Vrasja e një kalimtari në Kavajë pas përplasjes mes dy bandave ka shkaktuar shumë zemërim. Fotot e tij me qesen e bukës janë shpërndarë qindra herë. Sipas BIRN, ka dyshime se një nga një prej personave të përfshirë ka qenë më parë në Holandë dhe mund të jetë përfshirë në aktivitet të paligjshëm, ndërsa ka dyshime se palët ishin të përfshira në shpërndarje narkotikësh.
Një kalimtar i rastit mbeti i vrarë, ndërsa pesë persona u plagosën, gjatë një përplasje me armë mes dy grupesh të rinjsh në qytetin e Kavajës. Ngjarja ndodhi mesditën e të enjtes në hyrje të qytetit dhe sipas policisë nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Ramazan Haslliu, i cili po kalonte rastësisht ndërsa u plagosën pesë persona të tjerë, disa prej të cilëve po ashtu të papërfshirë në ngjarje.
Nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit Marius Aliu dhe Denis Aliu. Shtetasi Marius Aliu (autori i dyshuar i vrasjes), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur”, njoftoi policia.
Të plagosurit u identifikuan si Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdini, Erald Hyka, dhe Marius Aliu.
Aktualisht njësia e policisë “Shqiponja” po mban në monitorim Spitalin e Durrësit dhe një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së kalimtarit. Qytetarë në Kavajë përshkruan se qyteti është tronditur nga përplasja me armë. Ata e interpreruan si përplasje të rinjsh. BIRN mësoi nga banorë që kërkuan të mos identifikohen se bëhej fjalë për një konflikt mes vëllezërve Aliu dhe Hyka.
Drejtoresha e Spitalit Durrës, Nadire Jani, konfirmoi për BIRN se të pestë të plagosurit, përfshi një prej të dyshuarve si autorë, janë shtruar në spital dhe pas ekzaminimeve do vijojnë trajtimin e mëtejshëm.
BIRN mësoi se të plagosurit i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin e Durrësit, për të larguar mbetjet e plumbave nga gjymtyrët. Aktualisht njëri prej të plagosurve ka kërkuar që të largohet drejt një spitali privat në Tiranë, për të ju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale të mëtejshme në këmbë.
Policia arriti të arrestoj në vend njërin prej dy vëllezërve të dyshuar për krimin, pasi ai mbeti i plagosur, ndërsa bëri me dije se është në ndjekje të tjetrit. Po ashtu policia tha se ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar dhe ka shoqëruar disa persona me dijeni për ngjarjen dhe konfliktit.
Në makinën e autorëve të dyshuar janë gjetur fishekë kallashnikovi dhe pistolete, ndërsa nga hetimet rezulton se në konflikt janë përdorur të paktën tre armë dhe se është qëlluar nga të dy palët. BIRN mësoi nga grupi hetimor se ende po hetoheshin motivet e përplasjes.
Një zyrtar i prokurorisë tha se policisë i ka rezultuar paraprakisht se një prej personave të përfshirë ka qenë më parë në Hollandë dhe mund të jetë përfshirë në aktivitet të paligjshëm, ndërsa ka dyshime se palët ishin të përfshira në shpërndarje narkotikësh.
Zëdhënësja e Policisë së Tiranës dhe pjesëtarë të grupit hetimor që gjendej në Spitalin e Durrësit sqaruan për BIRN se ende ishin duke hetuar rrethanat e ngjarjes. BIRN mësoi se mes palëve kishte pasur sherr të mëparshëm dhe ishin rrahur me njëri-tjetrin.
Pas ngjarjes reagoi presidenti Ilir Meta, që kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vendosjen përpara drejtësisë së autorëve. “Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z. Isa Sakja dhe i kërkoi t’ju përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, shkruhet më tej në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca./BIRN