrim elektronik nuk funksionon, duke bërë që qytetarët dhe bizneset të hasin kosto në çdo orë që kalon.
Partia Demokratike denoncon me forcë këtë bllokim dhe paralizim të shërbimeve elektronike qeveritare të ofruara nga AKSHI që me çdo orë mosfunksinimi të tyre po dëmtojnë qytetarët dhe bizneset.
Partia Demokratike kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetimin dhe të marrin masa të menjëhershme për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve.
Qeveria duhet të rikthejë menjëherë në normalitet funksionimin e sistemeve elektronike të afektuara dhe të marri përsipër çdo kosto dhe të anullojë çdo gjobë të gjeneruar për shkak të problemeve me firmën dhe vulën elektronike.
Parita Demokratike po e ndjek me shumë vëmendje dhe seriozitet të gjithë këtë situatë dhe siguron qytetarët se do të ndjek çdo hap ligjor të nevojshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
Faleminderit!